Kryeministri Berisha ngushëllon familjarët e të ndjerës Linda Ihsani, për ndarjen e saj nga jeta
Në këtë mesazh, Kryeministri Berisha shkruan:
“Familjarëve të të ndjerës Linda Ihsani,
Të dashur prindër dhe familjarë të të ndjerës Linda Ihsani,
Lajmi tejet i hidhur i ndarjes parakohe nga jeta të njeriut tuaj të dashur dhe të mrekullueshëm, bashkëpunëtores sime të çmuar, më ka pikëlluar thellë mua, familjen, bashkëpunëtorët e mi dhe Partinë Demokratike.
Linda Ihsani ishte simboli i përkushtimit të madh dhe aftësive intelektuale të veçanta, integritetit të lartë njerëzor, eficencës së spikatur në punë, dashurisë dhe respektit për miqtë, për kolegët e saj.
Ajo ka dhënë një kontribut të çmuar dhe një mbështetje të madhe në të gjitha detyrat e rëndësishme që ka kryer, për shume vite, si një nga bashkëpunëtoret e mia më të afërta. Sot në zi, së bashku me ju, jemi të gjithë ne që patëm fatin e mirë ta njohim nga afër dhe të bashkëpunojmë shumë vite me Lindën, janë miqtë e saj të shumtë që humbën miken e tyre fisnike, janë të gjithë ata që kanë pasur fatin ta njohin Lindën dhe mbarë demokratët shqiptarë që kishin tek Linda një përfaqësuese të tyre, fjalë pakë e punë shumë, një qëndrestare të vendosur.
Linda humbi sot betejën heroike që ajo bëri me sëmundjen e egër, por do të mbetet e gjallë gjithnjë në memorien tonë.
Duke ju shprehur ngushëllimet tona më të thella për këtë humbje të madhe, unë dhe Lili lutemi së bashku me ju që shpirti i Lindës tuaj të dashur të gjejë paqen e merituar.
Me respekt,
Sali Berisha”
19/04/2013