Kryeministri Berisha: Shqipëria, një vend lider në rajon për ICT. Së shpejti krijohet fondi për Hi-Tech
Qeveria miraton rregulloren për menaxhimin e dokumentit elektronik
Kryeministri Berisha tha sot se projekti më ambicioz e më strategjik, për katër vitet që vijnë, është Shqipëria, një vend lider në rajon për teknologjinë e lartë. Në funksion të këtij synimi, Kryeministri informoi se së shpejti do të krijohet fondi për Hi-Tech-un, që do të financojë “projektet e mendjet më të ndritura të fushës”, si dhe po punohet intensivisht me vendet me standardet më të avancuara në këtë fushë.
Kryeministri Berisha foli për zhvillimin e teknologjisë së informacionit, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ku u prezantua dhe u miratua rregullorja “Për menaxhimin e dokumentit elektronik në Republikën e Shqipërisë”.
Kryeministri Berisha, ndërsa e vlerësoi rregulloren si kodi mbi të cilin do të bazohet zëvendësimi i letrës me formën elektronike, tha se administrata gradualisht do të kalojë në praktikën tërësisht dixhitale. Kryeministri tha se kjo do të sjellë edhe një kursim shumë të madh në shpenzimet operative, pasi administrata është konsumator i pamëshirë i letrave dhe kancelarive.
Fjala e Kryeministrit Berisha gjatë prezantimit të vendimin për rregulloren për menaxhimin e dokumentit elektronik.
“Sot miratojmë rregulloren e dokumentit elektronik që, për vlerën dhe rëndësinë e saj, përbën histori. Ky është kodi mbi të cilin do të bazohet zëvendësimi i letrës me dixhitalen, zëvendësimin i firmës me firmën dixhitale. Ministri Pollo ka konsultuar gjerësisht institucionet përkatëse dhe natyrisht si pikë fundore, Arkivi i Shtetit, i cili është institucioni që do të ketë fjalën kryesore. Me Arkivin është rënë dakord që të ketë një periudhë kalimtare, për kalimin nga letra tek forma dixhitale.
Në këtë moment më vjen ndërmend Katedralja e Parisit, kur Dom Frollo, nga ajo penxhere që shihte Esmeraldën, tek mban librin para thotë: Kjo këtu do të vrasë atë atje. Ajo ishte katedralja. Libri, shtypi, Gutenbergu do të zhvlerësonte madhështinë e katedrales. Ajo nuk ndodhi. Katedralja qëndron monument i përjetshëm në atë qytet, ndër më të bukurit, si trashëgimi e madhe e Parisit dhe mbarë botës. Nuk besoj që njeriu të ketë shpikur mbi tokë, gjë më të rëndësishme se libri. Kur mendon për ndonjë çast se kush ishte fati yt në jetë dhe flas për veten time, fati im ishte dashuria për librin dhe vendimi tjetër që vendosa të mos isha shkrimtar, se do të kisha mbetur mediokër. Edhe pse kalohet nga letra tek dokumenti elektronik, libri mbetet libër dhe ka vlerat e tij të jashtëzakonshme. Ndërsa për shkresën burokratike nuk duhet t’i vijë keq askujt, që nuk e gjen atë në letër, por e gjen në formë dixhitale. Ky është një kursim shumë i madh. Duhet ta dini se administrata është konsumator i pamëshirë i letrave dhe kancelarive dhe dora-dorës do të kalojë në praktikën kryekëput dixhitale.
Dua të informoj qytetarët shqiptarë se për katër vitet që vijnë, projekti ynë më kryesor, më ambicioz e më strategjik është: shqiptarët një komb i ICT-së, komb i teknologjisë së lartë. Ne vijmë në këtë konkluzion, pasi, duke analizuar të gjitha aspektet, mekanizmat, instrumentet, fushat e levat e zhvillimit, rezulton se kjo është e vetmja me fuqinë e levës së Arkimedit, për të lartësuar shqiptarët në nivelin që ata meritojnë. Ne kemi arritur sot, në shumë aspekte, në nivele shumë të larta, por në mënyrë absolute këto janë vetëm baza e asaj që do të arrijmë në katër vitet që vijnë. Do të krijohet shumë shpejt fondi i Hi-Tech-ut, që do të financojë projektet e mendjet më të ndritura të fushës. Po punojmë intensivisht me vendet mike, me standardet më të avancuara që ekzistojnë dhe jemi të vendosur që katërvjeçari që vjen të jetë katërvjeçari, në të cilin Shqipëria dhe shqiptarët të jenë komb lider në rajon, në këtë fushë. Po studiojmë çdo mekanizëm, çdo praktikë, çdo lehtësi e çdo financim të nevojshëm, për ta realizuar këtë.”
24/04/2013