Shqipëria dhe Mali i Zi, bashkëpunim dhe zhvillimi projektesh konkrete të përbashkëta

Kryeministri shqiptar Sali Berisha, takon homologun e tij malazez, Milo Gjukanoviç. Ata konfirmuan se të dy vendet janë të interesuara mbi zhvillimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat, duke rënë dakord të intensifikojnë të gjitha përpjekjet për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, që po rritet si pasojë e marrëveshjeve të tregtisë së lirë si dhe për bashkëpunim në infrastrukturë. Berisha tha se qeveria shqiptare mbështet ndërtimin e autostradës Adriatiko-Joniane. Kryeministri Sali Berisha mirëpriti dje në një takim zyrtar, kryeministrin e Malit të Zi Milo Gjukanoviç dhe delegacionin që e shoqëronte. Pas takimit midis tyre të dy kryeministrave, u zhvilluan bisedimet mes dy delegacioneve, të cilat u përqendruan në nxitjen e perspektivave të reja në bashkëpunimin dypalësh, aspiratat integruese evropiane dhe euroatlantike dhe bashkëpunimin rajonal. Dy homologët i konsideruan marrëdhëniet dypalëshe të shkëlqyera dhe shprehën vullnetin për të forcuar miqësinë dhe bashkëpunimin e gjithanshëm ndërmjet dy vendeve. Kryeministri Berisha e falënderoi kryeministrin Gjukanoviç për vizitën, duke e konsideruar atë një kontribut të rëndësishëm në drejtim të zgjerimit të këtij bashkëpunimi. Vizita në Tiranë dhe bisedimet dypalëshe u konsideruan, gjithashtu, nga kryeministri Gjukanoviç një mundësi e shkëlqyer për të shënuar një moment të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve. Gjatë takimit, të ty kryeministrat ndanë të njëjtin vlerësim se hapja e kufijve do të krijonte një treg mjaftueshmërisht të gjerë për investimet. Në bisedimet e tyre, dy delegacionet u ndalën në mënyrë të veçantë në zhvillimin e projekteve konkrete që zgjerojnë bashkëpunimin mes dy vendeve, si në fushën e infrastrukturës projekti i ndërtimit të autostradës Adriatiko-Joniane, shqyrtimi i vendosjes së lidhjeve detare Durrës-Tivar dhe vendosja e linjës ajrore Tiranë-Podgoricë. Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për t’i krijuar qeverisë malazeze të gjitha lehtësitë e nevojshme për autostradën Podgoricë-Plavë, e cila, në disa kilometra të saj, kalon përmes territorit shqiptar. Kryeministri Berisha bëri të ditur se po ecet me shpejtësi në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës që lidh dy vendet, si rruga Shkodër-Hani i Hotit, Shëngjin-Ulqin dhe Vermosh-Shkodër. Duke e konsideruar liqenin e Shkodrës një aset të rëndësishëm për të vendet, dy kryeministrat theksuan rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për mbrojtjen e ekosistemit të tij dhe vendosjen e shërbimeve të transportit që lidhin të dy anët e liqenit. Të dyja palët u shprehën së bashkëpunimi në fushën e turizmit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku të dyja vendet kanë potenciale të mëdha turistike, është një tjetër fushë me interes të përbashkët. Kryeministri Berisha tha se zhvillimi i një zone turistike rajonale do të rriste përfitimet për të dyja vendet. Të dyja palët u angazhuan për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve edhe në fushën e kulturës, të arsimit, të sigurisë, luftën kundër kriminalitetit etj. ...