Kryeministri Berisha: Të rinjtë shohin tek Partia Demokratike përpjekjet më të mëdha për zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij në BE

Kryeministri kërkoi që të rinjtë të inkurajohen për të marrë pjesë në votime, duke shprehur vullnetin e tyre të lirë, për një Shqipëri evropiane dhe për një të ardhme që do të punojë për ta.
Edhe njëherë nga ky takim, Kryeministri deklaroi se qeveria nuk do të reshtë përpjekjet e saj për krijimin e kushteve sa më optimale jo vetëm për arsimimin e tyre, por edhe për punësimin e të rinjve si një element i rëndësishëm i integrimit të tyre në shoqëri.
Ndër të tjera, në fjalen e tij, Kryeministri tha:
“Ne jemi fatlum se në çdo zgjedhje së paku 200 mijë të rinj fitojnë të drejtën e votës. Të rinjtë nuk e njohin diktaturën komuniste dhe nuk i këshilloj që të lodhen dhe të bëjnë studime të thelluara mbi të, por sigurisht njohuritë kryesore i kanë dhe ata nuk mund të pranojnë mbrojtjen që partia socialistë i bën asaj të shkuare. Të rinjtë mund të mos harxhojnë kohë me analizën e asaj periudhe, por që ta pranojnë , absolutisht nuk mund ta ndodhë, ata nuk e pranojnë atë dhe janë krenarë që rriten të lirë.
Të rinjtë janë mbështetësit më të fuqishëm të PD sepse shohin transparencën e përpjekjeve të saj, si për zhvillimin e vendit, ashtu dhe integrimin në Be. Çdo i ri që interesohet për proceset integruese do të gjejë këto 20 vjet, se kjo forcë politike është ajo që anëtarësoi vendin në Këshillin e Evropës, ajo forcë që integroi vendin në NATO, ajo që arriti liberalizmin e vizave, është ajo forcë që me reformat mori propozimin për status por u bllokua në mënyrën më absurde, më të paparanueshme me mosvotimin e tre ligjeve. Edhe sot në Luksemburg, ishte këshilli i dialogut të lartë mes Shqipërisë dhe BE. Kryetarja e rradhes e Irlandës e Ministrave te jashtëm dhe komisioneri për zgjerimin, në mënyrën më të përsëritur dënuan mosvotimin e tre ligjeve. Kjo për çdo të ri shqiptar përbën një fakt, një zhvillim jashtëzakonisht të papranueshëm. Këtij vendi nuk mund ti nxjerrësh mur përpara, është jashtë çdo lloj koncepti. Një njeri që ka minimumin e minimumit të atdhetarizmit, s’do ta bënte kurrë një gjë të tillë, të mbajë peng tre ligje.
Pastaj ka një çështje morale shumë të madhe në marrëdhëniet e të majtëve njëri me tjetrin në Shqipëri. Mirë që bëjnë aleancë, se kjo është gjëja më normale, por të marrin për nun një kryekontraabandist, të cilin ne e kemi burgosur për kontarabandë. Nuk ka një kumbar tjetër përveç kumbarës së Durrësit? Kjo sigurisht për të rinjtë është shokuese, kjo është e vërteta. Të gjitha historitë që tregohen janë 100% të vërteta.
Pra, janë të gjithë këta faktorë që bëjnë që rinia, të rinjtë shqiptarë të kenë një besim më të madh, dikush me pasion dikush me më pak pasion, tek Partia Demokratike.
Dhe ne jemi absolutisht të vendosur të bëjmë gjithçka për ta. E kemi përcaktim publik dhe të hapur. Ju jeni dëshmitarë vetë, deklaruam për shkollat, është trefishuar numri i studentëve dhe jam absolutisht shumë i lumtur për këtë, sepse nuk shkelmohet ëndrra e tyre, që të hyjnë në universitet. Tani do punojmë për cilësinë, tani do punojmë për kushte shumë më të mira, tani do punojmë për punësimin. Ndaj dhe përcaktuam masat që për tre vjet nuk do të ketë asnjë detyrim fiskal ndaj sipërmarrësit për çdo të ri të punësuar që ai punëson dhe këto masa do i thellojmë.
Do zhvillojmë sistem mikrokrediti, në qytete, por dhe në fshatra sepse dhe atje gëlon biznesi me një zhvillim mjaft të rëndësishëm.
Në një fermë, i biri i një fermeri tha “këtu unë kam të ardhmen time të artë”, dhe ai dukej që kishte marrë dhe merr të gjitha njohuritë për të ndjekur dhe menaxhuar fermën.
Pra, do të ketë një sistem mikrokrediti. Duhet ti ndihmojmë ndaj dhe dua mendimet tuaja. Duhet ti ndihmojmë për planbizneset, këtë kërkuan ata. Na duhen zyrat që ti orientojmë, por më mirë se fakultetet, që lidhen edhe më shumë me prodhimin, me tregun, askush s’mund ta bëjë. Por ne edhe mund të financojmë pranë fakulteteve zyra që ti informojnë dhe orientojnë ata drejt hartimit të planbizneseve. Asgjë nuk ka më të mirë se ata. Por ka një problem. Problemi i tyre është pjesëmarrja në votime. Kësaj here, e gjithë detyra jonë është të bëjmë gjithçka, të punojmë me çdo njërin prej tyre që të marrë pjesë në votime. T’ia dimë adresën, të dimë se ku do të jetë ai në datën 23 qershor, të kemi Network-un më të gjerë me ta, me Facebook, me Twitter, me SMS me What’s up, etj. Pyetjet votove apo nuk votove? Në C’orë do votosh? Kur do votosh? Nuk ka gjë më të rëndësishme për ne, sesa ky korpus i madh të marrë pjesë masivisht në votime. Aty është çelësi i fitores. Ju garantoj, çdo zgjedhje të përgjithshme nga 2005 e deri më sot, edhe më përpara, ne i kemi fituar nga të rinjtë. Ndaj dhe është shumë e domosdoshme, me grupe të vogla ju të bëni rigrupimet e duhura me nxitjen inkurajimin e çdo të reje, çdo të riu të marrë pjesë në zgjedhjet e 23 qershorit. Në këtë parapërgatitje një element shumë i rëndësishëm është karta e identitetit.
Duhet të bëjmë një check up, janë apo s’janë të pajisur dhe duhet të bëjmë gjithçka që të pajisen me kartën e identitetit se pa atë nuk votohet.
Të dashur miq,
Fushatat elektorale janë gjysmë civile, gjysmë ushtarake. Janë gjysmë civile përsa i përket festivitetit, kurse duhet të jemi në disiplinë ushtarake në organizim se përndryshe nuk ecim. Prandaj ato konceptohen vërtet të tilla.
Partitë janë elektorale, Partia Demokratike nuk është parti ideologjike, është parti elektorale e vlerave të cilave ajo paraqet para qytetarëve në programin e vet. Kusht absolut për të fituar është disiplina ushtarake në funksionimin e makinerisë. Dhe kjo makineri, është mekanizmi më themelor i çdo fitoreje. Ai që organizon më mirë dhe që bën më funksionale makinerinë e tij ai i fiton zgjedhjet. Nuk janë zgjedhjet, çështje spontaniteti, jo , janë çështje e një pune në themel jashtëzakonisht të rëndësishëm.
23/04/2013