E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Raporti i Komisionit Europian, më i miri i botuar për Shqipërinë dhe qeverisjen e saj

Kryeministri Berisha përshëndeti sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Raportin e Progresit për Shqipërinë të Komisionit Europian si raportin më të mirë të botuar ndonjëherë për Shqipërinë dhe qeverisjen e saj.

“Përshëndes Raportin apo dokumentin e punës të Komisionit Europian si Raportin më të mirë, të botuar ndonjëherë për Shqipërinë dhe qeverisjen e saj,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri e cilësoi Raportin një dokument të shkëlqyer pune, që evidenton progresin e bërë në vend për periudhën tetor 2006-tetor 2007 dhe njëkohësisht shtron edhe disa probleme për t’u adresuar.

“Një raport i shkëlqyer që evidenton me vërtetësi të gjitha përpjekjet, vendimet, ligjet dhe zbatimin e tyre, nga tetori i 2006-s deri në tetor të 2007-s, të qeverisë dhe institucioneve shqiptare, duke renditur të gjithë progresin e bërë, në përputhje me përparësitë e partneritetit evropian,” u shpreh Kryeministri. 

Kryeministri vlerësoi se ky Raport është programi më i shkëlqyer i qeverisë dhe i institucioneve shqiptare për vitin e ardhshëm për të gjitha ministritë, agjencitë dhe institucionet e shtetit, të cilat  duhet të bëjnë një agjendë precize për t’i dhënë përgjigje të gjitha problemeve që duhet të zgjidhen, në mënyrë që viti tjetër ta gjejë Shqipërinë shumë më pranë standardeve të BE-së.

Duke analizuar Raportin, Kryeministri theksoi se kryefjala e tij është përparimi i vendit dhe përshëndeti punonjësit e të gjitha institucioneve të vendit për seriozitetin e dëshmuar në progresin e bërë për ta çuar vendin përpara dhe për ta afruar më shumë me Bashkimin Europian.

“Raporti, - tha Kryeministri, - është i shkëlqyer, sepse fakton punën e madhe të bërë për të arritur këtë objektiv, fakton në mënyrë të pakundërshtueshme se Shqipëria, në analizën e kritereve politike, është bërë më e lirë; në analizën e kritereve ekonomike, është bërë më e begatë dhe e zhvilluar; në analizën e kritereve të sigurisë, është bërë më e sigurt dhe në analizën e standardeve evropiane, ka bërë progres të qartë.”

Duke shprehur kënaqësinë për evidentimin në Raport të progresit të qartë në standardet politike dhe shtetin ligjor si dhe në drejtim të institucioneve të vuajtjes së dënimit, Kryeministri u shpreh, gjithashtu, i inkurajuar nga fakti i njohjes dhe i vlerësimit të marrjes në konsideratë i të gjitha rekomandimeve të Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës.

Në Raport, - vijoi më tej Kryeministri, - vlerësohet pozitivisht përshtatja e ligjeve tona me  acquis communautaire dhe progresi në reformat sociale, duke përmendur rritjen me 30 për qind të mbështetjes financiare për të paaftët, përmirësimi i shërbimit në qendrat e kujdesit, sikundër dalin edhe një seri detyrash për punësimin  dhe riaftësimin e tyre. Raporti vlerëson gjithashtu edhe përmirësimin në të drejtat e fëmijëve dhe luftën kundër trafikimit të tyre, duke nxjerrë si domosdoshmëri hartimin e ligjit për regjistrimin e fëmijëve që në lindje. 

Po ashtu, Raporti e vlerëson Shqipërinë si një vend me marrëdhënie shumë të mira me BE-në, si një vend që zbaton me seriozitet të madh MSA-në dhe si faktor i vërtetë paqeje dhe stabiliteti në rajonin e it.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›