E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u ndal në disa çështje të procesit zgjedhor. Kryeministri u kërkoi ministrive dhe institucioneve të tjera, të angazhuara

Kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u ndal në disa çështje të procesit zgjedhor. Kryeministri u kërkoi ministrive dhe institucioneve të tjera, të angazhuara në këtë proces, të marrin të gjitha masat për përmbushjen me seriozitet dhe korrektësi të të gjitha detyrimeve ligjore për procesin zgjedhor.

"Dëshiroj të parashtroj para qeverisë, - u shpreh Kryeministri, - detyrimin tonë absolut ligjor e moral për të marrë të gjitha masat që ministritë dhe institucionet që kanë detyrime për procesin zgjedhor t'i përmbushin ato në mënyrën më serioze dhe korrekte.Çdo udhëzim e direktivë e KQZ-së është përparësia numër një për qeverinë dhe agjencitë e saj, në mënyrë që zgjedhjet e 20 janarit të zhvillohen në standartet më të mira."

Kryeministri bëri të ditur se qeveria ka angazhuar një fond prej 7 milion euro dhe është e gatshme të përballojë me mbështetje të plotë financiare procesin zgjedhor. Ndonëse, theksoi ai, vetëm financimi nuk është i mjaftueshëm. Në këtë drejtim, Kryeministri vlerësoi se Ministria e Brendshme duhet të rikrijojë të gjithë skemën e përdorur në zgjedhjet e fundit, si skema më e suksesshme në përmbushjen e detyrimeve nga Policia e Shtetit. "Policia, - u shpreh kryeministri, - përmbushi me përgjegjësi të madhe para vendit detyrat e saj. Nuk duhet të bëhen komente, duhet të dialogoni me të gjitha ato forca politike që janë të gatshme për dialog dhe zbatimi i kësaj detyre të bëhet me një konsensus sa më të gjërë në mënyrë që t'u japë garanci të plotë. Ndonëse duhet ta pranojmë se Policia e Shtetit e kaloi me notën më të mirë provën në zgjedhjet e fundit politike."

Kryeministri shprehu bindjen se të gjitha institucionet do të respektojnë rigorozisht ligjet e vendit.

Përsa i përket sigurimit të ambienteve për caktimin e qendrave të votimit, Kryeministri u shpreh se Ministrisë së Arsimit i është e kërkuar që të bashkëpunojë ngushtë me bashkitë dhe komunat e vendit për përcaktimin e qendrave të votimit dhe krijimin e kushteve. Tradicionalisht për këtë qëllim janë përdorur shkollat, u shpreh Kryeministri, duke shtuar se edhe pse kësaj radhe zgjedhjet zhvillohen të shtunën është i nevojshëm përdorimi i ambienteve të shkollave.

Duke u ndalur në çështjen e listës së zgjedhësve, Kryeministri informoi se ka nisur procesi i dorëzimit të listave, ku një numër i konsiderueshëm bashkish e komunash i kanë dorëzuar listat. Kryeministri vlerësoi se, për të siguruar transparencë të plotë në këtë proces, Zyra e Përgjithme e Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme duhet t'u dërgojnë ftesë me shkrim të gjitha partive politike që duan të jenë të pranishme në procesin e shënjimit të dublikatave. Kryeministri theksoi se kjo zyrë ka marrë porosi të mos i heqë, por vetëm t'i shenjojë dublikatat dhe t'ua dërgojë bashkive dhe komunave pët t'i hequr.

"Edhe këtë operacion, që do të ishte shënjim, identifikim i emrave në dublikatë, duhe ta bëjmë në mënyrën më trasparente të mundshme. Transparencë e plotë e mundshme është që krahas punonjësve të kësaj zyre, që do të punojnë për shënjimin e dublikatave, duhet të jenë edhe përfaqësues të forcave politike. Ndonëse kjo kërkesë e jona nuk u pranua asnjëherë gjatë 8 viteve të shkuara, përkundrazi dublikatat hiqeshin në ministri dhe e kuptoni mënyrën si hiqeshin, ne kemi vendosur që ata t'i shënjojnë vetë dublikatat dhe këtë shënjim ta bëjnë në prani të përfaqësuesve të partive politike. Transparencë e plotë në këtë operacion, të cilin softi i krijuar me OSBE-në e bën të mundur që të realizohet në shkallë kombëtare vetëm nga zyra e gjendjes civile, pasi duhet që të shkrihet e gjithë lista për të gjetur dublikatat. Heqja e dublikatave kësaj herë nuk do të bëhet nga zyra e gjendjes civile, në mënyrë okulte. Shënjimi do të bëhet në mënyrën më transparente dhe do t'u dërgohet bashkive dhe komunave që të bëjnë këtë operacionin sipas ligjit. Ky është një hap tjetër që siguron plotësisht transparencën e këtij standarti.

Dje, një zyrë, e kontrolluar nga PS-ja, në Tiranë, ka deklaruar se janë gjetur 150 certifikata, sipas të cilës, nga 3 mijë certifikatat pa numër serie që qenkan lëshuar. Ky fakt akuzon zyrën dhe zotërinë që e tha, i cili ka marrë përsipër të akuzojë veten. Në qoftë se kanë firmosur certifikata pa numër serie, është e mundur të kenë përfituar dashamirësit e tij", u shpreh Kryeministri.

Kryeministri informoi se do t'i propozohet KQZ-së që të konsiderojë jo të vlefshme për votim çdo certifikatë që nuk mban kodin e zonës dhe kodin e zyrës së gjendjes civile. "U kujtoj shqiptarëve, - u shpreh Kryeministri, - se në zgjedhjet e kaluara janë shpërndarë dhjetra mijëra certifikata pa kodin e zyrës së gjendjes civile. Ishin lëshuar për rrethin e Korçës dhe u përdorën në Tiranë. U bë një kaos që solli atë listë, por ne nuk jemi për kaos, por për trasparencën më të plotë. Prandaj edhe ky standart do të shkojë drejt transparencës të plotë."

Në emër të qeverisë, Kryeministri i bëri thirrje opozitës të angazhohet në arritjen e standarteve.

"Paragjykimi është mënyra më e keqe dhe jo produktive për të vepruar. Nuk mund të paragjykosh një standart që e ke në duart e tua, i cili në 90 përqind në Tiranë është në duart e minibashkive të drejtuara nga socialistët. Nuk mund të paragjykosh një standart, kur certifikatat në 90 përqind të tyre firmosen nga zyrat e gjendjes civile në minibashkitë që qeverisen nga qeveritarët socialistë.

Thirrja ime është e sinqertë. 20 janari është një ditë, para së gjithash, e shqiptarëve, është periudha dhe dita në të cilën më shumë se kurrë partitë politike shndërrohen në shërbëtorë të mekanizmit jetik të demokracisë, votës së lirë. Vota është e qytetarëve. Dita është e qytetarëve. Mekanizmi i votës së lirë, siç e ka provuar historia, është mekanizmi më i çmuar me të cilin qytetarët mbrojnë e garantojnë lirinë e tyre, ndërrojnë qeveritarët dhe votbesojnë vendimarrësit e tyre. Kjo është ftesa ime. Koha thërret të gjithë aktorët të marrin përgjegjësitë e tyre."

Kryeministri theksoi se "qeveria është e vendosur të plotësojë çdo kërkesë të opozitës, çdo kërkesë të KQZ-së, të qeverisjes vendore, të përmbushë të gjitha detyrimet në mënyrë që standartet e zgjedhjeve të jenë të standarteve ndërkombëtare, standarte të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kjo është ftesa e qeverisë. Uroj që të gjejmë mirëkuptim."

Lidhur me datën e zgjedhjeve, Kryeministri rivlerësoi se datën nuk e përcakton qeveria, por Kushtetura dhe ligji. "Dita e zgjedhjeve është kërkuar të shtyhet që para 6 muajsh dhe në këto 6 muaj së paku 600 herë. Data është e Kushtetutes dhe e ligjit. Një gjë është e sigurtë se kjo qeveri, as me ligj dhe Kushtetutë, nuk ka asnjë lidhje me datën e zgjedhjeve.

Në të kundërt, gjatë gjithë këtyre muajve Presidenti, jo se nuk ka treguar paanësi, por ka anësuar me KQZ dhe me të gjitha me krahun tjetër. Por ne nuk kemi ceduar në respektimin e Kushtetutës. Nëse do të kishte ndonjë çështje anësimi, nuk shoh ndonjë arsye që ky President të anësonte nga ana e maxhorancës, sepse nuk e ka bërë këtë. Por duhet të shohim përpara dhe këto gjëra t'i arkivojmë.

Datën e ka caktuar një President, me të cilin, faktikisht, opozita ka patur qartësisht anësimin e tij. Ndaj dhe datën në mënyrë absolute e kemi të panegociueshme. Datat e zgjedhjeve i shtyjnë regjimet totalitare, regjimet diktatoriale. Ata tregojnë se mekanizmi i zgjedhjeve qendron jo në ligj dhe Kushtetutë, por në tekat dhe vullnetet jo të mira."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›