Kryeministri Berisha në Kavajë: Ne shkojmë në 28 qershor drejt fitores më të madhe në historinë tonë

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje një takim me qytetarë të Kavajës. Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
“Të nderuar qytetarë dhe qytetare të Kavajës,
vëllezër dhe motra,
qytetarë të fitores,
Ju sjell përshëndetjet më vëllazërore nga Vlora, nga Saranda, Gjirokastra, Peshkopia, Tirana, Kruja, Fushë Kruja, Tropoja, Kukësi, Kruma, Shkodra dhe nga mbarë Shqipëria.
28 qershori është dita juaj, dita e shpirtit tuaj të lirisë, dita e idealit tuaj evropian. Këtu në këtë shesh, flaka e lirisë nuk u shua kurrë, ndaj dhe ne shkojmë në 28 qershor drejt fitores më të madhe në historinë tonë.
28 qershori është dita e ëndrrës sonë evropiane, e aspiratës shekullore të shqiptarëve, është dita e projektit tonë të Kavajës evropiane, të Shqipërisë evropiane.
28 qershori do te jete dita e bashkimit të madh të shqiptarëve drejt idealit te tyre evropian, është dita në të cilën Shqipëria do të vendosë për veten, për ëndrrën, për të ardhmen e saj. Kavaja blu, Shqipëria blu, fitorja blu!
Qytetarë të Kavajës,
Nga ky shesh, sheshi i fitores dhe idealit evropian, ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, të bashkohemi më 28 qershor, ashtu siç u bashkuam më 22 mars. Të votojmë së bashku për ëndrrën tonë evropiane. Shqiptarët, pavarësisht nga bindjet politike, duhet të bashkohen sepse për të bërë realitet ëndrrën evropiane, për Kavajën evropiane, për Shqipërinë evropiane. Të bashkohen për të ardhmen e tyre të ndritur që meritojnë.
Qytetare dhe qytetare të Kavajës,
Le t’i ftojmë mbarë shqiptarët, të votojmë së bashku dhe i garantojmë ata, se ashtu siç shndërruam në realitet ëndrrën euroatlantiste të shqiptarëve, do të shndërrojmë në realitet ëndrrën evropiane të tyre. Le të votojnë ata për të qenë fytyra kryesore e projektit tonë evropian. Në katër vite do të krijojmë 160 mijë vende të reja pune. I garantojmë ata se, në katër vite do të rrisim rrogat dhe pensionet më shumë se të 6 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i garantojmë ata se në 4 vite, në Kavajë dhe në mbarë Shqipërinë, do të kemi rrugë të reja moderne, ujë 24 orë të garantuar.
Fermerët e Kavajës dhe të mbarë Shqipërisë i garantoj për barazim të pensioneve me ato të qytetit, për subvencionin e naftës dhe imputeve për sipërfaqe të mbjellë, për plotësimin e të gjithë projekteve për prodhimin dhe përpunimin e prodhimeve bujqësore.
Kavaja turistike është Kavaja evropiane, ndaj dhe unë ju garantoj, të dashur qytetarë dhe qytetare të Kavajës, një zhvillim të fuqishëm të Kavajës turistike, të Shqipërisë turistike.
Me 28 qershor, Kavaja voton 10-ën. 10-a me yll në ballë është Kavaja e fitores. Kavajasit do të votojnë 10-ën sepse 10 janë fëmijët e tyre të mrekullueshëm, 10 është ëndrra e tyre madhështore evropiane, 10 është Kavaja e pavdekshme, 10 është shpirti i tyre i lirisë, 10 është Shqipëria blu, 10 është Partia Demokratike, 10 është Evropa blu, e cila mezi ju, qytetarët e Kavajës dhe të mbarë Shqipërisë, që të lëvizni të lirë, pa viza, drejt Evropës
Më 26 qershor, të gjithë ju, burra dhe gra, të gjithë sa jeni këtu, ju presim në sheshin Skënderbej që të festojmë fitoren e madhe, 22 marsin e ri. Fitore!
23/06/2009