Kryeministri Berisha pret në takim kryetarin e parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Niko Lozançiç

Bosnja, e interesuar për eksperiencën e Shqipërinë në fushën ekonomike
Kryeministri Sali Berisha, zhvilloi dje një takim me kryetarin e parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Niko Lozançiç, i cili zhvilloi në Shqipëri një vizitë dy ditore të mbushura me takime të rëndësishme me përfaqësuesit me të lartë të shtetit. Kreu i qeverisë Berisha, i uroi kryeparlamentarit të Bosnjës, mirëseardhjen dhe i cilësoi marrëdhëniet mes dy vendeve të shkëlqyera dhe të mbështetura në marrëdhënie tradicionalisht shumë të mira. Berisha nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat e zhvillimit, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, ku të dy vendet kanë potenciale të mëdha. Në këtë drejtim, kryeministri theksoi se qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë reformash të suksesshme për të ngrohur klimën e investimeve të huaja në vend dhe se investitorët e Bosnjë-Hercegovinës janë të mirëpritur të investojnë në Shqipëri.
Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të ecurisë së reformave ekonomike dhe politike në Shqipëri, duke nënvizuar se dy projektet madhore për shqiptarët janë integrimi në NATO dhe në BE, për të cilat ka një angazhim të vendosur të qeverisë në përmbushjen e standardeve. Kryeministri Berisha vlerësoi klimën pozitive të bashkëpunimit mes forcave politike në vend në arritjen e reformave më jetike për vendin. Ndërsa nga ana e tij, kryetari i parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Lozançiç, falënderoi kryeministrin Berisha për mikpritjen, duke i përcjellë përshëndetjet e kryeministrit Spiriç dhe të Presidentit Silajxhiç. Lozançiç tha se do të jetë e shpejtë vizita e kryeministrit Spiriç në Shqipëri dhe se ka një vullnet të madh politik nga qeveria e Bosnje-Hercegovinës për nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh për bashkëpunim ekonomik dhe projekte të tjera. Në rrugën e këtij bashkëpunimi, Lozançiç theksoi se po punohet për liberalizimin e vizave mes dy vendeve. Kryetari i Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Lozançiç shprehu vlerësimet e tij tejet pozitive për progresin e dukshëm të Shqipërisë në vitet e fundit, progres që përbën një shembull të mirë për mbarë rajonin.
...