Kryeministri Berisha: Optimist se reforma në gjyqësor dhe ajo elektorale do të ecin përpara

Drejtori i Njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit në Komisionin Europian, zoti Dirk Lange, i shoqëruar edhe nga ambasadori i Delegacionit të KE-së në Tiranë, zoti Helmut Lohan, i dorëzoi sot Kryeministrit Sali Berisha Raportin vjetor të Progresit.
Zoti Lange theksoi se vendet it Perëndimor janë pjesë e Programit të Zgjerimit të BE-së dhe se Shqipëria ka një perspektivë të qartë evropiane. Ai tha se Raporti vlerëson progresin e Shqipërisë në disa fusha, duke inkurajuar thellimin e reformave veçanërisht në sistemin e drejtësisë dhe atë elektorale.
Kryeministri Berisha e cilësoi Raportin një dokument të shkëlqyer që përcakton standarde, objektiva dhe njësi matëse për çdo ministri e agjenci qeveritare, në përmbushjen me përgjegjësi më të lartë të projektit të integrimit të vendit në BE.
“Qeveria mbetet plotësisht e angazhuar në thellimin dhe konsolidimin e reformave dhe lufta jonë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të njohë zhvillime të reja shumë të rëndësishme,” u shpreh Kryeministri.
Në këtë kontest, Kryeministri konsideroi të rëndësishme reformën në sistemin gjyqësor, i cili përbën një problem serioz për vendin.
“Sistemi gjyqësor është pushtet i pavarur dhe kështu duhet të jetë, por me performancën e tij prek jetën e çdo qytetari shqiptar. Nëse ai performon mirë, e prek për mirë jetën e tij, por në rast se nuk vepron mbi bazë ligjore, i errëson rrugën,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri u shpreh optimist se reforma gjyqësore, sikundër dhe ajo elektorale do të ecin përpara.
“Jam plotësisht dakord me kërkesën e Komisionit Europian për të proceduar me reformën e gjyqësorit, sikundër jam edhe optimist se ne do të procedojmë me këtë reformë. Gjithashtu, jam i bindur se do të procedojmë edhe me reformën elektorale,” tha Kryeministri.
Raporti i Progresit i Komisionit Europian për Shqipërinë mbulon periudhën nga 1 tetor 2006 deri në 30 shtator 2007.