E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në 2009-n, kandidate zyrtare për në BE

Kryeministri Sali Berisha konfirmoi dje ambicien e re të shtetit shqiptar për të aplikuar në fillim të vitit të ardhshëm, për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtar të BE-së. Që nga Brukseli, komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn i deklaroi ministrit tonë të jashtëm inkurajimin për një hap të tillë të Shqipërisë

Shqipëria do të aplikojë brenda vitit 2009, për statusin e vendit kandidat për integrimin në Bashkimin Evropian, deklaroi dje Kryeministri shqiptar Sali Berisha. Ndërkohë, Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian Olli Rehn, ka rivlerësuar progresin që ka bërë Shqipëria në sajë të vazhdimësisë së rrugës së reformave, rolit stabilizues dhe një arritje madhore që mbetet për t’u shënuar, procesi i Stabilizim Asociimit po mbyllet, janë tregues të qartë se vendi ynë është gati të hedhë hapin tjetër të integrimit të saj në BE, atë të statusit kandidat. Në këtë kontekst, Ministri i jashtëm Lulzim Basha, në takimin me Rehn, ka rikonfirmuar gatishmërinë e Shqipërisë për të hedhur hapin tjetër për integrimin në BE.

Berisha
Shefi i ekzekutivit, Sali Berisha konfirmoi dje se Shqipëria do të jetë gati në 2009-ën, për të aplikuar për statusin kandidat për BE. Berisha tha se brenda presidencës çeke, e cila merr kryesimin e radhës 6-mujor të Bashkimit Evropian, në janar të 2009, vendi ynë do të aplikojë për t’u bërë vend kandidat i BE-së.
Sipas kryeministrit, progresi i gjerë i shënuar nga Shqipëria, vlerësuar kjo edhe nga raportet e ndërkombëtarëve, bën të mundur që qeveria të ndërmarrë një nismë të rëndësishme, duke paraqitur kandidaturën për integrimin në familjen e madhe evropiane.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij malazez, Milo Gjukanovic, i cili vizitoi Tiranën, Berisha nënvizoi se “qeveria shqiptare është transparente kur merr vendime, Raporti i evropianëve i la të hapura dyert për të kandiduar”.
“A do të jetë janari apo muaj tjetër këtë s’mund ta them, por si duket 2009 do të jetë. Nëse nuk u bëmë të ndjeshëm gjatë presidencës franceze, për shkak të krizës dhe problemeve financiare që përfshinë Evropën, do ta konsiderojmë vitin e ardhshëm”, tha kryeministri Berisha.
Megjithatë, sipas kryeministrit, çdo hap duhet të jetë i koordinuar edhe mes vendeve të tjera të rajonit, pasi ky është një proces ballkanik.
“Kjo nuk do të jetë vetëm në dorën e qeverisë shqiptare, pasi ka një kompleksitet faktorësh. Këtë 6 mujor kryesinë e BE-së e kishte Franca, por Presidenti dhe qeveria franceze kanë pasur një 6 mujor me problematikën evropiane dhe botërore më të rëndësishme. Në rast se kjo çështje nuk u bë e ndjeshme gjatë 6 mujorit të presidencës franceze, natyrisht që do ta konsiderojmë shumë seriozisht vitin e ardhshëm”, tha kryeministri shqiptar.

Rehn
Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, gjatë një takimi zyrtar dje me Komisionerin për Zgjerimin në Komisionin Evropian Olli Rehn, bëri një ekspoze të zhvillimeve të fundit dhe situatës politike në vend, si dhe hapat e mëtejshëm që po ndërmerr qeveria shqiptare në drejtim të përparimit të mëtejshëm të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Bashkëbiseduesit vlerësuan raportin e progresit të Shqipërisë, si objektiv dhe pozitiv. Ministri Basha u ndal në hapat që qeveria shqiptare po ndërmerr për përmbushjen e objektivave të detajuara në progres-raport duke u ndalur gjerësisht në plan veprimin që po hartohet sipas direktivës së dhënë nga kryeministri Berisha në mbledhjen e fundit të Komitetit Ndërministror të integrimit.
Më tej bashkëbiseduesit diskutuan mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri duke u ndalur gjerësisht në miratimin e kodit të ri zgjedhor nga Kuvendi i Shqipërisë dhe në angazhimin e gjithanshëm të qeverisë shqiptare për të garantuar standardet evropiane në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Nga ana e tij, Rehn deklaroi se “unë mund t’ju siguroj, se Komisioni Evropian, mbetet i përkushtuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe Ballkanit perëndimor në tërësi. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian mbeten inkurajuese”.
“Ajo ka bërë progres në demokracinë, sundimin e ligjit dhe në implementimin e angazhimeve të dhëna ndaj bllokut. Ka punë për t’u bërë në kulturën demokratike, pavarësinë e institucioneve shtetërore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por dhe në përgatitjet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në përputhje me standardet ndërkombëtare. Këto janë kushte thelbësore në progresin e Shqipërisë në rrugën evropiane”, tha Rehn.
Në lidhje me aplikimin nga Shqipëria për statusin kandidat ministri Basha theksoi se, “përmbyllja e procesit te ratifikimit të MSA nga vendet anëtare, përparimi i deritanishëm në zbatimin e plotë dhe të kënaqshëm të marrëveshjes së ndërmjetme, vazhdimësia në rrugën e reformave, si dhe roli stabilizues i Shqipërisë në rajon, është arritje të pamohueshme si dhe tregues të qartë se Shqipëria është gati të hedhë hapin tjetër në drejtim të integrimit të saj në BE. Në këtë proces Shqipëria do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare”.
Vendosja e EULEX-it në Kosovë ishte një çështje tjetër që u trajtua nga ministri Basha gjatë takimit me Komisionerin Rehn. Ai theksoi se Shqipëria i përmbahet qëndrimit se vendosja e EULEX-it në Kosovë duhet të bëhet përputhje dhe duke respektuar kushtetutën dhe ligjet e miratuara në zbatim të Planit Ahtisaarit dhe me mbështetjen e autoriteteve zyrtare të Kosovës.
Në këtë kuadër, ministri Basha përsëriti mbështetjen e plotë për autoritetet e Republikës së Kosovës dhe vlerësoi gatishmërinë dhe vullnetin e tyre për vendosjen e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›