Kryeministri Berisha niset për një vizitë zyrtare në Kuvajt
- Një pjesë e gjerë e axhendës së Kryeministrit Berisha do të jetë e fokusuar në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, ku do të nënshkruhen edhe një seri marrëveshjesh të rëndësishme bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kuvajtit
Kryeministri Berisha është nisur sot për një vizitë zyrtare në Kuvajt me ftesë të Lartësisë së Tij, Kryeministrit të Kuvajtit, Sheikut Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah.
Në këtë vizitë zyrtare Kryeministri Berisha shoqërohet nga Ministri i Financave, zoti Ridvan Bode, nga Ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, zoti Sokol Olldashi, si dhe nga një përfaqësi e komunitetit të biznesit shqiptar.
Kryeministri Berisha gjatë kësaj vizite do të pritet në një Ceremoni Zyrtare nga Lartësisa e Tij, Kryeministri i Kuvajtit, Sheiku Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah, me të cilin do të zhvillojë dhe një takim i cili do të pasohet edhe nga nënshkrimi i një marrëveshje të rëndësishme mes dy vendeve.
Gjatë kësaj vizite Kryeministri Berisha do të takohet me Emirin e Kuvajtit, Lartësinë e Tij Sheikun Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah si dhe me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim Mohammed Al-Kharafi.
Një pjesë e gjerë e axhendës së Kryeministrit Berisha do të jetë e fokusuar në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe me interesin e investitorëve kuvajtianë për të investuar në Shqipëri. Gjithashtu gjatë këtyre takimeve pritet të nënshkruhet një seri marrëveshjesh të rëndësishme, si: nënshkrimi i konventës mes Shqipërisë dhe Kuvajtit për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin; nënshkrimi i programit ekzekutiv për turizmin etj.
Kështu Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime me zotin Khalid Abdullah Al-Sager, drejtues pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kuvajtit, si dhe me zotin Abdulwahab Al-Bader, Drejtor i Përgjithshëm i Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab.
03/04/2010