E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Sali Berisha takohet me qytetarë të Fushë Kosovës

Gjatë vizitës në Fushë Kosovë, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim të zgjeruar me përfaqësues të pushtetit vendor, të partive politike, shoqatave, komuniteteve fetare, si dhe qytetarë të kesaj komune, ku merrte pjese dhe Administratorja e UMNIK-ut për Fushë Kosovën. Në fillim të takimit, kryetari i Komunës përshëndeti dhe falënderoi kryeministrin Berisha për këtë vizitë, në emër të gjithë qytetarëve të Fushë-Kosovës.

Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri Berisha theksoi: "Jam thellësisht i impresionuar nga ky takim me ju, burra dhe gra të mençur, njerëz shpirtmëdhenj, që e keni shndërruar Fushë Kosovën në simbol të mirëkuptimit, të harmonisë, të bashkëjetesës njerëzore, të respektit ndaj njëri-tjetrit, ndaj gjuhës, mendimit, ndaj identitetit kombëtar të gjithësecilit. Shnderrimi juaj është i madh jo se nuk ekziston ky mirekuptim në vende të tjera të Ballkanit, por ju keni një meritë shumë të madhe, pasi në asnjë vend tjetër të Ballkanit plagët nuk kanë qenë më të mëdha se këtu".

Më tej, kryeministri vlerësoi se qytetarët e Fushë Kosovës kanë dëshmuar se në shpirtin e tyre ka një kod të thellë njerëzor, mbi të gjitha kodet dhe kushtetutat, kodin e paqes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në emër të së ardhmes së Kosovës dhe Ballkanit në tërësi.

"Dua të theksoj një moment. Megjithëse jemi popull që kemi vuajtur nga padrejtësia historike, nga regjimet dhe ndëshkimet e pamerituara dhe të rënda, sot kemi një qëllim, të bashkohemi me komunitetin e vendeve të zhvilluara të Europës. Shqiptarët, maqedonasit, serbët, malazezët, të gjithë kanë këtë synim. Me shumë të drejtë ne kërkojmë të bashkohemi me këto vendeve, por para së gjithash duhet t'u faktojmë atyre se ne duam dhe kemi vullnetin të integrohemi", nënvizoi kryeministri, duke theksuar se vendet europiane nuk mund të na afrojnë, në rast se ne nuk bashkohemi dhe përkrahim njëri-tjetrin.

Duke u ndalur në çështjen e respektimit të të drejtave të minoriteteve, kryeministri Berisha vuri në dukje se kjo është një cështje shumë themelore. Respektimi i pakicave është treguesi më i ndjeshëm i lirive dhe i drejtave të një shoqërie në tërësi. "Unë dua t'ju siguroj, ashtu siç kam theksuar në të gjitha takimet e mia me udhëheqjen politike të Kosovës, se pika e parë në axhendë është respektimi i lirive dhe të drejtave të minoriteteve. Dhe ky është interesi jetik i të gjithë qytetarëve të Kosovës, ky është interesi jetik i qytetarëve shqiptarë kudo në Ballkan", vijoi zoti Berisha.

Kryeministri përgëzoi kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës që me mencuri dhe përkushtim ka drejtuar këtë zonë. "Uroj që këtë eksperiencë të shkëlqyer ta përvetësojnë dhe ta përhapin të gjitha këshillat komunale në Kosovë", tha Kryeministri Berisha .

Kryeministri ftoi dhe komunitetin serb në Kosovë të frymëzohet nga shembulli i Fushë Kosovës. "Ky është një shembull i shkëlqyer dhe dua të theksoj se këto raporte njerëzore midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë janë jashtëzakonisht të rëndësishme për raportet midis kombit shqiptar e kombit serb me kombet e tjera", u shpreh kryeministri.

"Diktaturat i shpërfytyrojnë njerëzit. Për ta ilustruar këtë gjë dëshiroj t'u tregoj dicka që më ka mbetur në mendje nga fëmijëria ime. Një ditë isha ulur diku dhe po lexoja një libër dhe shikoj tej në luginë një njeri që po vraponte. Nga pas i vinin dy njerëz që mundoheshin ta qëllonin me automatik. U tmerrova. Po e ndiqja me sy dhe për çdo hap që hidhte gëzohesha që po shpëtonte. Pasi vrapoi edhe pak, ky njeri arriti të futej në pyll, ku fatëmirësisht ata që e ndiqnin nuk mundën ta shikonin. Dhe kështu ai shpëtoi. E vërteta e hidhur ishte se ky njeri ishte një bari kosovar, i cili po mundohej të kthente bagëtitë në shtëpinë e tij, ndërsa ata që po e ndiqnin ishin ushtar të kufirit shqiptar. Prandaj dhe duhet të përpiqemi të çlirohemi nga kjo trashëgimi dhe të shohim të sigurt përpara, drejt të ardhmes. Na takon ne shqiptarëve, kudo që jemi, të falim, të respektojmë pakicat dhe të krijojmë kushte për bashkëjetesë", theksoi kryeministri Berisha. Ai tërhoqi vëmendjen se ky proces duhet të përmirësohet vazhdimisht dhe për këtë duhen programe serioze.

"Edhe njëherë të përshëndes përzemërsisht banorët e Fushë Kosovës dhe dua t'i garantoj se me gjithë mundësitë e mia do të punoj për respektimin dhe garantimin e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri, Kosovë dhe kudo.

Unë ju shpreh urimet më të mira, me bindjen se me këto qëndrime, ju po ndihmoni imazhin europian të Kosovës", përfundoi fjalën e tij kryeministri Berisha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›