Kryeministri Berisha përshëndet çeljen e Forumit të parë Ekonomik vjetor të Biznesit

Kryeministri Berisha mori pjesë mbrëmë në ceremoninë e çeljes së Forumit të Parë Ekonomik vjetor të Biznesit të organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës në bashkëpunim me shoqërinë “Klik Ekspo Group”.
Së bashku me Kryeministrin merrnin pjesë në këtë eveniment edhe Zëvendëskryeministri Genc Pollo, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, Guvernatori i Bankës, zoti Ardian Fullani përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, si dhe të ftuar nga bota e biznesit.
Duke marrë fjalën Kryeministri Berisha uroi Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, në përvjetorin e saj të parë, duke e cilësuar këtë eveniment, si një nga përvjetorët më të rëndësishëm për kryeqytetin dhe Shqipërinë në tërësi.
Kryeministri vlerësoi rolin e themeluesve të këtij institucioni, si dhe të të gjithë biznesmenëve dhe afaristëve shqiptarë, të cilët u bënë promotorë kryesorë të zhvillimit të vendit.
Duke e vlerësuar biznesin si një partner themelor në integrim dhe lokomotivën e zhvillimit të vendit dhe të shoqërisë, Kryeministri siguroi se qeveria do të rrisë përkushtimin e saj për të lehtësuar nëpërmjet masave të reja veprimtarinë e biznesit vendas dhe të huaj.
Kryeministri garantoi se dialogu konstant i vendosur gjatë këtyre tre viteve me biznesin, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke i cilësuar institucionet e biznesit si të pazëvendësueshme për vendin, për kredibilitetin, ekspertizën dhe besimin që përçojnë tek partnerët në Evropë dhe rajon.
Ne si qeveri, u shpreh Kryeministri, do të bëjmë çdo gjë që tu mbështesim, tu lehtësojmë, që historitë tuaja të jenë histori suksesi.
Më pas, Kryeministri Berisha mori pjesë në celjen e edicionit të 15 të Panairit të Përvitshëm Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga Klik Ekspo Group dhe vizitoi pavionet e këtij panairi.
Në fjalën përshëndetëse, të mbajtur ne çeljen e Forumit Ekonomik, Kryeministri Berisha u shpreh:
Është një nder i veçantë për mua tu përshëndes ju sot në këtë aktivitet kushtuar përvjetorit të Dhomës së Tregtisë së Tiranës, një nga përvjetorët më të rëndësishëm për kryeqytetin e vendit dhe Shqipërinë në tërësi. Ju dhe mbarë vendi kremtojnë këtë përvjetor me një ndjenjë respekti dhe mirënjohje për ata që themeluan Dhomën e Tregtisë në Tiranë, me një ndjenjë respekti dhe mirënjohje për të gjithë afaristët dhe biznesmenët shqiptarë, që u bënë promotorë kryesorë të zhvillimit të këtij vendi. Një ndjenjë të thellë respekti dhe mirënjohje për sipërmarrësit shqiptarë të cilët duke filluar nga një terren i pashembullt në Evropë, i hiperkolektivizimit total, ia dolën me gjenin e iniciativës së tyre të lirë, një kohë rekord, hark kohor katër vjeçar, që prodhimin hiperkolektivist ta zëvendësojnë me prodhimin e sektorit privat.
Shqipëria ishte vendi më i varfër i Evropës ish komuniste, vendi më i hiperkolektivizuar, vendi i kolapsit të vërtetë ekonomik, por në një kohë të shkurtër ishit ju, ishin qindra dhe mijëra biznesmenë shqiptarë, të cilët filluan nga më e vogla, nga shitjet në rrugë, tek restorantet, hotelet, tek shërbimet e cilësisë më të mirë, nga një industri tërësisht e falimentuar, në një manifakturë e cila eksportonte dhe eksporton në të gjitha tregjet e Evropës dhe te botës. Ju theksuat këtu se biznesi është partner në integrim. Biznesi është partner themelor në integrim, është lokomotiva e zhvillimit të vendit dhe të shoqërisë, ndaj dhe unë dëshiroj tu përgëzoj përzemërsisht juve në këtë përvjetor, dëshiroj tu siguroj se përpjekjet e derisotme për një klimë të favorshme për ju, janë pjesë e një përjekje shumë më të madhe. Dua tu garantoj ju, se kjo qeveri nuk do të lerë përpjekje pa bërë, që Shqipëria të mbetet vendi i barrës fiskale me të ulët. Kjo qeveri nuk do të lerë përpjekje pa bërë që Shqipëria të mbetet vendi i kostos më të ulët të prodhimit. Kjo qeveri nuk do të lerë përpjekje pa bërë, që Shqipëria të bëhet vendi i barrës burokratike me te vogël në Evropë. Ato që kemi bërë dhe kemi arritur janë një inkurajim i madh. Vërtet ne këtë vit ia dolëm të kualifikohemi të dytët, për reformat e klimës së biznesit, por unë ju siguroj ju se turravrapi i këtij vendi nuk do të ndalet, se ekipet e kësaj qeverie po punojnë me përkushtim të madh të krijojnë për ju, të gjitha lehtësirat që ju meritoni.
Ne investojnë në infrastrukturë sa asnjë qeveri tjetër, aktualisht 32 % të buxhetit. Dhe nga kjo përfiton e gjithë shoqëria, por ju përfitoni më shumë se e gjithë shoqëria dhe nëpërmjet jush përfiton shoqëria. Ne do të vazhdojmë, ti japim Shqipërisë infrastrukturën që meriton. Ne besojmë se çmimi më i lartë, më i çmuar është çmimi i kohës. Ndaj dhe ne do të bëjmë çdo gjë ta shpejtojmë procesin në tërësi. Kemi ndërmarrë një seri hapash në liberalizimin e ekonomisë. Kemi hequr dy të tretat e licencave dhe lejeve. Ajo që mbetet do të grupohet në ONE STOP SHOP, në mënyrë që të thjeshtojmë në maksimum kohën dhe koston e licencave dhe lejeve që kanë mbetur. Ne u angazhuam për privatizim të plotë të ekonomisë, në kushte jo dhe aq të favorshme të muajve të fundit, por ne kemi proceduar me sukses të plotë në privatizimin e sektorëve të mëdhenj, të ekonomisë dhe po vazhdojmë me përsistim të madh të privatizojmë të gjitha sipërmarrjet publike, përveç digave dhe linjave të tensionit, edhe ato një pjesë të lidhjeve me jashtë, po ia besojmë sektorit privat.
Ekonomia shqiptare është një ekonomi e re , por një ekonomi dinamike, entuziaste, reale. Është nga më të paktat ekonomi në Evropë aktualisht me një rritje dyshifrore. Evropa dhe bota po përjetojnë një krizë, ndër më të thellat në 100 vitet fundit, një krizë e cila erdhi nga një tronditje e madhe e tregjeve financiare, një krizë e cila u pasqyrua me shpejtësi në treguesit e ekonomive të mëdha botërore, një krizë e cila mund të ketë pasqyrim dhe në ekonominë shqiptare në muajt që vijnë, por unë jam optimist. Nuk përjashtoj mundësinë që dhe ne të prekemi, por nuk përjashtoj mundësinë që të bëhemi një vend përthithës për investimet. Askund në botë, nuk është më mirë të investosh se sa aty, ku ka ngritje ekonomike. Ndaj dhe po punojmë për antikrizën dhe masat më të shkëlqyera antikrizë, në konceptin tim, janë krijimi i klimës sa më të favorshme për veprimtarinë tuaj, por për tërheqjen e investimeve, për aktivitetin e biznesit në Shqipëri.
Në këto tre vite kemi patur një dialog konstant me biznesin, kemi marrë shumë vendime të përbashkëta. Ky dialog do të vazhdojë me ju, me institucionet tuaja të zgjedhura, institucione të pazëvendësueshme për vendin, për kredibilitetin, për ekspertizën, për besimin që ato japin tek partnerët e tyre në rajon dhe në Evropë. Dhoma e tregtisë dhe industrisë dhe institucione të tjera përfaqësuese të biznesit kanë dhe do të kenë një rol gjithnjë në rritje. Me këtë rast unë dua tu garantoj ju, se qeveria është e hapur të bashkëpunojë me ju, të dëgjojë me interes të madh dhe ndjeshmëri të lartë interesat tuaj, të bashkëpunojë për standarde të reja, të cilat do ta bëjnë Shqipërinë të kapë kohën e madhe që ka humbur, do të bëjë që Shqipëria të mund të shfrytëzojë potencialet e saj të jashtëzakonshme. Janë një seri sektorësh, të cilët nga të paralizuar, po i kthejmë në lëvizje të madhe. I tillë është sektori energjetik. Shqipëria ka të gjitha mundësitë të shndërrohet në një eksportues të rëndësishëm energjie në rajon, Deri tani janë licencuar janë firmosur kontrata me mbi 30 HEC, nga 1 deri në 100 megavat. Por dhjetëra e dhjetëra projekte të tjera që kapin miliarda euro janë në proces e sipër nga kaskada e Vjosës deri në Drin. Një interes i jashtëzakonshëm tregohet për rrafshnaltën shqiptare, e quaj rrafshnaltë, sepse vendi ka privilegjin në këtë rast të ketë lartësinë mesatare më të madhe në Evropë dhe janë me dhjetëra kompani eolike, të cilat kanë marrë licencat dhe po bëjnë projekte për prodhimin e sasive të mëdha të energjisë. Shqipëria është e hapur për forma të tjera të tjera të prodhimit nga qymyri, nafta, energjia nukleare. Qëllimi ynë është që ky vend të jetë një superfuqi energjetike në rajon. Por ne besojmë se ky vend ka të gjitha kushtet për të tërhequr teknologjitë më të avancuara. Në këtë kontekst, parqet e reja industriale, për tre prej të cilave janë firmosur kontrata me kompanitë private do të jenë gjeneratorë të fuqishëm, të prodhimit, punësimit, por dhe qendra magnetike për të tërhequr teknologjitë e reja në Shqipëri
Qeveria ime aktualisht është e detyruar të investojë në infrastrukturë, por në asnjë rrethanë nuk po lë pas investimet në burimet njerëzore dhe unë ju garantoj ju se është shumë e afërt koha kur buxheti i këtij vendi do të adresohet para së gjithash dhe mbi të gjitha në pasurinë e tij më të çmuar, burimet njerëzore dhe zhvillimin e tyre. Vendi ka potenciale të pamata turistike, po punohet në këtë drejtim dhe ka hapa shumë të rëndësishme. Ka një shtim natyral të turizmit nga 300 mijë turistë në vitin 2004 në rreth 2 milion këtë vit, por gradualisht me brigjet e saj të bukura dhe malet e virgjëra, Shqipëria do të bëhet një nga epiqendrat turistike më të fuqishme të kontinentit. Të gjitha këto janë projektet tuaja, të partnerëve tuaj, ne si qeveri do të bëjmë çdo gjë që tu mbështesim, tu lehtësojmë, që historitë tuaja të jenë histori suksesi.
Ju faleminderit
...