E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me studentë dhe mësues të shkollave 9-vjeçare, në Gjirokastër

Në vijim të bashkëbisedimeve me të rinjtë, Kryeministrit Berisha u takua sot dhe pati një bashkëbisedim me studentët e mësuesisë dhe mësuesit e shkollave 9-vjeçare të qytetit të Gjirokastrës. Ky takim u zhvillua në mjediset e Universitetit "Eqerem Çabej". 

Gjatë këtij bashkëbisedimi, Kryeministri Berisha foli rreth projekteve në fushën e arsimit, punësimit të të rinjve dhe projekteve të ndryshme në katër vitet e ardhshme për qarkun e Gjirokastrës.

Më poshtë vijon bashkëbisedimi i Kryeministrit Berisha me studentët dhe mësuesit e shkollave 9-vjecare:

“Të dashur studentë e studente,

të nderuar pedagogë e pedagoge,

të nderuar mësues e mësuese të këtij qyteti,

i nderuar zoti rektor,

Së pari dua t’ju falënderoj me shumë përzemërsi për ardhjen tuaj në këtë takim, në të cilin unë kam synimin më kryesor të dëgjoj mendimet tuaja, të dëgjoj opinionet tuaja, të dëgjoj shqetësimet tuaja, të dëgjoj kritikat, vërejtjet që ju keni, të dëgjoj kërkesat tuaja, në mënyrë që të bëjmë gjithçka që sistemin e  edukimit, sistemin e shkollimit, i cili për çdo shoqëri të qytetëruar, për çdo vend që do të arrijë nivelet e zhvilluara dhe për çdo vend të zhvilluara është problemi më serioz, më i rëndësishëm, më përcaktues për të ardhmen e tij. Në këto vite ne jemi përpjekur shumë në këtë drejtim. Ne kemi investuar në mënyrën më të fuqishme për një infrastrukturë arsimore më moderne, kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla, kemi arritur rezultate shumë të mira në angazhimin në vitin e parë, parashkollor, kemi arritje shumë të mira, në nivele shumë të larta në përqindjen e  nxënësve që kalojnë nga arsimi i detyrueshëm në arsimin e mesëm, në përqindjen e maturantëve që kalojnë nga gjimnazet në universitete. Kemi bërë përmirësime thelbësore në kurikulat e degëve të mësuesisë, por kemi shumë për të bërë. Kemi rritur rrogat e mësuesve më shumë se të gjithë grupet e tjera të administratës 120 deri në 140 përqind, në varësi nga pozicioni i tyre. Ne besojmë se katër vitet që vijnë duhet të kenë synimin më kryesor rritjen e ndershme të cilësisë së shkollave tona, do të kenë synimin më të rëndësishëm punësimin e të rinjve, që diplomohen dhe natyrisht një jetë cilësisht më të mirë për ta. Këto janë objektivat tona për rininë. Përmbushja e cilësisë dhe rritja e saj nuk është një proces i thjeshtë, nuk është një proces i cili garantohet siç u garantua sasia  mbi bazën e vendimeve të drejta qeveritare, sepse unë i qëndroj asaj, çdo i ri i kësaj shoqërie duhet të ketë të drejtë të provojë për të bërë të vërtetë ëndrrën e tij universitare, ëndrra universitare e çdo të riu, është ëndrra më e bukur e tij. Ai kërkon të hyjë në shtëpinë e dijes së kombit të tij dhe kjo është kërkesë fisnike.  Çdo i ri, në konceptin tonë duhet të marrë dije, edukim qytetar, formim qytetar, por mundësisht dhe përshtatjen më maksimale me tregun. Drejtim në të cilën nuk mund të them se jemi aty ku duhet, ndonëse universitete tona sot kanë  520 projekte dhe kjo është shumë mirë, të gjitha këto janë përpjekje shumë serioze të ekipeve tona universitare për tu përshtatur  me tregun, por a kanë rënë gjithnjë ato në valën e tregut, kjo u takon këtyre ekipeve ti shqyrtojnë në mënyrën më serioze. Unë para katër ditësh vizitova një fakultet në Durrës. Kënaqësia ishte e jashtëzakonshme. Të gjithë ata studentë aty, të gjithë të diplomuarit nga ky universitet kishin të garantuara vendet e punës. Si ndodh kjo? Ky është fakultet profesional, partneritet publik privat, dmth, kompani të ndryshme sponsorizonin të përzgjedhurit e tyre, për punonjës nga ky fakultetet, nga ata asnjë nuk kishte në dyshim vendin e punës. E vërteta për  shkak të kompanive që  e sponsorizonin, kishin një trupë pedagogjike vendase por dhe të huaj të nivelit më të mirë, por absolutisht ajo mund të hapet në Gjirokastër, në Vlorë, në Korçë, mund të hapet në Elbasan. Unë kam vizituar në Korçë një shkollë të mesme, e cila ishte dhe ajo partneritet publik-privat, ku kompanitë sipas interesave të tyre sillnin punonjësit e ardhshëm për ti kualifikuar. Pra, u ndala në këto shembuj për të theksuar se për ne është e një rëndësie të jashtëzakonshme, ndërfaqja  sa më e përsosur  e edukimit tonë të lartë me nevojat e tregut. Ne kemi përpunuar një program të veçantë për punësimin e të rinjve, ne konsiderojmë  gjënë më kryesore, punësimin tuaj. Ne duam që pas investimit që ju bëni, për të bërë të vërtetë  ëndrrën tuaj universale, duam që ju  të keni mundësi të ndërtoni ëndrrën e shndërrimit të diplomës, e shndërrimit të dijeve që  ju morët, në një mirësi të madhe për vete dhe familjen. Ta përdorini atë për projekte  të reja, që ju bëjnë ju, gjithnjë e më të rëndësishëm, gjithnjë e më të dobishëm në familjen dhe shoqërinë tonë. Ne do të bëjmë gjithçka, për një jetë më të mirë.

Meqë jam me studentët, më duhet të përsëris një lutje, një kërkesë ndaj jush. Kjo Shqipëria që jetoni ju sot është absolutisht një Shqipëri e ndryshme si dita me natën, me Shqipërinë që ne kemi jetuar dje. Shqipëria,  në të cilën ne kemi jetuar ishte Shqipëri mjerimi, por mjerimi në atë shkallë, sa sot nuk ia vlen të tregohet , aq i tejskajshëm në  pjesën dërrmuese të Shqipërisë. Ishte Shqipëria  e mbyllur, e rrethuar me klone, me tela me gjemba. Ishte Shqipëria, e cila në mënyrën më të shpërfytyruar  u ndaluan besimet fetare. Natyrisht  këto akte, e bënin Shqipërinë vendin ndër më të përçudnuarit në botë. Shqipëria juaj not është tjetër dhe ju jeni fatlum që nuk e njihni atë Shqipëri. Shqipëria juaj sot është vend i lirë, është vend anëtar i NATO-s, është vend i qytetarëve që lëvizin të lirë në Europë. Shqipëria  juaj ende nuk është vend i zhvilluar, por një gjë duhet ta dini. Treguesi  më themelor i zhvillimit është rritja ekonomike, rritja e prodhimit të brendshëm. Kjo Shqipëri, falë vëllezërve, motrave, nënave, baballarëve tuaj , reformave të qeverisë, është vendi i vetëm, që në 21 vite ka rritur prodhimin e brendshëm  të saj 11 herë, këtë se ka bërë as edhe një vend tjetër. Para dhjetë ditësh isha në Baku, kryetarët e shteteve dhe qeverive aty, raportonin rritje të mëdha, 8 herë, 5 herë, 6 herë, por raportonin gjithashtu rezerva me trilion metër kub gazi, mijëra tonelata miniera floriri, naftë. Unë u ngrita aty dhe ju thash se vendi im është rritur 11 herë dhe është rritur vetëm në sajë të lirisë, vetëm nga shfrytëzimi që shqiptarët i kanë bërë lirisë së tyre individuale, iniciativës së tyre të lirë dhe reformave që janë përcaktuar . Shqipëria sot ka disa tregues themelor, të barabartë ose më mirë se disa vende të zhvilluara. Ka jetëgjatësinë mesatare nga lindja, më të madhe se nëntë vende anëtare të Bashkimit Europian dhe këto janë statistika, të cilat ju i klikoni në internet  dhe gjeni institucionet me serioze të botës, të cilat janë në listën e jetëgjatësisë së vendeve, nuk përbën propagandë. Shqipëria sot ka vdekshmërinë foshnjore një shifrore. Shqipëria sot ka vdekshmërinë të nënave  në lindje,  ndër më të ultat në botë.  Shqipëria sot ka vdekshmërinë e përgjithshme me të ulet se të gjitha vendet ish-komuniste që janë vende anëtare të Bashkimit Europian. Shqipëria kishte një infrastrukturë të botës së tretë, por po ndërton tani një infrastrukturë ndër më modernet. Shqipëria , ka ndërtuar rrugë këto vite, thotë Komisioni Europian, më shumë se i gjithë rajoni i marrë  sëbashku. Ekonomia shqiptare, fryt para së gjithash i lumenjve të djersës së qytetarëve shqiptare, por edhe i reformave të qeverisë, është nga më të paktat që  nuk ra në krizë, nga më të paktat dhe dje unë në Mbledhjen e Qeverisë, lexova raportin e fundit të Komisionit Europian. Ju jeni studentë dhe duhet ta dini, që ekonomia sot është fusha më e  ndërkombëtarizuar, dmth shqyrtimi i ekonomisë  së një vendi, vlerësimi i ekonomisë së një vendi është subjekt i vazhdueshëm i institucioneve më serioze ndërkombëtare. Pse?  Gjithnjë është kështu, por tani dy herë më shumë për shkak të krizës. Ato përpiqen dhe rrinë në vigjilencë , se ku ka probleme dhe si mund të parandalohet, si mund të ndërhyhet dhe ku ka politika të gabuara, që duhet të shpallen publikisht që nuk janë të drejta dhe janë këto institucione, të cilat kanë çmuar në mënyrë të përsëritur, se reformat e qeverisë mbrojtjen ekonominë shqiptare nga kriza. Dje unë po lexoja, raportin e fundit të Komisionit Europian, i cili thoshte; se Shqipëria, pati një ulje të lehtë të papunësisë, Shqipëria pati një ulje prej 0.5 përqind të papunësisë, por fatmirësisht që kjo ulje e papunësisë ishte 6.8 përqind në qytet, në fsha më pak. U ndala këtu për të thënë, se Shqipëria nuk është më ajo që ka qenë. Shqipëria juaj është një Shqipëri, krejt tjetër  dhe ka shumë nevojë që ju të mos ndikoheni, sepse po të merrni propagandën për Shqipërinë, në propagandën sot shqiptare, nuk është Shqipëria e sotme. Në propagandën  e sotme shqiptare, është Shqipëria e djeshme  dhe kjo është një fatkeqësi e mediave që ju ka mbetur ora aty ku nuk duhet t’ju mbesë. Ju duhet të lexoni më shumë, në dokumente. Pse e them këtë? E them këtë, sepse Shqipëria ka nevojë ta doni ju, Shqipëria ka nevojë të krenoheni me të, sepse nuk ka diskutim që interesi shoqëror, interesi kombëtar përbën,  një nga shtyllat më themelore, të motivimit të çdo individi dhe është interesi më kryesor, sado që njeriu mund të mendojë se është i lartë, nuk ka interes më personal sesa interesi i përgjithshëm.

Unë ju falenderoj dhe do të isha shumë i lumtur, që ju të ishit të hapur në mendimet tuaja në çdo gjë që ju dëshironi të paraqisni tek unë.

-Përshëndetje zoti Kryeministër. Qeveria juaj përveçse arritjeve të mëdha do të mbahet mend edhe si qeveria, e cila përkrahu fuqishëm arsimin profesional. A do të ketë përkrahje  ky arsim edhe në mandatin tuaj të ardhshëm dhe a besoni  se në bashkëpunim me faktorët  e tjerë do të jetë më i hapur tregu  i punës?

Kryeministri Berisha: Faleminderit shumë për pyetjen. E vërteta është  se qeveria është e përpjekur, por dua të jem  i sinqertë me ty, qeveria nuk ka arritur dot ende objektivin që ka pasur në arsimin profesional. Nuk ka arritur për dy arsye, së pari; fillimisht në përpjekjen tonë, prindërit demonstronin një koncept jo ka dashamirës ndaj arsimit profesional, dhe unë mund t’ju jap  një shembull juve. Çfarë bëmë ne për ta inkurajuar, garantuam bursa, për të gjithë fëmijët e zonave rurale që donin të ndiqnin arsimin profesion kudo. Ato bursa u përdorën por gjysma mbetën pa përdorura, pra nuk është se patëm një pasion, i cili tani po vjen në rritje. Kjo ishte çështje e shoqërisë, por edhe qeveria kishte problemin  e vet. Qeveria, jo në kohë u përqendrua tek arsimi profesional bujqësor. Po të shkoni sot në fshatra, ju gjeni një numër shumë të madh biznesesh. Çdo fermë që  unë kam vizituar, në mënyrë të përsëritur fermerët  më shtronin problemin e kualifikimit, e profilizimit, e shkollimit të punëtorëve të tyre. Tani e kemi kapur dhe ne do të bëjmë gjithçka të ecim drejt arsimit profesional,  sikundër ekuivalenca e plotë e diplomave do të jetë e garantuar. Ne do të ekuivalentojmë diplomat të përgjithshme apo profesionale pa asnjë dallim. Nuk ka asgjë më të rëndësishme, ose shtyllë themelore sot, që të faktohet tregu i punës, tiparet dhe karakteristika e tij. Një nga kushtet më kryesore për një treg pune të përshtatshëm është trajnimi i vazhdueshëm i tij. Ti mbaron sot për mësuesi, ke mbaruar histori-gjeografi, por kur bën llogaritë, gjen që në shkollat e Gjirokastrës  ka kaq shkolla dhe kaq mësues histori-gjeografie dhe disa prej tyre janë afër moshës së pensionit. E shikon që shansi për histori-gjeografi nuk është në pritshmërinë tënde, ti duhet të kesh të drejtë të bësh zgjedhjen e dytë.    Për një arsye apo për një tjetër, në sistemin e punësimit nuk gjen vend. Cila është zgjidhja? Zgjidhja është se ti si jurist, si mësues  duhet të  kesh mundësi, të përshtatesh me një degë tjetër ku mund të gjesh punë. Arsimi dhe shkollimi profesional mbetet një nga drejtimet më kryesore të katër viteve që vijnë. A do të mund ta realizojmë? Po. Pse do të mund ta realizojmë? Sepse këto vite ne kemi krijuar dy zhvillime shumë pozitive, shkolla profesionale në tërësi sipas modelit gjerman dhe zviceran dhe të ngritur prej tyre, të niveleve më të mira, shumëdegëshe, nëndegëshe, me kurikula të marra po nga ato vende dhe së dyti, kemi krijuar qendra trajnimi profesional. Çfarë nuk kemi krijuar akoma dhe do të krijojmë? Nuk kemi krijuar mekanizmin financiare të mbështetjes. Mekanizmi financiarë i mbështetjes, kërkon një reformë, e cila fondet që ne kemi   përdorur për të mbështetur papunësinë dhe ndihmën ekonomike ti përcjellim tek këto zyra. Mekanizmi kërkon që zyrat e punësimit  të jenë zyrat më dinamike të vendit. Mekanizmi  kërkon, qenë të zhvillojmë krahas zyrave publike të punësimit, zyrat private të punësimit. Mekanizmi kërkon , që ne të përcaktojmë bonuse për agjentët e punësimit, për numrin e të papunëve që punësojmë, në një ndërmarrje. Mekanizmi kërkon që ne  të përcaktojmë sistem mikrokreditimi mbi bazën e projekteve për ata të rinj të cilët duan ose besojnë se do të hapin një biznes të rëndësishëm. Ne pra do të përqendrohemi  shumë tek arsimi profesional.

 -Përshëndetje, doja të dija cilat janë programet e qeverisë së ardhshme në fushën marrëdhënieve e ndërkombëtare, sidomos me shtetet  fqinje duke pasur se herë pas herë ka pasur luhatje me to?

Kryeministri Berisha: Faleminderit. Programi i Partisë Demokratike ka qenë është dhe mbetet përpjekjet më serioze për miqësi, bashkëpunim dhe integrim rajonal. Ne nuk heqim dorë kurrë nga një politikë e tillë. Midis vendeve fqinj, sikundër edhe midis fqinjëve ne lagjet apo vendet ku banon , gjithnjë krijohen probleme të pa shmangshme, të cilat në vendet demokratike  zgjidhen mbi bazën e dialogut, por ne jemi të vendosur të bëjmë përpjekjet më të mëdha, për një fqinjësi sa më të mirë me vendet fqinje. Unë po pres me shumë interes finalizimin e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje e cila hap një kapitull të ri midis këtyre dy vendeve, por edhe midis shqiptarëve dhe serbëve. Mora si shembull.  Marrëdhëniet   tona me Greqinë, ka një investim madhor 20 vjeçar në drejtimin e duhur. Një projekt tjetër i madh bashkon dy vendet tona në interesin më të mirë të kombeve respektive. Çdo  problem që ekziston ne jemi të vendosur të dialogojmë. Një gjë është e sigurtë Shqipëria nuk ka pasur dhe nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë vendi, përkundrazi ajo beson dhe mendon se kufijtë ndërkombëtar aktualë janë interesi më i mirë i shqiptarëve.

  -Student i gjuhë-letërsisë. Prej 6 vjetësh ne kemi marrë Shtëpinë e Oficerëve për ta shndërruar në fakultet. Ajo kërkon investime për tu shndërruar në fakultet. Ne nuk kemi të ardhura për ti bërë vetë investimet si universitet ndaj do të kërkoja nga ju të bashkoheni për të bërë investimet  nga buxheti për vitin 2014?

Kryeministri Berisha: Patjetër ajo do të bëhet, do t’ju rrëfej një sekret. Kam pasur shumë dëshirë që nga universiteti të mund të zhvendosim në qafë-pazarit ose në atë zonë, pjesë të universitetit. Pse? Me qëllimin  e vetëm, gjallërimin e saj. Gjallërimin e Gjirokastrës historike, por kjo po vështirësohet. Pse po vështirësohet, sepse nuk po  ndërtohet një parkim. Unë ndiej keqardhje që z. Flamur me gjithë angazhimin tonë me Institutin e Monumenteve të krijohet mundësia e ndërtimit të një parkimi.  Por ju garantoj se do të ndërtohet dhe ne do të investojmë edhe në Shtëpinë e Oficerëve dhe do të jetë në buxhetin e vitit që vjen.

-Në kuadrin e futjes së Gjirokastrës në UNESKO-s , do të doja të dija nëse qeveria shqiptare në këtë plan të ardhshëm ka projekte për promovimin, mbrojtjen e vlerave arkitekturore të pjesës muzeale të Gjirokastrës?

Kryeministri Berisha: Absolutisht që qeveria shqiptare ka dhe do të ketë fondet të fuqishme për të mbështetur restaurimin, ruajtjen dhe zhvillimin  vlerave arkitekturore të qytetit të Gjirokastrës. Janë një seri banesash, në mos gaboj tani së fundmi Babametot, Hani i Zagorisë, nuk e di nëse familja e Hangonatëve, pasi janë shtëpi të mrekullueshme dhe unë jam mrekulluar kur i kam vizituar ato. Shtëpi mbi kala, sepse zakonisht ndërtohen poshtë kalasë, por këta fisnik gjirokastrit rrinë mbi pashain.   E kemi dhe do të vazhdojmë. Uroj që shumë shpejt të përfundojmë shtëpinë  muze të Ismail Kadaresë, shtëpi e cila do të ketë një peshë shumë të veçantë në pasuritë e qytetit. Jam i informuar që edhe turistët po shtohen. Do të bëjmë gjithçka edhe për ujësjellësin. Po investojmë në infrastrukturë. Unë tani po vij nga Picari, pasi duhet ta urbanizojmë gjithë vendin.   Këtu në luginë, kemi shumë pak të paasfaltuara. Do të bëjmë gjithçka që pasuritë kulturore të Gjirokastrës të bëhen sa më të njohura dhe të mbahen sa më mirë. 

 -Përshëndetje. Pyetja ime ka të bëjë me politikën subvencionuese që ka të bëjë me pemëtarinë, blegtorinë dhe bujqësinë. A do të ketë shtrirje kjo paketë edhe në mandatin katër vjeçar që po vjen  cilat janë garancitë që qeveria do të ofrojë lidhur me tregun e këtyre produkteve ?

Kryeministri Berisha:  Në Shqipërie, diferenca midis qytetit dhe fshatit, tragjikisht ka qenë e jashtëzakonshme . Po ka qenë e jashtëzakonshme nëse ju filloni e lexoni libra të viteve 800 apo fillimit të viteve 900. Diferencë e jashtëzakonshme dhe ka vazhduar kjo diferencë në tërësinë e vet.  Ne jemi vend që kemi patur qytete. Po të lexoni  ju për Gjirokastrën, në vitin 1680 ju gjeni që Gjirokastra ka qenë qytet, në përshkimin e gjithë qytetit dhe me jetë qyteti. Me të gjitha doket dhe zakonet e një qyteti. E tillë ka qenë Delvina në atë kohë, sepse ka qene sanxhak  në atë periudhë dhe kështu me radhë. Por po të lexoni se cili ishte rrezatimi i këtyre qyteteve në Shqipërinë rurale , ishte stërminimal. Shqipëria rurale dhe Shqipëria në tërësi, jetonte në parcela tmerrësisht të izoluara. Pse? Vetëm për shkak të mungesës së infrastrukturës  për asgjë tjetër. Jo se ishte një vend i pafund, ishte një vend i vogël , por për të arritur nga Gramshi në Elbasan të duhej një ditë. Ndaj dhe Gramshi , Tropoja e vende të tjera zhvilloheshin sikur të ishin republika të veçanta në kuptimin e jetesës. Pra, ne zhvillimin rural e përcaktuam përparësinë më kryesore. Në vitin 2005, unë ju them ju se Shqipëria nga 18300 kilometra rrugë, kaq është inventari i rrugëve të Shqipërisë, kishte të asfaltuara 2430 kilometra. Absolutisht nga Tropoja deri në Delvinë, pjesa dërrmuese e rretheve të vendit, nuk kishin qoftë edhe një kilometër rrugë të asfaltuar jashtë akseve kombëtare. Ne kemi asfaltuar nga 2006 e deri më sot mbi 10 mijë kilometra rrugë, nga të cilat mbi 8 mijë janë në Shqipërinë rurale dhe janë prapë së paku edhe 2 mijë të tjera për tu asfaltuar, të tjerat pastaj janë rrugë të shfrytëzimit të maleve, të pyjeve të minierave të braktisura etj, por ku banojnë njerëz  janë kaq. Për këtë qëllim ne 60 përqind të të gjithë buxhetit e kemi  investuar në Shqipërinë Rurale, në rrugë, në shkolla, ujësjellësa, kanalizime, me qëllimin  e vetëm që ata të kenë infrastrukturën me lagjet e qyteteve, që fëmijët e tyre të ulen në shkollat e tyre, njëlloj si fëmijët në qytet. Qytetarët duhet të jenë të barabartë në shërbime. Tjetër. Ne filluam subvencionin me grande, pra ju japim para falas  mbi bazën e projekteve. Unë fillimisht  kam qenë skeptik për vete, kam qenë skeptik jo vetëm për faktin se dhurata   nuk vlerësohet thotë një filozof, por vetëm e vetëm sesi do të eci dhe mendoja se më mirë të ishte një lloj kredie pa interes, si kusht për ta detyruar që të punojë, por mund të them se ka ecur shkëlqyer dhe shumë shpejt jam bindur se hezitimi im nuk justifikohej. Ne ju kemi dhënë 42 mijë fermerëve, subvencion për projektet e tyre. Ne kemi subvencionuar pemëtarinë, serat, blegtorinë, agrobiznesin, bletën , tani do ta shtrijmë në çdo degë. Pse? Bujqësia është sektori që mund të dhjetëfishojë prodhimin , është e faktuar shkencërisht se ky sektor dhjetëfishon prodhimin. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë mirëqenie për të pjesë të popullatës që jeton në fshat dhe së dyti do të thotë për shoqërinë, një mundësi shumë e mirë për të krijuar balancën tregtare dhe kjo përben një shtyllë shumë të rëndësishme të ekonomisë së vendit. Çfarë do të bëjmë. Ne do të trefishojmë grandet, ne një shumë më të madhe sesa ky trefishim. Sepse ky trefishim shkon tek 170-200 milion, por një shumë më të madhe do të përfitohet nga fermerët nga heqja e TVSH për çdo lloj inputi dhe importi që përdor. Heqjen e TVSH e konceptuam si një shpallje pa TVSH të të gjitha këtyre. Fermerët reaguan dhe thanë se nuk na ndihmon. Nuk na ndihmon, sepse TVSH e mban tregtari dhe e kishin drejt. Tani përpunuam skemën e dytë dhe do t’ju japim para në dorë, TVSH e çdo produkti që ata përdorën për të nxitur prodhimin përfshirë naftën për punimin e tokës. A është ky një shpenzim? Po. Ky është një shpenzim i konsiderueshëm. Por a duhet  ta bëjmë? Plotësisht. Ne duhet ta marrim bujqësinë në mënyrën më serioze. Duhet të bëjmë gjithçka të shfrytëzojmë çdo potencial të tokës, pasi toka është një pasuri shumë e rëndësishme për çdo komb dhe ne duhet ti kthehemi tokës. Tani po vij nga Picari dhe një fshatar nga Golemi më tha s ene kemi 15 mijë kokë dele por të garantoj se mund të behën dhe 150 mijë në qoftë se qeveria i mbështet ata dhe duhet ti mbështesësh çobanët, sepse jetën e kanë shumë të vështirë. Kur ti i mbështet ata ndihen më të sigurt dhe ne do ta bëjmë atë.

-Përshëndetje. Çfarë do të ndodhë me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropianë. A mendoni ju tashmë pas shumë bllokimesh nga ana e opozitës ne jemi ende në kohë për të qenë pjesë e BE? 

Kryeministri Berisha: Faleminderit për pyetjen. Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe progresi drejt çdo institucioni, është një proces i kushtëzuar dhe ana pozitive e këtij kushtëzimi, sepse në tërësinë e tyre absolutisht të gjitha këto kushte, konvertohen në standarde më të mira për qytetarët e vendit. Ne kemi plotësuar një seri kushtesh për NATO-n  dhe sot  Shqipëria është më e sigurt se kurrë në tërë historinë e saj. Ne plotësojmë shumë kushte për në Bashkimin Evropian dhe në këto kushte Shqipëria, ndërtohet si vendi më i sigurt,  më i lirë ndaj dhe ne ecim. Reformat që ne kemi bërë. Janë reforma të cilat janë vlerësuar dhe pranuar dhe kjo jo me fjalë, por u hoqën vizat. Heqja e vizave, nuk ka qenë proces i lehtë, ka qenë proces shumë i vështirë për shqiptarët, sepse në metropolet e Evropës në mendjet e tyre akoma ishin emigrantë që largoheshin nga Shqipëria dhe bashko këtu edhe përpjekjet me e-maile se do t’ju vijnë kaq e aq shqiptarë nëse liberalizoheshin vizat. Ne nuk u mërzitëm. 120 kërkesa kishte pyetësori i vizave, i morëm një nga një dhe ju thamë urdhëroni, sillni njerëz, ti prekin, ti shohin në vend të gjitha dhe erdhën. Kryetarë shtetesh të Europës, dërguan njerëzit më të besuar të tyre, i panë në vend, u larguan dhe patën prej tyre që thanë se i keni më të mira se tonat sepse ishin sisteme te reja. Po kështu statusi. Statusi , ju e dini që del një raport çdo vit i Komisionit Europian dhe raporti përfshin të gjitha fushat  e jetës së vendit, pa përjashtim nga shkollat , tek spitalet, burgjet, rrugën, ekonominë , çdo gjë. Ky raport është një vlerësim ku je, çfarë ke bërë e çfarë nuk ke bërë. Mbi bazën e këtij raporti të fundit, Komisioni Evropian doli me konkluzionin, Shqipëria meriton statusin  e vendit  kandidat, por për t’jua çuar ministrave të të jashtëm, Shqipëria duhet të votojë tre ligje. Pse  e beri këtë? marrim anën pozitive. Ana pozitive  e këtij qëndrimi ishte meqenëse këto ligje duhet ti votonte edhe opozita, sepse qeveria nuk kishte vota, atëherë të kishte edhe opozita aksionet e saj në procesin e Integrimit Europian dhe kjo ishte shumë e drejtë, nuk mund ta qortosh. Në mënyrën më paradoksale, më të pakuptimtë, zoti Rama një shans  që iu dha në dorë, iu dha një letër në dorë që t’ju thoshte shqiptarëve, ja kërkesat unë i plotësoj, por qeveria të vazhdojë të vetat, ai i bllokoi. Pse i bllokoi? Jo se Partia Socialiste ka në program anti-integrimin. Jo nuk e ka këtë, por i bllokoi se mendoi se duke marrë statusin do të fitojë kapital politik më shumë qeveria. Kapital politik me statusin, sigurisht që qeveria do të fitojë, por do të fitojë edhe opozita edhe shoqëria shqiptare. Unë gjykoj se e ka gjykuar shumë gabim, sepse shqiptarët nuk mund të pranojnë që të bllokohen për tre ligje dhe pasojat janë shumë të mëdha. Më pyete për fshatin. Më shumë se çdo gjë tjetër Komisioni Evropian, subvencionon bujqësinë . 50 miliard euro subvencionime për bujqësinë e vendeve anëtare. 3 euro në ditë për çdo lopë që mbarështrojnë etj. Absolutisht statusi do të çelte një program shumë të fuqishëm subvencionimi për fermerët shqiptarë. Statusi, çfarë sillte? Ne kemi  një milion emigrantë. Dhjetëra mijëra prej tyre kanë plotësuar kushtet e pensionit dhe nuk iu njihet puna në Shqipëri. Në qoftë se Shqipëria merrte statusin, automatikisht atyre iu njiheshin vitet e punës dhe përfitonin pensionet që meritojnë. Statusi, ju jepte juve mundësinë të aplikoni në shkollat më të mira të vendeve anëtare. Pasojat janë jashtëzakonisht të papërshtatshme, kam besimin e madh që zgjedhjet do ti japin përgjigjen më të merituar këtij problemi.

-Përshëndetje, aktualisht jam duke zhvilluar praktikën profesionale për profesionin e rregulluar të mësuesit . Çfarë  do të parashikojë qeveria për punësimin e të gjithë mësuesve të rinj pasi të kenë dhënë edhe provimin e shtetit?

Kryeministri Berisha: Pyetje e drejtë. Së pari po e kap pak më gjërë. Me Ministrinë e  Arsimit unë kam diskutuar dhe do të bëjmë gjithçka, për një rritje të mëtejshme të cilësisë së fakulteteve të mësuesisë. Po të më pyesësh mua se cilat do të doje të ishin fakultete elitë, unë të mësuesisë do të votoja. Së dyti në pamje të parë krijohet ide, se po nxjerrim shumë mësues, por nuk  e gjykoj kështu. Pse nuk e gjykoj kështu? Përsëri nuk kemi arritur aty ku duhet të jemi në standatin mësues-nxënës. Përsëri, nuk kemi arritur aty ku duhet të jemi në nivelin e arsimit parashkollor , që është shumë i rëndësishëm. Po bëjmë tani një riorganizimit të ri, po ndajmë 6 vitet e  para. Është faktuar se këto 6 vite kanë më shumë   lidhje njëri me tjetrin. Fëmijët psikologjikisht janë më të afërt njëri me tjetrin sesa pas gjashtë vitesh. Zvogëlimi i klasave , do të krijojnë mundësira për hapje vendesh të reja punë për mësuesit. Ritmi i pensionimit , ai që është. Dilema se një i ri duhet ti diktohet dega apo ta zgjedhë ai degën , unë  jam që ai të zgjedhe degën. Do ti jepja përparësi të drejtë të riut, për të zgjedhur degën. Unë e di që zgjedhja , jo gjithnjë mund ta çojë atë në destinacionin që do, rrugës mund të konstatojë se zgjodhi gabim, në fund mund të konstatojë se ka një mure përpara dhe e ka të vështirë ka kapërcejë , por sërish në këtë proces, atij duhet ti krijohet mundësia e shansit të dyte dhë këtu duhet të synojmë edhe me fakultetet e mësuesisë. Nuk mund them sot se ka në juridik e Tiranës janë 2500 studentë, unë jam  shumë i kënaqur që janë, ka edhe fakultete të tjera , këta janë futur me vullnet dhe kanë bërë zgjedhjen e tyre, detyra jonë është të punojmë për një shans të dytë për ta, nëse shansi i parë nuk iu funksionon. Duhet  të dalim nga koncepti i ngurtësisë, që mbarova këtë degë dhe kaq. Jo. Mbarova këtë degë, e gjeta vetën do vazhdoj, se gjeta do të provoj diçka tjetër.  Ky është mendimi im.

-Dua t’ju pyes zoti Kryeministër, se cilat janë objektivat tuaja për katër vitet e ardhshme ne lidhje me infrastrukturën e vendit?

Kryeministri Berisha:  Programet  tona për infrastrukturën. Së pari finalizimi i programeve në vazhdim, Boshti i Jugut , Rruga e Arbërit, që janë të mëdha, të tjerat pastaj nuk janë të një karakteri kaq të madh. Të dyja këto janë ndërtime shumë  të kushtueshme , për shkak të terrenit ku kalojnë. Por Boshti i Jugut po ecet në segmentin Tiranë-Elbasan, në segmentin Elbasan-Dumre dhe do të fillojë së shpejti Kuçovë drejt Dumresë, pastaj mbetet segmenti Memaliaj-Berat, sikundër po ndërtojmë edhe rrugën e vjetër , po ecim drejt Ballabanit dhe do të ishte mëkat nëse nuk e çojmë Berat më vonë. Ajo kalon në një zonë shumë panoramike. Ne do të asfaltojmë rrugën në që lidh çdo fshat të këtij vendi që lidh qendrën e komunës dhe qendrën e komunës me rrugën kombëtare . komuna kanë mbetur shumë pak pa u lidhur dhe janë në veri midis Peshkopisë-Mirditës-Kukësit, janë në zonën midis Skraparit-Korçës-Kolonjës, midis Librazhdit dhe Peshkopisë, por jemi afruar. Ujësjellësat, sot 97 përqind, marrin ujë të rrjedhshëm. Do të çojmë ujë të rrjedhshëm kudo dhe do të bëjmë gjithçka që të arrijmë në 24 orë ujë të rrjedhshëm. Do të finalizojmë projektin e shkollave, ne duam që nxënësit të ulen kudo në shkolla të reja moderne ose të rindërtuara.  Jemi të vendosur të ndërmarrim një sistem vaditje më modernin që ekziston. Shumëfishimi i prodhimit bujqësor është një qëndrim i pa ndryshueshëm i yni. Do të bëjmë gjithçka për një infrastrukturë moderne turistike në zonat bregdetare, kemi investuar shumë dhe kemi ndërtuar mbi 500 kilometra rrugë pa akset kombëtare por që zbresin akset kombëtare drejt detit. Do të çojmë infrastrukturë drejt zonave malore. Kemi dalë në Çajup, do të shkojmë në Zagori. Ky nuk është sot aktual por nesër turizmi malor do të jetë shumë i zhvilluar. Zagoria është një nga zonat më të bukura të Shqipërisë. Do të përpiqemi të ecim drejt maleve. Do të heqim taksat 7 vite për ata që investojnë në zonat malore. Po të shohësh Austrinë dhe disa vende që s’kanë dete ato kanë një turizëm malor që shfrytëzohet nga gjithë bota dhe ne do të bëjmë çmos për të shfrytëzuar këtë potencial.

-A ka parashikuar Partia Demokratike që në katër vitet që vijnë të ketë projekte për nxitjen e punësimit në Shqipëri?

Kryeministri Berisha: Çdo reformë e jona, çdo gjë që ndërmarrim, nëse do më pyetje se cili do të ishte qëllimi kryesor, punësimi do të thoja dhe vetëm punësimi. Pa diskutim ky përbën dhe duhet të përbëjë problemin numër një në distancë për çdo qeveri. Në një kohë shumë të vështirë, Shqipëria ia doli të mos bjerë në recension, të mos bjerë në krizë dhe të ruajë ritmet e punësimit. Po lexoja raportin e Komisionit Europian për vendet jo anëtare. Çfarë thoshte, Islanda, Turqia, Shqipëria, ishin të vetmet vende me rritje ekonomike. Po kishte diçka dhe më pozitive. Shqipëria pati një rritje 1.7 përqind, zakonisht në këtë nivel më optimalja është të kesh dhe një rritje të punësimit 1.7 përqind. E vërteta është tjetër dhe që më gëzoi shumë. Statistika tregonte se Shqipëria kishte një rritje punësimi 6.8 përqind për qytetin. Jashtëzakonisht pozitive. Ka dy lloj rritjesh. Rritja e parë është ajo që thash, për përqindje të rritjes ke përqindje të rritjes së punësimit. Ka një rritje tjetër, e cila për përqindje të rritjes ekonomike, ke një rritje shumë të madhe të punësimit dhe nëse më parë fola për tregun e punës, kjo qëllimin kryesor e ka që për një përqindje të caktuar rritje ekonomike, të kesh maksimumin e rritjes së punësimit. E vërteta është se ne e kishim tre herë më të madhe rritjen e punësimit, sesa rritjen ekonomike. Çfarë po bëjmë ne. Për të rritur punësimin ne hoqëm çdo taksë, mbi çdo kapital. Ky është qëndrimi më ideal që mund të mbahet. Ne nuk kishim taksë për kapitalin financiare, tani  e hoqëm për çdo lloj makinerie dhe për çdo kapitali që importohet dhe ky është një inkurajim shumë i madh për biznesin, sepse ai me 20 përqind më ulët, ka një hapësirë 20 përqind më lirë. Përveç  kësaj ne i premtuam biznesit, sepse çdo sektor ka krahun  e punës.  Ne premtuam se për çdo të ri të punësuar tre vjet pa asnjë taksë. Imagjinoni ju që nëse ti nesër merr një kredi dhe vendos të hapësh një biznes dhe punëson  4-5 punëtorë  të rinj, nuk paguan sigurime shoqërore i paguna qeveria, nuk paguan sigurime shëndetësore i paguan qeveria , nuk paguan nën rrodhen 30 mijë lekë taksë mbi të ardhurat personale, pra të gjitha këto shpenzime që do të mbuloheshin një pjesë nga sipërmarrësi, ty të japim mundësi të përdoresh për investime dhe të shtyn më mirë drejt suksesit dhe kjo është një masë e madhe e rëndësishme për punësimin. Në Tiranë po ndërtohen dy parqet e para logjistike industriale. Gjithnjë jemi përpjekur për to, më në fund po arrihet, një e ndërton një nga familjet më të shquara gjermane dhe tjetrin e ndërton një grup shqiptaro- amerikan, të dyja sëbashku kanë 30 mijë vende pune. Hapja  e kësaj eksperience në vende te tjera është gjenerator punësimi . Gjithçka fola pak më parë për fshatin kanë si synimin më madhor krijimin e vendeve të punës në fermat tona. Ju keni parë që kam vizituar serat dhe kam gjetur sera ku punonin 12 punëtor, kam gjetur ferma lopësh  që punon 40 punëtor si dhe sektorë të tjerë. Gjithnjë duhet të kthehemi, në fshat në Shqipërinë rurale po zhvillohet realisht me shpejtësi një biznes i fuqishëm. Gjithçka fola për bujqësinë ka si synim konsolidimin e tyre dhe krijimin e vendeve të punës dhe mendoj se heqja e tatimit për të ardhurat  personale do të thotë për sipërmarrësin një hapësirë më e madhe do të thotë për punëtorin një rrogë shtesë.

-Cili është mesazhi juaj për të rinjtë gjirokastrit, por dhe ata shqiptarë në përgjithësi?

Kryeministri Berisha: mesazhi im për të rinjtë gjirokastrit dhe shqiptarë është ky. Do të bëjmë gjithçka, për shkollimin sa më të mirë të tyre. Do të bëjmë gjithçka për punësimin sa më të shpejtë të tyre, do të bëjmë gjithçka për një jetë sa më cilësore, më të mirë për ta. Do të bëjmë gjithçka që ëndrra e tyre Evropiane të bëhet realitet sa më shpejt. Mendoj se në këtë kuadër çdo i ri shqiptarë do të dijë të zgjedhë dhe ka të drejtë të zgjedhë atë që do.

Faleminderit”.


19/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›