E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: “Aleanca për punësim, mirëqenie dhe integrim”, aleanca më e madhe e vlerave në historinë tonë kombëtare

“Aleanca për punësim, mirëqenie dhe integrim” është aleanca e re e koalicionit e krijuar mes 24 partive të qendrës, qendrës së djathtë dhe të djathtës. Në një ceremoni të veçante, ku merrnin pjesë drejtues të partive pjesëmarrëse në koalicion, anëtarë të tyre, ministra te kabinetit, si dhe qytetarë mbështetës së këtyre forcave politike, u nënshkrua sot pasdite marrëveshja nga partitë, përkatësisht:

Partia Demokratike; Partia Republikane; Partia për Drejtësi dhe Integrim; Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Agrare Ambientaliste; Partia Lidhja Demokristiane; Partia Lëvizja e Legalitetit e Shqipërisë; Partia Aleanca Demokratike Shqiptare, Partia Bashkimi Liberal Demokrat, Partia Demokristiane e Shqipërisë, Partia Balli Kombëtar Demokrat, Partia e Minoritetit Grek për të Ardhmen, Partia e të Drejtave të Mohuara e Re, Partia  Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet, Partia Konservatore Shqiptare, Partia Ora e Shqipërisë, Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar, Partia Aleanca e Maqenonasve për Integrim Europian, Partia e të Drejtave të Mohuara, Partia Lëvizja Shqipëria e Re, Partia Demokracia e Re, Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë, Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare, Partia Civile e Shqiperise.

Kryeministri Berisha njëherazi edhe Kryetar i Partisë Demokratikë të Shqipërisë  tha se kjo është një ditë shumë e veçantë në historinë politike të vendit, pasi realizohet bashkimi i forcave politike, të cilat kanë në themel të programit të tyre, vlerat më të çmuara të individit, të shoqërisë dhe të kombit. “Ne jemi të lumtur që themelojmë sot Aleancën më të madhe të vlerave në historinë tonë kombëtare.” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri e cilësoi aleancën e koalicionit, si aleancë e programit, e cila synon tu japë shqiptarëve mundësinë për të ndërtuar jetën e tyre, mirëqenien e tyre, tu japë Shqipërisë dhe shqiptarëve mundësinë të ecin si komb i lirë, të sigurte, drejt të ardhme së tyre më të mirë, të ardhmes evropiane.

Të përshëndetjen e mbajtur me këtë rast , Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të nderuar zotërinj kryetarë të partive të qendrës, qendrës së djathtë, të djathtës shqiptare të pranishëm sot në këtë sallë,

Të nderuar drejtues dhe qytetarë, anëtarë  dhe mbështetës të këtyre partive

Së pari, në emër tuaj më lejoni të përcjell përshëndetjet më të përzemërta qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë më të çmuar në shpirtin e tyre vokacionin perëndimor të tyre, vokacionin perëndimor të kombit shqiptar dhe që sot shohin më të bashkuar se kurrë forcat politike të këtij vendi, të orientimit kryekëput perëndimor, të orientimit kryekëput kombëtar.

Sot, shqiptarët përjetojnë një ditë në historinë politike të vendit, shumë të veçantë, një bashkim të të gjitha forcave politike, të cilat kanë në themel të programit të tyre vlerat më të çmuara të individit, të shoqërisë dhe të kombit. Në ketë kontekst, ne jemi të lumtur që themelojmë sot Aleancën më të madhe të vlerave në historinë tonë kombëtare.

Sot, ne tejkalojmë vitin 92, vit në të cilin ne ishin një lloj fronti, kurse sot paraqitemi si forca politike të strukturuara, si forca politike të cilat kemi operuar mbi platformat tonë në interesin me të mirë të qytetarëve shqiptarë. Ne zgjodhëm si moto të aleancës sonë punësimin e qytetarëve shqiptarë. Puna, pas familjes është bekimi i Zotit për njeriun. Puna është kushti më kryesor i dobisë së tij, i mirëqenies së tij, i shpalosjes së talentit të tij. Ndaj dhe ne jemi të vendosur që të gjitha reformat tona që do të ndërmarrim të kenë si rezultat final punësimin e qytetarëve tanë. Janë ata që krijojnë prosperitetin, janë ata që krijojnë mirëqenien, janë ata që krijojnë lumturinë  e tyre familjare dhe vetjake. Ne do të bëjmë gjithçka tu krijojnë atyre këtë mundësi.

Mirëqenia, pa diskutim është atribut i merituar i çdo qytetari. Në një shoqëri të lirë nuk ka të varfër për shkaqe të tij. Të varfrit kudo që ndodhen kanë si shkak mbështetjen e pamjaftueshme nga shoqëria dhe nga qeveria. Beteja jonë për mirëqenien do të jetë beteja më e fuqishme që ne kemi zhvilluar ndonjëherë. Ne jemi optimistë, ne jemi të sigurtë në objektivin tonë, sepse është ky program vlerash i spektrit të partive tona që ka bërë të mundur që në 21 vite në Shqipëri,si në asnjë vend tjetër të Evropës dhe më gjerë, prodhimi i brendshëm të rritet, jo 5, 6 apo 7 por të rritet 11 herë.

Mekanizmi ynë është liria. Ne, në këto vite çdo gjë që kemi bërë, kemi patur një synim të zgjerojmë lirinë  e individit. Pasioni ynë kryesor është liria. Do të bëjmë gjithçka që qytetarët e lirë të këtij vendi të kenë hapësira për të krijuar mirëqenien për vete, familjen dhe shoqërinë shqiptare.

Zonja dhe zotërinj,

Aleanca e integrimit është aleanca e vokacionit perëndimor të shpirtit tonë kombëtar. Nuk gjen në hartën e Evropës, një komb i cili për shkak të paudhësive të tij të ketë paguar më shumë, të ketë paguar çmimin më të lartë për t’ju përmbajtur fillit të shpirtit të tij që është vokacioni perëndimor.

Pas gjysëm shekulli diktaturë, shqiptarët u zgjuan me thirrjen “E duam Shqipërinë si Evropa. Përpjekje të jashtëzakonshme u bënë dhe megjithatë prej dy vitesh procesi në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër të Evropës u bllokua nga brenda dhe jo nga faktorë të tjerë.

Sot, në Washington, në një konferencë nga më seriozet do të deklarohej botërisht se opozita shqiptare për qëllime politike bllokon procesin e integrimit të vendit të vet dhe të popullit të vet në BE.

Sot, në Luksemburg, në mënyrë të përsëritur u deklarua se janë tre ligje që nuk u votuan, ato që bllokuan statusin e Shqipërisë për në BE. Nuk ndodhi askurrkund, ndodhi vetëm në Shqipëri seshe udhëheqja  e sotme e PS ka për platformë, ka për program të vërtetë, testamentin  e etërve të vet. Atëherë kjo rrethanë ishte një thirrje, ishte një apel për të gjithë këta zotërinj që janë të ulur sot këtu, të bashkohemi për të bërë çdo gjë, për ta avancuar integrimin e Shqipërisë në BE.

Unë jam i sigurtë se 23 qershori do të jetë përgjigja më e shkëlqyer e shqiptarëve për axhendën e vet europiane.

Sot, ne bashkohemi dhe dua tu informoj këto, se nga 35 parti që morën pjesë në zgjedhjet e 2009, 24 prej tyre janë të pranishme në këtë podium, parti me histori të qartë elektorale, kundrejt halave dhe ngjalave te aleancës tjetër.

Kjo është aleanca e vlerave, aleancë e të vërtetave elektorale, aleancë e programit, e cila synon tu japë shqiptarëve mundësinë për të ndërtuar jetën e tyre, mirëqenien e tyre, Tu japë Shqipërisë dhe shqiptarëve mundësinë të ecin si komb i lirë, të sigurtë, drejt të ardhme së tyre më të mirë, të ardhmes evropiane.

Ndaj dhe ftesa ime për qytetarët shqiptarë, këtë periudhë që kemi përpara le të angazhohemi të gjithë në fushatën elektorale, qytetare, më intensive, më të vendosur në tërë historinë  e këtij vendi. Kurrë ndonjëherë Shqipëria nuk ka patur një Aleancë të tillë të bashkuar, siç ka sot dhe të gatshme për të çuar vendin drejt një mandati të ri, drejt një fitoreje të shkëlqyer, më 23 qershor që vjen.

Edhe njëherë duhet të dashur aleatë tu falënderoj me shumë respekt dhe mirënjohje të shpreh besimin tim të madh se energjia, përkushtimi, devocioni, vendosmëria e forcave tona polikë te bashkuara në një aleancë të vetme do të garantojë një fitore të thellë, të shkëlqyer, do të përsërisë vitin ‘92 , vitin në të cilin ne hapëm së bashku rrugën e lirisë për shqiptarët.

Urimet më të përzemërta.

Ju faleminderit!


23/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›