Kryeministri Berisha niset drejt SHBA-së, i ftuar në Mëngjesin e 57-të Kombëtar të Lutjeve

Me ftesë të Komitetit Kongresional dhe nga dy anëtarët e Kongresit
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha, së bashku me bashkëshorten e tij, u nisën dje drejt SHBA-së për të marrë pjesë në Mëngjesin e 57-të Kombëtar të Lutjeve, ceremoni e cila do të mbahet ditën e enjte (5 Shkurt), në Washington D.C. Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, mësohet se kreu i Qeverisë shqiptare është i ftuar të marrë pjesë në këtë ceremoni nga Komiteti Kongresional, që përbëhet nga 36 senatorë dhe anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA dhe nga anëtarët e Kongresit Vernon J. Ehlers dhe Heath Shuler.
Në këtë mëngjes kombëtar lutjesh marrin pjesë kongresmenë, senatorë, drejtues të Kongresit dhe administratës së Presidentit Barack Obama, si dhe liderë dhe të ftuar nga 160 vende të botës.
Pjesëmarrësit në këtë ceremoni do t’i luten Zotit për të forcuar marrëdhëniet dhe për të çuar më tej frymën e bashkëpunimit dhe shpirtit të miqësisë.