Kryeministri Berisha: Fermerët korçarë, së shpejti do të bëhen të njohur në mbarë Europën për prodhimet e tyre
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e fabrikës së re të përpunimit të mishit, të kompanisë TONA Co.
Kjo është një fabrikë nga më modernet në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit në fushën e përpunimit të mishit dhe përbën një investim shumë të madh në sektorin e agro-industrisë shqiptare në 2-3 vitet e fundit.
Fabrika re ka një sipërfaqe prodhimi dhe frigoriferike prej 2000 metër katror, me një vlerë investimi prej 2 milionë eurosh. Kompania TONA. co është një ndër kompanitë më të vjetra private agro-ushqimore në Korçë, e cila e ka filluar aktivitetin e saj që në vitin 1992.
Duke vlerësuar këtë fabrikë të re, Kryeministri Berisha u shpreh se Kompania TONA inaguron sot fabrikën e re të përpunimit të mishit dhe produkteve të tij. “Kjo kompani është e njohur në mbarë vendin për cilësinë e shkëlqyer të prodhimeve të saj. Ajo e ka nisur punën me 3 asortimente dhe sot prodhon 47 asortimente, të cilat i konsumon tregu i vendit. Kjo kompani ka marrë tashmë edhe certifikatën ISO dhe do të dalë së shpejti edhe në tregun ndërkombëtar”, tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri shprehu falënderimet për drejtuesit e kompanisë për investimin e shkëlqyer si dhe USAID-in për mbështetjen financiare dhënë në këtë drejtim. Gjithashtu Kryeministri uroi drejtuesit e kompanisë për një sukses gjithnjë e më të madh jo vetëm në tregun vendas por edhe në atë rajonal dhe europian.
“Korça europiane nuk mund të mos ketë edhe komponentin e saj të fuqishëm bujqësor. Ky qark po njeh një zhvillim të fuqishëm që kurrë nuk e ka pasur ndonjëherë. Fermeri korçar do të bëhet së shpejti prodhuesi kryesor i mollës në Ballkan, prodhuesi kryesor në mbarë Europën për prodhimet e qumështit dhe prodhimet e tjera. Këtë vit, u informova se fermerët e Korcës, me mençurinë e tyre, kanë rritur me 20 për qind sipërfaqen e mbjellë me grurë. Ata ndjekin tregun me përkushtim të madh”, u shpreh Kryeministri.