Kryeministri Berisha: Po përmbushin premtimin për evropianizimin e infrastrukturës në të gjithë vendin
Në vijim të vizitës së tij në qytetin e Korçës, Kryeministri Berisha inauguroi tre rrugë në brendësi të këtij qyteti, përkatësisht rrugën, Ismail Latifllari në lagjen 13, rrugën Riza Cerova në lagjen 6 dhe rrugën Xhafer Cenko Lubonja në lagjen 7, rrugë të cilat lidhin këto lagje me rrugën kryesore të qytetit.
Kryeministri theksoi se këto inaugurime janë një tjetër premtim i mbajtur në kuadër të Korçës europiane. Kryeministri vlerësoi se rrugët janë ndërtuar me një standard europian, me trotuare dhe ndriçime dhe gjithçka tjetër të nevojshme. Por krahas këtyre tre projekteve të përfunduara, tha Kryeministri, janë dhe tre projekte të mëdha prej rreth 40 milionë lekë secila për të vijuar evropianizimin e infrastrukturës së Korçës.
“Korça qytet model , ky është zotimi ynë. Jemi shumë të kënaqur me mënyrën e zbatimit të projekteve ndërkohë unaza e qytetit po vazhdon dhe do të përfundojë së shpejti. Po ashtu ne sot do të nënshkruajmë edhe dy marrëveshje shumë të rëndësishme, njëra me rreth 2 miliardë lekë, për kanalizimet e ujërave të zeza për qytetin e Korçës dhe tjera për ndërtimin e banesave sociale për romët në këtë qytet. Para disa muajsh kam qenë këtu dhe i premtova kryetarit të Bashkisë suaj, zotit Niko Peleshi këtë projekt për banesat. Unë sot sjell fondet, ndërsa kryetari i Bashkisë ka gjetur truallin e nevojshëm për ndërtimin e tyre. Ky nuk është një problem elektoral, por është problem social”, u shpreh Kryeministri Berisha.