Qeveria miraton kalimin e pronësisë për 2120 parcela ndërtimore, në favor të poseduesve të objekteve informale
Qeveria miratoi sot vendimin për kalimin të pronësisë së disa parcelave ndërtimore në favor të poseduesve të objekteve informale, i propozuar nga ministri i Punëve Publike dhe Transportit. Për 2120 parcelat e objekteve informate, për të cilat kërkohet kalimi i pronësisë së truallit me sipërfaqe të përgjithshme prej 601 930.91 m2, janë kryer procedurat e përditësimit në terren, përgatitja dhe plotësimi i dokumentacionit tekniko-ligjor të nevojshëm, si dhe kualifikimi për legalizim, në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi.
Sipas të dhënave të regjistrimit në përmbajtje të regjistrit të pasurive të paluajtshme rezultojnë se objektet informate të trajtuara në këtë vendim janë ngritur pjesërisht në pronë shtetërore dhe pjesërisht në territore të pa përfshira në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Një tjetër kategori që trajtohen në këtë vendim janë shtesat anësore informale në ndërtime me leje. Për këtë kategori ndërtimesh, ALUIZNI dhe njësitë e qeverisjes vendore si autoritetet e përcaktuara nga ligji kanë kryer procedurat e përditësimit të tyre dhe plotësimin e dosjeve të legalizimit për secilin objekt, si dhe kanë përfunduar procedurat kualifikuese për legalizimin e tyre , duke bërë të mundur trajtimin e këtyre pasurive nëpërmjet këtij vendimi si dhe procedurave të tjera vijuese.
24/04/2013