E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori i Letonisë në NATO, Janis Eichmanis, shpreh mbështetje për integrimin e Shqipërisë

Kryeministri Berisha prit sot në një takim përfaqësuesin e përhershëm të Letonisë në NATO, ambasadorin Janis Eichmanis.

Duke e falënderuar për vizitën Kryeministri u shpreh se integrimi në NATO dhe Bashkimin Europian mbeten projektet më madhore për qeverinë dhe shtetin shqiptar, për të cilat qeveria është fokusuar në përmbushjen e reformave.

Kryeministri e njohu ambasadorin Eichmanis më gjerësisht me reformat e ndër marra nga qeveria shqiptare dhe arritjet në kuadër të integrimit në NATO.

Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria është një demokraci funksionale. Gjithashtu Kryeministri u shpreh se ndërmjet forcave politike në vend ekziston një  klimë e qetë dhe konstruktive, si dhe një konsensus i gjerë për të ndërrmarë reformat e nevojshme për integrim.

Kryeministri e njohu ambasadorin Eichmanis me punën që po bëhet për reformën në drejtësi dhe reformën elektorale. Kryeministri Berisha u ndal dhe në vendosmërinë e qeverisë për të vijuar luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe shndërrimin e Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja.

Gjithashtu Kryeministri u shpreh se ekziston dhe një frymë bashkëpunimi ndërmjet qeverisjes vendore dhe asaj qendrore, si asnjëherë më parë. 

Kryeministri e vuri theksin në reformat që janë ndërmarrë në Forcat e Armatosura, në veçanti rritjen e buxhetit për ushtrinë në 2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2008, me qëllim krijimin e një ushtrie të vogël, por tërësisht profesioniste. Në vazhdim Kryeministri u ndal dhe në kontributin që trupat ushtarake shqiptare kanë dhënë dhe po japin në misionet ushtarake në shërbim të paqes në Afganistan, Bosnje Hercegovinë, Irak.

Nga ana e tij Ambasadori Janis Eichmanis e përgëzoi Kryeministrin Berisha për progresin e madh që qeveria ka bërë me reformat në dy vitet e fundit. Zoti Eichmanis e inkurajoi Kryeministrin të vazhdohen më tej reforma në drejtësi si dhe reforma elektorale.

Ambasadori Janis Eichmanis i shprehu Kryeministrit mbështetjen e plotë të vendit të tij, Letonisë, për integrimin e Shqipërisë në NATO. Zoti Eichmanis u shpreh se prezantimi që Kryeministri Berisha i bëri në Bruksel reformave dhe arritjeve të qeverisë në kuadër të integrimit në NATO, u prit shumë pozitivisht nga anëtarët e Këshillit të Atlantikut.

Më tej Kryeministri dhe ambasadori Janis Eichmanis diskutuar dhe për zhvillimet në rajon. Ambasadori Eichmanis vlerësoi rolin konstruktiv dhe të moderuar që Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë në funksion të stabilitetit rajonal.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›