E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria i hap rrugën disbursimit të TVSH-së për të gjitha inputet bujqësore dhe të akcizës së naftës direkt tek fermeri

Këshilli i Ministrave vendosi sot t’i hapë rrugën ligjore disbursimit të TVSH-së për të gjitha inputet bujqësore të importuara në funksion të prodhimit dhe subvencionimit të akcizës së naftës direkt tek fermeri, duke shfuqizuar ligjin në fuqi “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Ky vendim i qeverisë erdhi pas sugjerimeve të verat fermerëve, gjatë takimeve që Kryeministri Berisha ka zhvilluar gjatë këtij muaji.    

Duke prezantuar masat më të reja fiskale në mbështetje të fermerit, Kryeministri Berisha u shpreh se “rruga më e drejtë, më e ndershme dhe më e sigurt është heqja e TVSH-së për fermerët dhe subvencionimi i akcizës për naftën, por duke ua dhënë paratë në dorë fermerëve, në përputhje me atë që ata kanë shfrytëzuar, me sasinë e plehut kimik që kanë përdorur në parcelë, me naftën që kanë përdorur për punimin e saj apo ngrohjen e serës.”

Kryeministri Berisha shprehu bindjen se kjo masë e re do të jetë një mbështetje e fuqishme dhe një inkurajim i madh për investimet në bujqësi dhe agrobiznes, ndërsa theksoi se qëllimi është të mbështetet fuqishëm bujqësia shqiptare.   

Lidhur me këto masa të reja, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot vendosim për të hapur rrugën ligjore të subvencionimit të TVSH-së për fermerët shqiptarë. Me qëllimin më të mirë, ne vendosëm të heqim TVSH-në për të gjitha inputet bujqësore, nga gjithçka që fermerët përdorin për rritjen e prodhimit në fermat e tyre, të të gjitha llojeve. Ndaj vendimit tonë pati një reagim të ligjshëm nga fermerët. Ata me të drejtë na falenderuan për këtë, por thanë se kjo TVSH nuk vjen tek ata. Kjo vlerë e TVSH-së që hiqni, na thanë fermerët, mbetet tek tregtarët. Dhe kjo mbarte një të vërtetë të pamohueshme.

Prej vitesh është bërë subvencionimi i akcizës së naftës për fermerët. Skema që instaluan qeveritarët paraardhës mund të mblidhet me dy fjalë: Caci Oil. Fermerët nuk i panë e kurrë me sy, tollonat. Ato përfunduan në xhepat e qeveritarëve socialistë, qendrore dhe vendorë. Ne bëmë mirë që ndaluam atë skemë grabitjeje të pasurisë kombëtare. Ndërkohë në mënyrë të vazhdueshme kemi qenë në kërkim të një skeme transparente, për të ndihmuar fermerët tanë. Grupe të ngarkuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Financave, por edhe grupe interesi konkluduan se rruga më e drejtë, më e ndershme dhe më e sigurt është heqja e TVSH-së për fermerët dhe subvencionimi i akcizës për naftën, por duke ua dhënë paratë në dorë fermerëve, në përputhje me atë që ata kanë shfrytëzuar, me sasinë e plehut kimik që kanë përdorur në parcelë, me naftën që kanë përdorur për punimin e saj apo ngrohjen e serës e me radhë.

Kjo skemë mori përparësi edhe për faktin tjetër, të suksesit të padiskutueshëm të granteve të dhëna 42 mijë familjeve, kundrejt projekteve të qarta. Ato janë shndërruar në një katalizator të fuqishëm të ndryshimit për mirë të prodhimit bujqësor, bujqësisë në tërësi e blegtorisë. Praktikat e krijuara, me akordimin e granteve nga drejtoritë rajonale, gjer sot janë nga praktikat absolutisht më transparente. E kam theksuar dhe e theksoj se në gjithë këto vite, në mesazhet e panumërta që më vijnë çdo ditë, në komunikimin e pandërprerë me qytetarët, ankesat për grantet mund të numërohen me gishtërinjtë e duarve. Për hir të së vërtetës, edhe ato nuk kanë qenë për padrejtësi në raport me të tjerët, por për vlerësimin e projektit apo kohën e disbursimit të grantit. Në të gjitha rastet, çdo ankesë është shqyrtuar me transparencën dhe seriozitetin më të madh.

Kjo praktikë e çmuar përbën bazën më solide që ne të marrim tani vendimin që TVSH-në për të gjitha importet t’ia kthejmë fermerit, në përputhje me shkallën e përdorimit që ai i ka bërë, për plehun kimik, për helmet që janë shumë të kushtueshme, për akcizën e naftës. Unë mendoj se në rrafshin e marrëdhënieve tona me fermerin, fermat bujqësore e blegtorale, kjo përbën hapin më të rëndësishëm, të ndërmarrë ndonjëherë, në mbështetjen  direkt të tyre. Natyrisht, fatura e këtij akti është pa diskutim dy ose tre herë më e lartë, sesa e granteve që i japim. Por ne kemi vendosur të përshtatim qëndrimin dhe ndihmën më serioze të mundshme ndaj bujqësisë e blegtorisë, fermerëve në zonat rurale, ku jetojnë 46 përqind e popullit shqiptar. Të gjitha ato janë ekonomi private, por kontributi i tyre për shoqërinë në tërësi është shumë herë më i madh, sa mund të mendojë kush. Ata kanë kontribut shumë të madh në mirëqenien në tërësi, në prodhimin e në çmime dhe sidomos në balancën tregtare.

Ndaj është shumë mirë të dëgjohet zëri i qytetarëve dhe ky vendim që marrim sot ka vetëm një qëllim: fermerëve t’u kompensimet direkt TVSH-ja e plehrave kimike, TVSH-ja e të gjitha inputeve, përfshi këtu akcizën e naftës. Jam shumë i bindur se kjo do të jetë një mbështetje e fuqishme dhe një inkurajim i madh për investimet në bujqësi dhe agrobiznes. Qëllimi ynë është të mbështesim fuqishëm bujqësinë shqiptare.”  


24/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›