Kryeministri Berisha merr urime nga Kryeministri rumun Emil Boc, me rastin e rizgjedhjes në detyrën e kryeministrit
Kryeministrit Berisha mori një letër urimi, nga Kryeministri rumun zoti Emil Boc, me rastin e rizgjedhjes së tij në detyrën e kryeministrit.
Në këtë letër, zoti Boc shprehet:
“I nderuar Shkëlqesi!
Me rastin e rizgjedhjes suaj si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, më lejoni t’ju shpreh urimet më të sinqerta dhe dëshirën për suksesin e qeverisë suaj.
Përfitoj nga rasti të shpreh besimin tim se dialogu bilateral midis Rumanisë dhe Shqipërisë do të vazhdojë të karakterizohet nga e njëjta frymë e hapur dhe miqësore. Marrëdhëniet e mira politike duhet të plotësohen nga një bashkëpunim praktik në fusha me interes të përbashkët.
Bashkëpunimi ekonomik do të mbetet një ndër prioritete tona. Ne duhet të bëjmë përpjekje të përbashkëta, për të tejkaluar sfidën e rënies së ekonomisë globale, përmes rritjes së kontakteve në nivele të ndryshme.
Unë dëshiroj tu siguroj ju se Rumania do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Në këtë drejtim ne jemi të gatshëm tu ofrojmë eksperiencën tonë në përmbushjen e kushteve të kërkuara për arritjen e këtij objektivi madhor.
Duke mirëpritur ardhjen tuaj në Bukuresht, ju lutem pranoni Shkëlqesia juaj sigurimet e konsideratës sime më të lartë."
30/09/2009