E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha konfirmon mbështetjen e qeverisë ndaj aspiratave të Malit të Zi, për Integrim në strukturat euroatlantike

Kryeministri Berisha i shprehu homologut të tij mbështetjen e qeverisë shqiptare për përpjekjet e Malit të Zi për integrim në strukturat euroatlantike. “Edhe progresi i vendeve tona drejt Bashkimit Evropian, është në interesin më të mirë tonin dhe të rajonit”, tha kryeministri. Gjatë takimit, të dyja palët ranë dakord për të intensifikuar përpjekjet për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, që, siç u konstatua, po njeh ritme më të mëdha pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë. Duke u ndalur në zhvillimet në rajon, Kryeministri Berisha u shpreh se vendimi i qeverisë malazeze për njohjen e pavarësisë së Kosovës i shërben paqes dhe stabilitetit të rajonit. Kryeministri Gjukanoviç shprehu vlerësimet për rolin konstruktiv të qeverisë shqiptare në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, vuri theksin në ndihmën që i dha Mali i Zi, Republikës së Kosovës me njohjen që i bëri shtetit të ri.
Kryeministri Berisha, vlerësoi veçanërisht rolin e Gjukanoviç në kontributin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Shqiptarët kanë pasur dhe kanë tek Millo Gjukanoviç një mik të çmuar, një mik të ditëve të vështira të tyre. Ndihma e tij dhe kombit të tij që iu dhanë shqiptarëve në ditët më të vështira të tyre në Kosovë, përbën një bazë për marrëdhënie të shkëlqyera mes dy vendeve”, u shpreh kryeministri Berisha. Kryeministri shprehu bindjen, se kjo vizitë është një kontribut i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve dhe për intensifikimin e tyre, në të gjitha fushat në interes të dy kombeve e vendeve dhe rajonit në tërësi.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›