Kryeministri Berisha merr pjesë në tryezën e iniciuar nga Presidenti i Republikës mbi projektin për planin zhvillues të Tiranës
- Kryeministri ndalet në fjalën e tij në partneritetin mes qeverisë dhe qeverive vendore të vendit, reformën e pronësisë, procesin e decentralizimit
Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në tryezën e iniciuar nga Presidenti i Republikës "Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, sfidat e së ardhmes", organizuar në pallatin e Brigadave. Në këtë takim ishin të pranishëm Presidenti i Republikës , zoti Bamir Topi, Kryetari i bashkisë së Tiranës, zoti Edi Rama, anëtarë të qeverisë, përfaqësues të opozitës, të qarqeve akademike, studiues të urbanistikës etj..
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë për të vendosur partneritet të qëndrueshëm me qeveritë vendore të vendit, duke e konsideruar këtë partneritet një kusht përcaktues për përmirësimin e qeverisjes dhe shërbimin ndaj qytetarëve shqiptarë. Ai ftoi autoritetet vendore për të bashkëpunuar dhe për të proceduar me shpejtësi në reformën e qeverisjes vendore. "Dua të shpreh qëndrimin e qeverisë për të vendosur një partneritet solid me qeverinë vendore të Tiranës dhe të gjitha qeveritë vendore të Shqipërisë, si një kusht përcaktues për përmirësimin e qeverisjes në tërësi dhe për të përmbushur përgjegjshmëritë e qytetarëve shqiptarë," u shpreh Kryeministri. Në këtë kontekst, Kryeministri siguroi autoritetet e qeverisë vendore të Tiranës, të pranishëm në tryezë, se "qeveria është e vendosur të konsolidojë një partneritet të frytshëm me këto autoritete, në mënyrë që Tirana të zhvillohet harmonishëm dhe të përmbushë të gjitha funksionet në misionin e saj si kryeqendër e këtij vendi.
Duke theksuar se në bashkëpunim me qeveritë vendore shihet mundësia reale për t’i dhënë përgjigjen më të mirë reformës së pronësisë, Kryeministri vlerësoi se kompletimi ose mos kompletimi i kësaj reforme përcakton stabilitetin ose jo të vendit. "Në rast se ka një reformë, e cila mund të marrë e të heqë zvarrë jo vetëm qeverinë dhe qeveritë vendore, por shtetin në tërësi, është reforma e pronësisë. Ndaj, ne jemi të vendosur të bashkëpunojmë ngushtë. Në këtë reformë duhet të ketë një vetëdije se në rast se presim që këtë reformë ta kryejë dhe ta kompletojë Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Drejtori i ALUIZNI-t, ne tregohemi vetëm iluzivë. Përgjegjësi e njëjtë duhet të ndihet nga kryetari i komunës më të largët, tek kryetari i bashkisë së Tiranës, tek Kryeministri i këtij vendi. Vetëm në rast se ne bashkojmë që të gjithë vullnetin tonë politik për të kompletuar këtë reformë, ne do të mund ta kompletojmë atë, ta nxjerrim nga kaosi dhe ta vendosim mbi bazat e shtetit ligjor," tha Kryeministri.
Në këtë partneritet, shtoi më tej Kryeministri, vjelja e taksës së pronës duhet të jetë një nga stimujt më të rëndësishëm të këtij partneriteti. "Ne duhet të konsolidojmë konceptin e taksapaguesit, e cila në disa vende përbën taksën kryesore dhe pa të cilin ne nuk kemi të ardhme. Jam shumë i lumtur që ajo është në duart e autoriteteve vendore. Qeveria është e vendosur t’i mbështesë ato me të gjitha masat e nevojshme administrative, në mënyrë që ajo taksë të vilet në mënyrën më të drejtë dhe më të plotë ."
Kryeministri përcaktoi, si një nga problemet së cilës duhet t’i jepet përgjigjja e duhur, marrëdhënien e rolin e pronarit të tokës dhe të zhvilluesit të tokës. "A duhet të pranojmë ne që marrëdhëniet zhvillues toke dhe pronar toke të jenë tërësisht civile dhe shteti të ketë rolin reaktiv që ka sot? Po vazhduam në këtë mënyrë, këtë kaos do ta mbjellim çdo ditë e më shumë. Nëse e lëmë shtetin të lajë duart, unë ju garantoj se zhvillimi do të jetë i bazuar jo mbi planet urbane, por mbi babëzinë urbane. Në këtë koncept, në sektorin privat–publik nxitet korrupsioni me të gjitha format," u shpreh Kryeministri. Duke nënvizuar se kjo sjell edhe një dështim të dytë të planifikimit urban, lënien pothuaj djerrë të periferisë. "Kjo marrëdhënie ka një pasojë tjetër të rëndë, nuk të lejon të zhvillosh infrastrukturën, të imponon dështimin në infrastrukturë, nuk hap dot rrugën, nuk çon dot ujin dhe nuk bën dot kanalizime, sepse shteti hyn në veprim vetëm kur i ankohet njëra palë apo tjetra dhe reagon vetëm ndaj tyre. Kjo marrëdhënie vërtetë kënaq një pronar, sepse e bën atë milioner, aty ku i bie pallati, por mjeron tjetrin ngjitur me të, sepse aty bie njolla jeshile, bie shkolla apo çerdhja. Kjo marrëdhënie paralizon disa funksione publike të pazëvendësueshme të shtetit dhe gjobit rëndë disa të tjerë."
Kryeministri përmendi disa nga iniciativat e qeverisë në mbështetje të qeverisjes vendore si ligji për huamarrjet e qeverive vendore, thellimi i procesit të decentralizimit. "Qeveria do të shqyrtojë dhe do të delegojë me shpejtësi të gjitha funksionet e parashikuara nga ligji dhe e konsideron këtë një detyrë të rëndësishme edhe për të përmbushur standardet demokratike të këtij vendi," nënvizoi Kryeministri.
Duke u ndalur në zhvillimin e Tiranës, Kryeministri u shpreh se plani i saj duhet të jetë plani i Tiranës së madhe. "Tirana e madhe, nga Vora në Priskë, nga Fushë -Kruja në Petrelë, ky duhet të jetë vizioni ynë për Tiranën e madhe," theksoi Kryeminsitri.