E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëbisedimi i kryeministrit Berisha me maturantë të gjimnazeve dhe shkollave të mesme të zonave përreth Tiranës

Kryeministri Berisha, në vijim të takimeve me të rinjtë, zhvilloi sot një bashkëbisedim me maturantë të gjimnazeve dhe shkollave të mesme të zonave përreth Tiranës, nga Kamza, Mulleti, Baldushku, Paskuqani dhe Zall Herri. Në këtë takim, i cili u zhvillua në gjimnazin e ri “Ibrahim Hasmema”, në komunën Petrelë, Kryeministri Berisha u shpreh se ndihej i kënaqur që ndodhet aty për të bashkëbiseduar me të rinjtë, për programin e ardhshëm  të Partisë Demokratike, i cili ka dhe do të ketë në epiqendër të rinjtë dhe të rejat e vendit, shkollimin sa më cilësorë të tyre, punësimin në punëra sa më të mira të tyre, një jetë më cilësore dhe një të ardhme Europiane.

Në nisje të bashkëbisedimit, kryeministri Berisha u shpreh:

“Së  pari ju përshëndes shumë përzemërsisht, ju, shoqet tuaja, shokët e klasave tuaja, familjet tuaja dhe mësuesit tuaj. Shpreh kënaqësinë që unë jam sot këtu të bisedoj më ju, për programin tonë të ardhshëm, i cili ka dhe do të ketë në epiqendër të rinjtë dhe të rejat e vendit, shkollimin sa më cilësor të tyre, punësimin në punëra sa më të mira të tyre, një jetë më cilësore dhe një të ardhme Europiane.  Ne kemi tek ju mbështetjen më kryesore në këtë vend dhe ndihemi krenarë me mbështetjen tuaja, ndihemi të detyruar të bëjmë gjithçka, që ju të arrini të shndërroni në realitet ëndrrat tuaja, që janë dhe projektet më të bukura për veten tuaja, për familjen dhe vendin.

Rastis që ky takim ndodh në një ditë shumë të veçantë dhe kjo është dita e librit, si një mik i pasionuar që në vitet më të hershme të fëmijërisë sime dhe deri më sot pas librit, unë dua t’ju them dy fjalë për librin dhe vlerën e tij. Në mënyrën më miqësore ju këshilloj të bëni çdo gjë, për të patur raportin më të ngushtë me librin. Ne çfarëdo pasioni që të jeni, sepse unë jam i vetëdijshëm se disa nxënës, disa fëmijë, student  janë më të apasionuar pas shkencave teknike dhe më pak, pas shkencave shoqërore. Ata që janë më të apasionuar pas shkencave shoqërore  kanë pasion më të madh për të lexuar libra letrarë, histori apo libra të tjerë.  Ata të shkencave teknike  kanë pasion për tu orientuar drejt këtyre shkencave dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme. Por një gjë dua tu them, në këtë moshë, por edhe në moshë më të vegjël se ju, asgjë nuk ju jep ju pushtet më të madh, sesa libri.  Libri dhe leximi i tij , bota e tij janë dhe do të mbeten gjithë jetën, me të vërtetë mjete të fuqishme në realizmin e qëllimeve tuaja.  Asgjë nuk ushqen trurin, asgjë nuk ushqen intelektin, asgjë  nuk ushqen zhvillimin mendor,  më shumë se libri dhe çdo libër i mirë që ju lexoni hap një dritare në fakultetet  e pafundme të trurit dhe intelektit  të njërit.  Shkon një tullë në botëkuptimin e tij. Ndikon shumë fuqishëm në formimin e tij. Maturon njeriun, arsyen, logjikën, dijen e tij më shumë se çdo gjë tjetër. Kur vështroj prapa, fëmijëria ime ka qenë shumë e ndryshme  nga kjo që keni ju sot, por gjithnjë i them vetes se unë kam patur fat të madh që kam pasur pasion libri dhe kur vështroj prapa dhe bëj analizën e jetës sime, përsëri arrij në përfundimin, se nuk kam pasur në jete aleat më të fuqishëm, më të shkëlqyer sesa libri. Në periudhën time nuk ishe e lehtë të gjeje libër të mirë, kurse sot e tërë letërsia e botës gjendet në libraritë dhe bibliotekat e vendit. Unë kam qenë student, kisha mbaruar, ishte shumë e vështirë të merrnim një kategori librash, sepse jepeshin vetëm me autorizime nga Biblioteka Kombëtare, apo biblioteka të tjera, sepse ishin të ndaluara. Megjithatë mund tu them se beteja për të gjetur libra ka qenë gjithnjë e suksesshme, gjendeshin libra. Asgjë si shërben njeriut më shumë. Sigurisht që ju sot lexoni shumë më tepër sot, sepse lexoni edhe në internet, lexoni në të gjitha format. Një këshillë miqësore, sepse jemi në ditën e librit, duhet të lexoni  sa më shumë letërsi shqiptare. Pse jua them këtë?  Jua them këtë, sepse nëse ka një fushë ku ne duhet të jemi shumë krenarë, është letërsia.  Sot ne kemi shkrimtarë dhe poet  të rangut botëror.  Unë nuk jam kritik letrarë, por ju siguroj se Kadare sot është njëri ndër më të mëdhenjtë, në mos më i madhi . Pra ne kemi një monument letërsia që ngrihet në të gjitha lartësitë. Nuk është vetëm Kadareja, janë shkrimtarë të tjerë, të cilët kanë botuar vepra dhe ribotuar në shumë vende të botës. Ne kemi një letërsi, në të cilën çdo njëri prej jush me të drejtë mund të krenohet. Ne kemi dhe kemi patur përkthyes gjenial. Unë ju siguroj ju, se nëse lexoni Shekspirin në anglisht dhe në shqip, ju do të gjeni strofa të tëra, ku në shqip është më e fuqishme se në anglisht  dhe në strofa kulmore, pasi Noli ishte një Shekspirian gjenial, ose përkthyesit e tjerë si Skënder Luarasi, Vedat Konona, Robert  Zhvarc. Ka përkthime të Lasgushit.  Lasgushi është një lirik i jashtëzakonshëm, sa më shumë ta lexoni, aq më i juaji bëhet. Po të lexosh përkthimet që i ka bërë Robert Bernsit,  tingëllojnë më poetike  sesa në origjinal tek Bernsi, ose “Rubairat”, po të lexon Omar Khajami  e përkthyer nga Noli dhe po të lexoni  Omar Khajami  e përkthyer në anglisht nga Edward Fitzgerald,  që në anglisht mbahet një nga më të mirët, padyshim që Noli është më i miri. I them këto që këtë trashëgimi të madhe që ne kemi duhet ta gëzoni, duhet ta shfrytëzoni. Ne kemi shkrimtar  si Ali Podrimja. Po të lexoni Ali Podrimen dhe historinë e tij është e jashtëzakonshme. Unë e di që ju lexoni, por sot fola këtu tek ju si një mik i librit dhe këtu shumë nga ju janë  miq të librit, prandaj dhe le të urojmë dhe të shprehim të gjithë mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që nëpërmjet  librit kanë bërë të mundur pasurimin tonë të madh intelektual dhe shpirtëror.

Qëllimi i këtij takimi është të dëgjoj zërin tuaj. Çfarë mendoni ju se duhet bërë më shumë, që ju të bëni reale ëndrrat tuaja të bukura, çfarë sugjeroni ju që qeveria dhe shoqëria duhet të bëjnë më shumë për shkollimin tuaj më cilësor.  Ne e konsiderojmë shkollimin jashtëzakonisht të rëndësishëm. Konsiderojmë shkollimin tuaj gjënë më serioze të një kombi, të një familjeje, të një shoqërie dhe në këtë periudhë kemi bërë përpjekje të mëdha për rindërtimin dhe ndërtimin e një infrastrukture moderne, që ju të uleni në klasa dhe në shkolla të denja për ju, të standarteve më të mira. Kemi bërë përpjekje të mbështesim mësuesit, që ata të kenë të gjithë mundësitë për misionin e  tyre fisnik. Kemi bërë përpjekje dhe kemi arritur, që përqindja e fëmijëve, që kalojnë nga klasat e nënta në shkollat e mesme, të rriten dhe sot është 92 përqind. Kemi bërë përpjekje të mëdha, që të  modernizojmë me laboratorë  internet çdo shkollë.  Kemi bërë përpjekje me maturën shtetërore, të përcaktojmë një procedurë transparente dhe të ndershme në pranimet në universitete. Është trefishuar numri i studentëve. Shumë mbetet për të bërë, për rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Akoma më shumë mbetet për të bërë  për punësimin tuaj, pasi ju përfundoni shkollën e mesme, apo të lartë sipas dëshirës.  Për këtë ne përcaktuam disa rregulla specifike.  Do të heqim çdo lloj takse apo tarife për çdo të ri tre vjet  e para të punës, në mënyrë që sipërmarrësit të inkurajohen për punësimin tuaj. Do të zhvillojmë një sistem klasifikimi  për të mbështetur financiarisht projektet tuaja, natyrisht  mbi bazën e plan bizneseve.  Qeveria do të marrë përsipër shpenzimet për trajnimin dhe kualifikimin tuaj.  Shkolla në vetvete ka disa avantazhe për njeriun. Së pari është një edukatë e tërë e bazuar mbi dijen, mbi vlerat. Shkolla i jep profesionin studentit dhe profesioni është përkushtimi i jetës së njeriut. Shkolla rrit shumë shanset e punësimit dhe i dyfishon shanset e punësimit për të riut dhe pothuaj dyfishon rrogën që ai merr i shkolluar dhe me diplomë,  krahasuar me një të pa shkolluar dhe pa diplome. Kjo pothuaj nuk mjafton, sepse jo gjithnjë ndodh një përshtatje e plotë mes shkollës dhe tregut. Tregu ka një dinamizëm të pa përmbajtur. Ne patëm në themel  lirinë e njërit dhe interesin e tij.  Ai është një energji në vetvete ndër më të fuqishmet. Sistemi arsimor bën gjithçka për ta ndjekur, por asnjëherë nuk ka arritur të përshtatet  plotësisht. Ndaj dhe pas shkolle lind nevoja për trajnime, për kualifikime dhe ne synojmë që ta marrim përsipër për ju, për të rinjtë, të heqim ne shpenzimet për çdo të ri, që sipërmarrësit kërkojnë të kualifikohen para se ta marrin në sipërmarrje. Kemi një program real për ju, një program, i cili është në zhvillimi, një program në të cilin kemi faktuar dhe faktojmë se për ne shkollimi është gjëja më serioze e kombit dhe ne i qëndrojmë kësaj.

Unë këto kisha dhe do të dëgjoj me kënaqësi zërin tuaj, mendimet tuaja, sugjerimet tuaja, çdo gjë që ju doni ta shprehni dhe kërkoj nga ju ta shprehni shumë lirshëm. Unë nuk vij këtu si kryeministër, unë vij këtu si njëri prej jush për të dëgjuar zërin tuaj. Përveç  kësaj unë kam një avantazh tjetër.  Unë kam dhënë mësim 23 vjet në universitet dhe dua tu them se kam ruajtur një komunikim gjithmonë shumë korrekt dhe e kam quajtur shumë të rëndësishëm komunikimin më studentët , por prapë nuk kam ardhur si pedagog këtu, kam ardhur t’ju dëgjoj ju dhe të më ndihmoni mua në mënyrë që programi të jetë sa më i mirë, tu përshtatet sa më shumë kërkesave nevoja tuaja, perspektivës suaj, shndërrimit të përpjekjeve tuaja për të shndërruar ëndrrat e bukura që ju keni në realitet.

 -Përshëndetje  z. Kryeministër. Unë jam një maturante e gjimnazit  “Ibrahim Hasmema” Mullet. Pas liberalizimit të vizave ashtu si shumë shqiptarë edhe unë kam përfituar të takoj të afërmit e mi emigrant dhe të bëj një sërë punësh të tjera. Pyetja ime është, po anëtarësimi në Bashkimin Evropianë, çfarë të mirash na sjell neve?

Kryeministri Berisha: Anëtarësimi në Bashkimin Evropian garanton për secilin prej nesh, një konsolidim të lirive tona.  Pse kjo?  Bashkimi Evropian është bashkim mbi bazën e vlerave.  Vlerave që vendosin këto kombe të ndajnë njëra me tjetrën dhe këto vlera janë para së gjithash vlerat e lirisë, e respektimit, garantimit të lirive tuaja. Pra e konsolidimit të shtetit ligjor me qëllimin më kryesor mbrojtjen dhe garancinë e këtyre lirive. Pra së pari bëheni më të lirë.  Bashkimi Evropiane dhe e ardhmja jonë Europiane, është e ardhmja në të cilën qytetarët shqiptarë do të jenë më të mëkëmbur se kurrë dhe do të mund të mëkëmben më të shpejtë se kurrë. Në këtë bashkim standardet e jetesës janë më të lartat, se në çdo bashki tjetër shtetesh mbi tokë.  Pse kështu, pse janë më të larta? Sepse ka një politikë shumë të përcaktuar të ndihmës dhe solidaritetit edhe për ata, të cilët kanë më pak ose nuk kanë. Ka një politikë, e cila kërkon dhe imponon të bëhet gjithçka për punësimin e qytetarëve si mekanizëm kryesor. Ka  një politikë, që të bëhet gjithçka për paga më të mira për qytetarin.  Ka një politikë dhe fonde të mëdha për të ndërtuar infrastrukturën më moderne, në mënyrë që qytetari shqiptarë si qytetar Europian të gëzojë ,të këtë rrugët, ujësjellësat, kanalizime, shkolla , shërbime të cilësive më të larta. I gjithë ky proces është proces, i cili realizohet nëpërmjet plotësimit të kërkesave, d.m.th janë kërkesa që diktojnë çdo vend, se cilat janë ligjet më të mira për të mbrojtur të drejtat e njërit, se cilat janë praktikat më të mira për të bërë që gjykata të jenë profesionale, se cilat janë praktikat më të mira për të bërë që të burgosurit të kenë trajtimin që meritojnë njerëzor, që të sëmurët të kenë trajtimin që meritojnë spitalor dhe shëndetësor. Në këtë proces ne i marrim shumë seriozisht këto kërkesa. Ju përmendët vizat. Sa kanë qenë kërkesat do të thoni ju?  120 kërkesa duhet të plotësonim ne, që të meritonin heqjen e   vizave dhe ne i morën një nga një në mënyrën më serioze. Ishin ligje, ishin sisteme  IT të avancuara ishin sisteme të tëra dhe ne i plotësuam ato. Po në këtë proces, ne bëmë gjithçka për statusin e vendit kandidat dhe ia dolëm që reformat tona të lejojnë marrjen e statusit të vendit kandidat. Komisioni Europian, i cili mbikëqyr me hollësi të gjitha reformat që ne bëjmë, mbikëqyr me hollësi zbatimin e këtyre reformave, nëse këto reforma zbatohen dhe përfitojnë qytetarët prej tyre. Komisioni i pa të gjitha këto dhe rekomandoi  në tetor se Shqipëria ka plotësuar kushtet, por deklaroi të votohen tre ligjet dhe kjo ishte një provë shumë qëllimmirë. Qëllimi i saj ishte që qeveria dhe opozita me votimin sëbashku të këtyre tre ligjeve ju dëshmonin shqiptarëve  qëllimin e tyre të përbashkët për integrimin, por ndërkohë opozita merrte kreditet  e  veta duke votuar këto tre ligje. Opozita në vend që ta përdorte këtë për tu angazhuara në një mirësi  ndaj qytetarëve,  e përdori në të kundërt, nuk votoi tre ligjet dhe ato ligje janë në parlament që nga janari i vitit 2012, presin votën. Pra interesat më të ngushta dhe të paimagjinueshme shtyjnë bllokimin e tyre. Këto ditë dhe në facebook komentova. Po ju them se marrëveshja që u arrit midis Kosovës dhe Serbisë është një marrëveshje jashtëzakonisht e rëndësishme, në radhë të parë për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për të gjithë ne, për çdo shqiptarë është historike. Çfarë deklaroi pala serbe që firmosi dhe njohu integritetin  e territorit të Kosovës , jo njohën e shtetit por të integritetit territorial të Kosovës, të cilën e konsideronte pjesë të saj më parë. Pse e bëri këtë deklaroi kryeministri i Serbisë?  E bëmë këtë tha ai, sepse zgjodhëm rrugën Europiane, për ndryshe ne ishim të bllokuar. Kurse ne që nuk kimi asnjë problem të tillë, ne në Shqipëri nuk votojmë tre ligjet. Sigurisht fitimi është shumë i madh po të ishin votuar ligjet. Së pari do të trefishonte fondet e Komisionit Europian për infrastrukturën në Shqipëri, së dyti ju do të kishit të drejtë  të aplikonit në të gjitha universitet e vendeve të Bashkimit Evropian  dhe të punësoheshit për kohën që studioni, së treti të gjithë emigrantët  tanë pasi ne jemi komb emigracioni është realiteti ynë i hidhur, se nëse vendet e tjera ish komuniste kur u rrëzua sistem iu larguan nga veni 5-6 përqind e qytetarëve, nga Shqipëri u larguan 28-30 përqind. Ju jeni të rinj, por po të ktheheni ka pamjet më të lemerishme që mund të ekzistojnë, janë anijet e mbushura  me të rinjtë që largohen nga Shqipëria për kafshatën e gojës. Tani këtyre emigrantëve, nëse Shqipëria merrte statusin e vendit kandidat u njiheshin vitet e punës për efekt pensioni dhe ata nuk jua njohin për faktin e vetme, se Shqipëria nuk ka këtë status. Statusi do të kishte një rëndësi tjetër shumë më të madhe, do të kishte potenciale shumë të mëdha punësimi, sepse nëse Shqipëria sheh që është anëtare  NATO-s ka edhe statusin e vendit anëtarë të  Bashkimit Evropian, kjo do të bënte një motiv shumë më të madh, që të vijë dhe të investojnë në Shqipëri , por zgjedhjet po vijnë dhe unë jam i bindur se shqiptarë do të bëjnë zgjedhjen e  tyre. Është e lehtë të flasësh për Shqipëri  Europiane po të bllokosh integrimin Europian. Nuk ka asgjë më qesharake nëse flet për Shqipëri Europiane voto ligjet. Ka një domosdoshmëri votimi i këtyre ligjeve, u lanë për pazare, por politika duhet të ketë moral dhe jo pazare. Tani thotë që do ti votojmë dhe ne jemi dakord që nesër ti votojmë, por ama thotë tani, pasi kaloi afati për të bërë raportin e  ri për Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian dhe për t’iu njohur Shqipërisë statusit. Kjo është e vërteta. Megjithatë zgjedhjet po vijën dhe unë jam shumë i sigurtë, që shqiptarët do të thonë fjalën e tyre me votën e lirë.

 -Jam një maturante nga gjimnazi “Ibrahim Rugova”. Jam shumë e lumtur që ju takoj këtu, në një shkollë me një infrastrukturë të tillë bashkëkohore. Faleminderit që na i keni mundësuar këto kushte. Ne si maturantë synojmë të vazhdojmë shkollën e lartë, por ajo ka shumë shpenzime. Dëgjuam se qeveria do të ofrojë kredi për të rinjtë, me qëllim vazhdimin e studimeve të larta. Kjo do të ishte një mundësi shumë e mirë për ne?

Kryeministri Berisha: Ju falënderoj për çështjen që ngritët. Së pari, ne në këto vite kemi ndërtuar ose rindërtuar, si gjimnazin ku ju studioni edhe si kjo shkollë, 1302 shkolla dhe shumë të tjera janë në ndërtim. Koncepti ynë është: shqiptarët kudo që jetojnë duhet të kenë infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve. Fëmijët e tyre duhet të kenë shkolla të njëjta me lagjet e qyteteve, duhet të kenë kushte të njëjta. Ndaj dhe ne do t’i përmbahemi këtij koncepti për sa kohë jemi në pushtet. Në mandatin e ardhshëm kemi plan për të rindërtuar të gjitha shkollat që kanë mbetur dhe që presin për t’u rindërtuar, por që janë një numër shumë më i kufizuar.

Së dyti, jam dakord me ju se fee për universitete duhet të jenë më të lira. Unë jam i vetëdijshëm se në qoftë se për një pjesë të studentëve ato janë lehtësisht të përballueshme, për një pjesë tjetër ato janë qartësisht problematike. Në këtë kontekst, ne bëjmë një mbështetje ndaj fëmijëve të atyre që janë të papunë, atyre që janë me ndihmë ekonomike dhe disa kategorive të tjera. Më të mirëve në mësime u japim bursë. Unë mendoj se kjo është një zgjidhje e pjesshme. Zgjidhja e plotë është vendosja e një sistemi kreditimi me të cilin studenti përballon fee-të që paguan në universitet dhe detyrohet që këtë kredi të fillojë ta shlyejë pasi të ketë bërë një apo dy vite punë. Mendoj se ky mekanizëm do të jetë një lehtësim real për familjet shqiptare. Unë dua t’ju garantoj se pavarësisht nga një tendencë shumë e fuqishme për të rritur fee-të e shkollimit, Kryeministri ka bërë gjithçka që ato të mos rriten më shumë se inflacioni, duke pasur parasysh faktin se ato rëndojnë buxhetin e familjeve. Ne jemi këtu në një zonë të mrekullueshme turistike, e cila është edhe qytet edhe zonë rurale, dhe nuk ndjehem fare mirë kur mendoj se për të përballuar fee-të e vajzës apo të djalit ka familje në fshat që duhet të shesin lopën. Sigurisht, t’ju them që nuk duhet fee, nuk qëndron, sepse universiteti duhet të mbahet, duhet të ketë një autonomi. Atëherë, ne do të krijojmë një sistem kreditimi dhe barra mbi familjet do të jetë shumë më e vogël. Po ashtu edhe përkushtimi i studentëve do të jetë ndoshta më i madh, duke ditur që kanë detyrim shtesë. Ata do të jenë më të përkushtuar edhe për të studiuar, por edhe për të gjetur më pas një vend pune në mënyrë që të shlyejë detyrimin.

 -Jam maturante nga Shkolla e Mesme e Bashkuar, Baldushk. Duke ju falënderuar për subvencionimin që i është bërë nxënësve të arsimit bazë, atyre nxënësve që kanë shtëpinë larg shkollë, jam e interesuar për subvencionimin që do të na bëhet neve maturantëve ose studentëve të ardhshëm për abonetë e linjave urbane të qarkut Tiranë?

Kryeministri Berisha: Unë ju garantoj se kjo do të realizohet. Shqetësimi që ju ngrini nuk është i ri për mua. Këtë shqetësim ma kanë ngritur të rinjtë edhe në Kashar dhe do të marrë zgjidhje të plotë. Ku qëndron problemi? Ne duhet të përllogarisim kostot. Ne nuk duam që të dëmtohet asnjë kompani transporti, por duam që të ketë një kod moral të caktuar fitimi. Me llogaritjen e kostos së transportit do të jetë subvencion direkt ndaj tyre apo në formë tjetër, por kompani transporti që nuk respekton kartën e studentit nuk do mund të qarkullojë. Kjo do të thotë që komuna, bashkia, qeveria, dikush do t’i përgjigjet atij për humbjen që i krijon karta e studentit. Çmimi për studentët është më i ulët. Kjo do të zgjidhet patjetër. Se ju keni të drejtë, pasi është shumë e këndshme që të ndiqni universitetin në Tiranë dhe pasdite të ktheheni në ajrin e pastër të Baldushkut. Kjo është plotësisht e mundshme. Transporti do të vijë duke u modernizuar, por çështja e kartës së studentit do të merret në mënyrën më serioze.

  -Zoti Kryeministër, kënaqësi që ju takoj përsëri dhe ju falënderoj për shkollën e mrekullueshme, shkollën e Mesme Profesionale që keni ndërtuar në Kamzë, tashmë me status kombëtare. Jam maturante e profilit shërbimi social shëndetësor. Një pjesë e maturantëve të kësaj shkolle do të  vazhdojnë studimet e larta, por një pjesë, për arsye të ndryshme, nuk do të munden. Cila do të jetë politika që do të ndjekë qeveria juaj e ardhshme në lidhje me biznesin, në mënyrë që ky biznes të mirëpresë këta nxënës, tashmë të kualifikuar dhe të profilizuar?

Kryeministri Berisha: Politika jonë do të jetë inkurajim nëpërmjet masave mbështetëse të punësimit të këtyre të rinjve. Në Kodin e Punës ju llogariteni krah pune që në moshën 15 vjeçare. Ata zotërinjtë nuk pranuan që ju të votonit në moshën 16 vjeçare, por kjo është çështje frike nga vota. Sidoqoftë, unë betejën do ta vazhdojë, por tani jemi te punësimi. Ne do të bëjmë gjithçka që nëpërmjet kurseve të kualifikimit që punëmarrësit duan për punonjësit e rinj, t’i marrim përsipër ato, të paguajmë ne shpenzimet dhe ata të marrin edhe të rinj edhe të mirëkulifikuar në vendet e punës. Për tre vite nuk do të kenë asnjë detyrim, as sigurime shëndetësore, as sigurime shoqërore apo të tjera. Të gjitha do t’i paguajë shteti. Ne do të ngremë në shkallë vendi një sistem mikrokrediti. Nesër fillon bashkia e Tiranës, e cila ka krijuar një fond ku të rinjtë paraqesin projekte me biznes-planin e tyre. Vlerësimi i këtyre mbi bazën e hartimit të këtij biznes-plani, si edhe parashikimit nëse është i drejtë dhe mund të ecë, do të marrin kredi për të punësuar veten dhe më pas për të zgjeruar këtë biznes, për të punësuar të rinj të tjerë. Besoj se sistemi i mikrokreditimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të krijuar vende pune për të rinjtë. Po këtë do të bëjmë edhe në fshat edhe në zonat rurale. Ai që do të krijojë fermën e tij, do të gjejë të gjithë mbështetje. Unë isha në Gjirokastër. Tek po pija kafe me miqtë e mi, një prej tyre më informoi se në komunën e tyre kishin sjellë një bimë nga e cila bëhej sheqeri organik. E shijova gjethen dhe ishte më e ëmbël se sheqeri. Ai më tha se në një dynym prodhon një vlerë prej 2000-5000 euro fitim. E dhashë këtë shembull, sepse biznesi po merr një përhapje shumë të madhe.

Ne kemi sot një biznes të fuqishëm në qytete, por ju garantoj se kemi një biznes shumë të fuqishëm edhe në zonat rurale. Po të shkoni në zonën e Kombinatit, ajo pothuajse është e tëra zonë industriale. Biznesi në zonat rurale po shtrihet gjithnjë e më shumë. Këto janë ndërhyrjet tona.

 -Jam maturant i gjimnazit “Ibrahim Hasmema” në Mullet. Duke ju falënderuar juve dhe qeverinë tuaj për shkollën tonë të re, doja t’ju pyesja nëse do të na krijohet mundësia për ndërtimin e një palestre dhe një këndi sportiv. Kjo do ta plotësonte edhe më shumë investimin tuaj madhështor për shkollën tonë? 

Kryeministri Berisha: Katërvjeçari i ardhshëm do të jetë katërvjeçari i një Plani Kombëtar për Sportin. Qeveria do të hartojë një plan, me të cilin synon të krijojë të gjitha kushtet për veprimtarinë fizike, ushtrimin dhe sportin. Një nga pikat, përveç të tjerave, është që ne do të ndërtojmë palestër dhe terren sportiv në çdo shkollë. Sikundër, dua t’ju informoj se orët e Edukatës Fizike do të rriten në mënyrë të ndjeshme. Një nga shkollat më të mira të botës është shkolla amerikane. Kjo shkollë ka tre lëndë themelore dhe të tjerat pak më anash. Lëndët themelore janë gjuha angleze, matematika dhe fiskultura. Unë e quaj shumë të drejtë, sepse shkolla duhet t’ju japë juve mundësi të kaliteni, të stërviteni fizikisht. Për njeriun është jashtëzakonisht e dobishme përpjekja e tij për të pasur një gjendje fizike të kënaqshme, i rrit shumë atij edhe kapacitetin e punës, të studimit, të përqendrimit dhe të gjitha. Ndaj ne e marrim shumë seriozisht këtë katërvjeçar Planin Kombëtar të Sportit, ku synojmë jo vetëm në çdo shkollë, por në çdo komunë, në çdo fshat të madh të kemi terrene sportive për të rinjtë. Kjo është e mundshme.

Dje ishte Dita e Tokës dhe së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës mbollëm pemë në një lagje. Pashë diçka të mrekullueshme, midis pallateve ishte ndërtuar një terren sportiv dhe gjeta të rinjtë e atyre pallateve që luanin në të. Një fushë basketbolli, volejbolli dhe anash saj e kishin rrethuar me stola. Po ta shihje më përpara, ai ishte një mjedis me shumë baltë dhe që banorët detyroheshin ti kalonin anash për të arritur në hyrjet e tyre. Tani i ishte bërë një transformim rrënjësor në sheshin e pallateve. U ndala këtu, sepse kur ekziston vullneti gjerat mund të bëhen. Unë ju siguroj se ajo është një përparësi e madhe e jona.

  -Jam një maturante në gjimnazin “Ibrahim Hasmema”. Zona jonë është një zonë mjaft turistike. Shpella e Pëllumbasit, Kalaja e Petrelës dhe ajo e Persiopit po vizitohen nga shumë vizitorë të huaj dhe vendas. Çfarë ka menduar të bëjë qeveria për turizmin në përgjithësi dhe në zonën tonë në veçanti, si do të angazhohen studentët e rinj në këto fusha?

Kryeministri Berisha: Turizmi është potenciali ynë më i jashtëzakonshëm. Në qoftë se mund të përdorej termi përrallor është e vërtetë që potenciali turistik i Shqipërisë është përrallor. Turizmi, fatmirësisht, është edhe bum-i më i madh që ka njohur ky vend në historinë e tij. Ne në vitin 2004 kemi pritur 300 mijë turistë dhe vizitorë, në vitin 2012 kemi pritur 4.7 milionë turistë dhe vizitorë. Detyra jonë është të bëjmë gjithçka për Shqipërinë turistike. Dua t’ju rrëfej se pas vitit 2005 ne u angazhuam menjëherë në përmirësimin e infrastrukturës së zonës, në mënyrë që Kalaja e Petrelës dhe kalaja e Prezës të jenë dy pika lehtësisht të arritshme nga turistët. Këto janë kala shumë të bukura, me shumë vlera, por një nga gjërat më unikale në Shqipëri është shpella e Pëllumbasit, një shpellë qindra mijëra vjeçare, me struktura gjeologjike shumë të veçanta. Unë isha këtu para një muaj dhe artisti i njohur shqiptar Gëzim Kame, i pasionuar pas shpellës, më shtroi të njëjtën pyetje - çfarë do të bëj qeveria? Qeveria do të bëj gjithçka që shpella të vizitohet nga sa më shumë dhe të ruhet sa më mirë. Ne do të ndërtojmë rrugën, rreth 3 - 4 kilometra, një rrugë me ndriçim dhe siç kemi ndërtuar deri tani rrugët, në mënyrë që njerëzit ta kenë një shëtitje shumë të bukur, të pasurohen me vizitën tek shpella.

Industria turistike është industria më me perspektive në Shqipëri, për rrjedhojë është edhe industria që punëson dhe do të punësojë më shumë shqiptarë. Llogaritet që në sezonin turistik ajo punëson direkt rreth 150 mijë, indirekt edhe më shumë. Zhvillimi i saj përbën një potencial të madh për punësimin e të rinjve. Ne kemi pritur 4.7 milionë turistë, por synojmë të bëjmë gjithçka që katër vitet që vijnë të arrijë në 7 milionë. Një sistem i tërë, i pafundmë shërbimesh të të gjitha llojeve është jetik për mbështetjen e kësaj industrie. Ne synojmë që të rrisim së paku edhe me 30 përqind punësimin në fushën e turizmit dhe, natyrisht, punësimin e të rinjve

  -Jam maturante nga gjimnazi i Kërrabës. Kurikula me zgjedhje e gjimnazeve kufizon mundësinë e zgjedhjeve tona, pasi numri i vogël i nxënësve bën që të mos formohen klasat. A ka ndonjë strategji për përqendrimin e gjimnazeve, qoftë edhe me shërbim konvikti?

Kryeministri Berisha: Qeveria është e gatshme dhe për këtë qëllim ndërtuam një zinxhir konviktesh nga Tropoja në Përmet, në të gjithë zonën verilindore dhe juglindore të vendit. Këtë e bëmë me qëllim që çdo fëmijë, kudo që ndodhet, në çdo skaj të vendit dhe që dëshiron të ndjekë shkollën e mesme të vijë në konvikt për të ndjekur shkollën. Në rastin konkret, unë ju siguroj se do ta diskutoj me ministrinë e Arsimit dhe drejtorinë përkatëse për t’i dhënë përgjigjen më të mirë shqetësimit që ju keni.

Më duket pak si burokratike që të pengojë numri i nxënësve kurikulën e karrierës, lëndën e karrierës, prandaj le ta shohim. Duhet edhe zgjidhje imediate. Sikundër, sistemi i konvikteve ekziston, por edhe ta shtojmë. Në disa vende kanë mbetur bosh, në vende të tjera funksionon shumë mirë. Unë isha në Krumë dhe funksiononte, në Kukës më thanë funksion, në Përmet po ashtu. Ne jemi për këtë sistem. Ky është një sistem që duhet. 

 -Në Europë ka shumë shkolla veriore që shërbejnë për arsimim e personave me aftësi të kufizuar apo personave që nuk mund të arsimohen gjatë vitit shkollor. Po ashtu dimë se në Shqipëri nuk ekzistojnë shkolla të tilla. Çfarë strategjie do të ndiqni në mandatin e ardhshëm që të kemi edhe ne një sistem arsimor të tillë, qoftë i përgjithshëm apo profesional, për këta individë?

Kryeministri Berisha: Unë mendoj se Shqipëria ka sot të gjitha kushtet për vendosjen e këtij sistemi pa asnjë vështirësi dhe ajo që shtroni ju është shumë e drejtë. Në qoftë se pak vite më  parë, kushtet ishin të pjesshme, sot janë absolutisht të plota, qoftë për formim profesional, qoftë të përgjithshëm. Kjo do të konsiderohet në mënyrën më serioze.

 -Siç e dimë matura shtetërore është një arritje e madhe e sistemit parauniversitar, por, nga ana tjetër, ka nxënës që shprehën të pakënaqur nga sistemi i vlerësimit me pikë të shkollave të komunës, në krahasim me ato të qytetit. Si mendoni t’i jepni zgjidhje këtij problemi?

Kryeministri Berisha: Në pamje të parë kjo ekziston dhe nuk është se unë personalisht nuk jam marrë me këtë problem. Qeveria duhet të bëjë gjithçka të zvogëlojë sa më shumë barrierat e diskriminimit. Në një analizë që bëmë nuk rezultonte me ndonjë ndikim të madh në shpërndarje. Sidoqoftë ju garantoj se ajo do të analizohet në mënyrë të vazhdueshme. Qëllimi do të jetë që të krijojmë kudo të njëjtat standarde. Objektivi ynë do të jetë që studenti si në këtë gjimnaz e në çdo gjimnaz të ketë një njëjtat standarde. Prapë se prapë, çështje ekziston. Nuk mund të mohohet që kushtet ndikojnë në formim. Por kjo çështje është shqyrtuar  dhe do ta ndjekim. 

  -Posta shqiptare ka vendosur në të gjitha zyrat shërbimin e internetit falas. Por një pjesë e popullsisë nuk ka mundësi ta zbatojë atë. A është e mundur të bëhen disa kurse afatshkurtër për të gjithë njerëzit?

Kryeministri Berisha: Është absolutisht  mundshme dhe e domosdoshme dhe do ta shqyrtojmë në mënyrën më serioze. Ajo pjesë e popullsisë së kësaj zone mund të vijë fare mirë, në një kurs që organizohet në këtë shkollë.

Në vitin 2007, unë vizitova Estoninë. Qëllimi më kryesor ishte të kuptoja se si ky vend ish komunist, pasi Estonia ka qenë e Bashkimit Sovjetik, kishte arritur me shpejtësi të ngjitej në krye të botës, në përdorimin e interneti. Kolegu im estonez më rrëfeu se një ndihmë shumë të madhe kishin dhënë bankat suedeze, të cilat, duke përdorur pagesën elektronike, ju financuan kursin për të gjithë pensionistët e Estonisë dhe ata përdornin internetin, për pagesën. Ne shumë shpejt do të kalojnë në pagesën elektronike dhe kjo ka filluar. Përhapja e përdorimit të internetit është shumë e domosdoshme dhe plotësisht e mundshme. Një doktrinë që bazohet në ikona, çdo njeri mund ta përdorë, sepse janë ikonat, ato që të tregojnë si ta përdoresh.

Dua të theksoj edhe dy momente. Në vitin 2005, përdorimi i internetit në Shqipëri ishte ndër më të ulëtit në botë, 4.8 përqind e popullatës. Atë vit Europa e kishte mesataren 43 përqind, Shtetet e Bashkuara të Amerikës 72 përqind. Ne përparësuam dhe shpallëm si moto Shqipërinë dixhitale. Sot, përdorimi i internetit është mbi 60 përqind. Sot, në facebook, shqiptarët, falë jush, rinisë që është më numerike, lënë mbrapa disa vende të zhvilluara. Sot, një seri shërbimesh janë të dixhitalizuara. Interneti është shtrirë në çdo shkollë. Por këto janë vetëm baza, shumë të rëndësishme e pozitive. Një nxitje shumë të fuqishme i dha edhe ulja e madhe që iu bë tarifave të telefonisë celulare, të cilat u ulën 3 deri në 5 herë. Ju ndofta nuk e mbani mend, por vetëm pak vite më parë thuhej “më bëj një zile”. Tarifat ishin të larta dhe kjo ishte një taksë mbi çdo qytetar. Njeriu do që të komunikojë me fëmijët, prindin, mikun, mikeshën, të dashurin e të dashurën dhe sot ata komunikojnë lirshëm, çmimet janë në nivelin normal. Për këtë është bërë punë shumë e madhe dhe prapë do të shkojmë më tej. Do të përmirësojmë edhe më tej teknologjinë, do të shkojmë në 4G, të merret internet i cilësisë më të laftë. Të gjitha këto janë shumë të mira, por përcaktuese është se duhet të bëhemi një komb i teknologjisë së lartë dhe ne bëhemi komb i teknologjisë së lartë, kur ju, të rejat e të rinjtë, studentët, të diplomuarit angazhoheni pasivisht në kërkim, në inovacion, në programime e bëhemi një eksportues i rëndësishëm i soft-eve dhe produkteve të ICT-së. Kjo do të jetë arritja më e madhe, në rrugën drejt një Shqipërie të zhvilluar, një Shqipëri që eksporton produkte të një vlerë të shtuar të lartë.

Kështu do të fillojnë edhe kurset, edhe inkurajim shumë më i madh i angazhimit të të rinjve, të studentëve, të diplomuarve në fushën e programimeve, të kërkimeve në teknologjinë e larët është një nga objektivat më madhore të katër viteve që vijnë. Ne duhet të bëhemi një komb lider në rajon, përsa i përket teknologjisë së lartë.

   -Së pari, gjej rastin t’ju falenderoj zoti Kryeministër, për investimet e shumta në këtë zonë, vetëm 4 kilometra larg Tiranës dhe perspektivën që po i jepni këtij vendi, për ta shndërruar në lagje të Tiranës. Pyetja ime është sa studentë shqiptarë studiojnë jashtë vendit dhe në dijeninë tuaj, zoti kryeministër, cila është arsyeja që ata ikin të studiojnë jashtë Shqipërisë. Kur mendoni se do të pushojë ekzistenca e një arsyeje të qenësishme që i detyron këta studentë të studiojnë jashtë vendit?

Kryeministri Berisha: Pyetje shumë e drejtë. Sot janë rreth 7-8 mijë studentë në vit që aplikojnë për të ndjekur studimet e larta në universitetet europiane e të tjera. Një pjesë e tyre, për shkak të rezultateve arrijnë të fitojnë bursa, të tjerë  mbështeten financiarisht nga familjet dhe ata që fitojnë në 10 universitetet më të mira të botës në shkencat jo teknike dhe në 51 universitetet më të mira në shkencat teknike mbështeten nga shteti, por ky është një numër i kufizuar. Në tërësi është një traditë shekullore që studentët ndjekin pasionin e tyre të shkollimit, në një vend që duan. Por a është vetëm kjo që i shtyn studentët drejt kësaj? Jo! Shqipëria duhet të bëjë përpjekjet më të mëdha, për rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Rritja e cilësisë së mësimdhënies, rritja reputacionit të universiteteve tona do të bëjë të mundur që të mos jetë ky faktori që t’i shtyjë studentët të largohen për studime jashtë. Sikundër do bëjë të mundur që edhe nga jashtë të vijnë të kryejnë studimet në Shqipëri. Pra, procesi i rritjes së cilësisë është rruga më e sigurt që studentët shqiptarë të kenë preferencë të parë studimet në Shqipëri.

  -Përshëndetje zoti Kryeministër. Falë jush, niveli i arsimit në të gjithë vendin është rritur dukshëm, sepse, siç e tha edhe bashkëmoshatari im, ju keni bërë të mundur rikonstruksionin dhe pajisjen e çdo shkolle me mjetet didaktike më të nevojshme. Ashtu si në çdo fushë tjetër, investime të mëdha keni bërë edhe në fushën e TIC-ut, ku pajisja e shkollave me kompjuter është e dukshme. Por shqetësim për ne është shpejtësia e internetit, cilësia e tij, pasi na harxhon shumë kohë për të marrë një informacion të caktuar dhe kjo është në disfavorin tonë?

Kryeministri Berisha: Kjo që thoni ju është absolutisht shumë e drejtë. Rreth dy muaj më parë, me autostradën dixhitale Prishtinë-Tiranë u bë e mundur rritja  fluksit të importit të internetit 1340 herë. Pra, me ketë autostradë dhe me një shtesë që i bëhet nga Morina e Kukësit bëhet e mundur që Shqipëria të marrë rreth 140 Gb/sek. Kjo do të përmirësojë në mënyrë shumë të ndjeshme furnizimin me internet të shpejtë dhe bandë të gjerë, por kjo kërkon shtrirjen e plotë të rrjetit. Për arsye kohe, ende ky rrjet nuk ka arritur të shtrihet në të gjithë sistemin shkollor dhe kërkon një kohë. Madje në disa territore merret me satelit, paguhet një fee shumë më e shtrenjtë, vetëm me qëllimin që shkolla ta ketë. Do të bëhet gjithçka që me përparësi shkollat të kenë internet me bazë të gjerë dhe të shpejtë. Jemi në proces e sipër. Autostrada është në funksion, tani duhet rrjetëzimi i brendshëm.     

  -Zoti Kryeministër, duke ju falenderuar për kontributin për autostradën Tiranë- Elbasan, ne si pjesë e kësaj zone dhe komuniteti kuptojmë se lëvizja drejt Tiranës dhe Elbasanit do të jetë e shpejtë. Çfarë mundësish të tjera na ofron kjo autostradë?

Kryeministri Berisha: Çdo rrugë duhet parë si një korridor i lëvizjes së njerëzve, por edhe i lëvizjes së tregut, i cili ka magjinë e krijimit të mirëqenies, krijimit të vendeve të punës dhe zhvillimit. Autostrada pothuajse bashkon Tiranën me Elbasanin dhe në këtë mënyrë krijon një nga tregjet më të mëdha në Shqipëri e në rajon. Fermerët e Korçës po e presin me padurim përfundimin e saj, pasi ata e dinë se do mund t’i sjellin më lehtë, prodhimet e tyre, në tregun më të madh. Po kështu, fermerët e Pogradecit, të Gramshit e me radhë. Përveç faktit që çdo mjet që udhëton në këtë autostradë shpenzon shumë më pak dhe ruhet shumë më mirë, nga cilësia e rrugës. Ajo do ketë ndikim të padiskutueshëm në rregullimin e çmimeve, në furnizimin më të mirë të tregut, në krijimin më të madh të vendeve të punës. Autostradat e rrugët kushtojnë, por është e faktuar se, në qoftë se investon një dollar, fitimin e ke 5 dollarë. Unë pres që të sjellë edhe më shumë se 5 dollarë fitim, pasi është ndërtuar në variantin më ideal të saj.   

-Ju falenderojmë zoti Kryeministër, në emër të gjimnazit “Ibrahim Hasmema”,  për këtë bashkëbisedim me ne dhe urojmë të gjendeni sërish këtu, në ditë tjera.

Kryeministri Berisha: Edhe unë ju falënderoj dhe shpreh kënaqësinë që ju takova. Ju falenderoj për pyetjet, për çështjet shumë të rëndësishme që ngritët dhe ju siguroj se problemet që ju shtruat në këtë takim do të jenë probleme që do të marrin përgjigjen më të mirë, në programin e mandatit që vjen, për arsimin, për shkollat, për shkollimin dhe punësimin e të rinjve, për garantim për ta të një të ardhmeje më të mirë, të një të ardhmeje europiane. Faleminderit shumë.


23/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›