Kryeministri Berisha prezanton në Elbasan kandidatët për deputetë të këtij qarku

Kryeministri Berisha, gjatë një tubimi elektoral, prezantoi sot pasdite kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit.
Fjala e Kryeministrit Berisha në takimin elektoral në Elbasan:
Qytetarë dhe qytetare të Elbasanit, Librazhdit, Gramshit, Cërrikut, Peqinit,
mirëmbrëma!
Mirënjohjen më të thellë ju, për këtë uragan tek i cili sot janë drejtuar sytë e mbarë shqiptarëve. Mbarë kombi i ka sot sytë në këtë shesh, i ka tek ju, qytetarët e mrekullueshëm të Elbasanit.
Mirënjohjen më të thellë ju, për këtë miting madhështor, për mbështetjen e madhe që i keni dhënë Partisë Demokratike dhe qeverisë së saj, për kontributin tuaj në të gjitha fushat, me në krye fushën e dijes dhe të mendimit shqiptar.
Vëllezër e motra,
zonja e zotërinj,
unë vij sot tek ju për të paraqitur deputetët tuaj në Parlamentin e ardhshëm. Vij me zotimin tim solemn se këta zotërinj, këta burra e gra, nuk do të jenë deputetë të Partisë Demokratike apo të qeverisë së ardhshme, por të qytetarëve të Elbasanit, të Librazhdit, të Gramshit, të Peqinit, të Dumresë, të Cërrikut, të qarkut tuaj.
Unë vij sot tek ju për t’ju garantuar se këta kanë qenë avokatë të pamposhtur të interesave, të halleve, të derteve, të problemeve tuaja në mazhorancën aktuale dhe të tillë do të mbeten.
Vëllezër e motra,
ne vijmë këtu tek ju me zotimin solemn se 4 vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për krijimin e vendeve të reja të punës, për punësimin masiv të qytetarëve të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë. Puna për ne është bekim i Zotit, është dobia e njeriut, është talenti i tij për shoqërinë. Ne jemi përpjekur dhe do të përpiqemi për punësimin e qytetarëve, më shumë se për çdo gjë tjetër. 4 vitet që vijnë do të jenë vite në të cilat ne do të krijojmë 250 mijë vende pune, në Elbasan dhe në mbarë Shqipërinë. Plani ynë është një plan konkret, është një plan me majë të lapsit, është një plan që bazohet në eksperiencën e deritanishme, por mbi të gjitha në vizionin e katër viteve që vijnë.
Vëllezër e motra,
Cilido nga ju le të shkojë në zyrën e taksave dhe të marrë numrin e bizneseve të Elbasanit, të shohë se sa janë sot dhe sa ishin 5 vite më parë. Ju do të gjeni se bizneset e këtij qyteti janë pothuajse dyfishuar. Bizneset u dyfishuan, sepse akti ynë i parë ishte përgjysmimi i taksës për biznesin e vogël, akti tjetër madhor ishte vendosja e taksës 10 përqind, nga 25 përqind që ishte taksa për tatim fitimin dhe 23 përqind për të ardhurat personale. Kjo solli që biznesmenë nga Evropa dhe bota të shohin me interes Shqipërinë. Kjo bëri të mundur, sipas statistikave të çdo institucioni financiar botëror, që Shqipëria 4 vitet e fundit të marrë 4.2 miliardë dollarë investime të huaja, të rrisë investimet 3 herë, me 316 përqind, ndërkohë që vende të tjera kanë pasur ulje drastike të tyre.
Ne që arritëm në 4 vite të thithim 4.2 miliardë dollarë investime të huaja, me të cilat u krijuan dhjetëra mijëra vende pune. Ne ju garantojmë se me paketën e dytë fiskale dhe me ligjin e ri të heqjes së çdo takse mbi çdo makineri apo mjet tjetër që duhet për prodhim, me heqjen e taksës 10 përqind për të ardhurat personale për të gjithë ata që paguhen nën 30 mijë lekë, ne bëjmë që Shqipëria të jetë një nga vendet më të preferuara. Në rast se ne sot renditemi të 18-ët për tërheqjen e investimeve të huaj, me paketën e re ju garantoj se do të arrijmë ndër vendet më të para të Evropës dhe të planetit. 4 vitet që vijnë Shqipëria do të marrë jo 4, por 6 miliardë dollarë investime. Hidrocentrali i Banjës, një investim me vlerë 1 miliardë euro, është në duart e Njëshit të hidrocentraleve. Vetëm hidrocentrali i Banjës punëson direkt dhe indirekt 5-7 mijë shqiptarë. Në horizont po afrohet gjithnjë më shumë projekti gjigand, gazsjellësi TransAdriatik. Unë përmenda këto projekte të këtij katërvjeçari, por në lumenjtë dhe në burimet ujore të këtij qarku janë me dhjetëra hidrocentrale të tjera. Dhe kjo është vetëm njëra fushë.
Së shpejti përfundon autostrada. Unë ju jap fjalën se do të bëjmë gjithçka për zonën e lirë industriale të Elbasanit. Autostrada i rrit shumë shanset për të. Punësimin tuaj dhe të mbarë shqiptarëve, ne e bazojmë në trefishimin e mbështetjes për fermerët shqiptarë.
Vëllezër,
në katër vite ne kemi financuar në qarkun tuaj 5000 projekte, ullishta, vreshta, blegtori, sera. Unë ju jap fjalën se ky financim do të trefishohet. Në 4 vitet që shkuan, ne së bashku me sektorin privat punësuam në të gjithë Shqipërinë 100 mijë punonjës. Në rast se trefishojmë investimet dhe trefishojmë grantet, unë ju garantoj se në 4 vitet që vijnë do të punësohen, minimumi, 130 mijë të tjerë.
Po ku e bazojmë ne punësimin tuaj? Ne së bashku, me punën tuaj, me djersën tuaj, me shpirtin tuaj të bardhë dhe me mikpritjen që nuk ekziston askund si tek ju, bëmë që Shqipëria të llogaritet dhe të njihet si një prej vendeve më tërheqëse turistike në botë. Nga 300 mijë turistë dhe vizitorë në vitin 2004, vitin e kaluar numri i tyre arriti në 4.7 milionë. Unë ju jap fjalën se 4 vitet që vijnë ne do të kemi 7 milionë turistë dhe vizitorë. Kjo do të thotë shtim së paku me 30 përqind të shqiptarëve të punësuar direkt apo indirekt në funksion të Shqipërisë turistike.
Ku e bazojmë ne punësimin tuaj? E bazojmë, sepse 4 vitet që vijnë do të jenë vitet e bum-it të madh të Teknologjisë së Lartë të Informacionit. Ne sot, direkt ose indirekt, kemi punësuar 8 mijë punonjës, 15 mijë punonjës do të jenë vitet që vijnë.
Qëllimi ynë nuk është vetëm punësimi, por është edhe mirëqenia juaj, janë rrogat më të larta për të gjithë shqiptarët, janë pensionet më të larta.
Në Elbasan unë kam bërë premtimin për dyfishimin e rrogave të mësuesve, kam bërë premtimin për pension jo nën 100 dollarë në qytet, kam bërë premtimin për dyfishimin e pensioneve në fshat. Unë vij tek ju sot i kënaqur, sepse së bashku ne i kemi realizuar. Unë premtoj se katër vitet që vijnë, ne prapë do të vazhdojmë rritjen e rrogave dhe pensioneve.
Mësuese dhe mësues të Elbasanit edhe të mbarë Shqipërisë,
zotimi im solemn në këtë shesh është se në mandatin e ardhshëm ju nuk do të keni rrogë më të vogël se 700 dollarë. Dhe kjo, jo se unë nuk e di që në administratë ka zyrtarë më të rëndësishëm se ju, por nuk ka misionarë më të rëndësishëm se ju për kombin shqiptar. Ndaj dhe ju jeni kreu i axhendës së qeverisë sime dhe të tillë do të mbeteni, për sa kohë të na votojnë shqiptarët.
Qytetare dhe qytetarë të Elbasanit,
cilido që lexon historinë e mendimit të këtij qyteti, cilido që lexon dritën e shpirtit të qytetarëve të Elbasanit gjen se ajo është një dritë perëndimore, gjen se ai është një shpirt perëndimor.
Unë shpesh e pyes veten, Partia Demokratike u themelua në vitet ’90 dhe është sot forca kryesore politike. Pse kjo? Kjo ndodh, sepse ajo gjithnjë besoi tek vlerat tuaja; sepse ajo mbi çdo gjë vendosi liritë dhe të drejtat tuaja; sepse ajo në çdo rrethanë bëri gjithçka për vokacionin tuaj perëndimor.
Së bashku, ne kemi vështirësitë e udhëtimit. Së bashku, ne kemi suksesin e integrimit. Së bashku, me punën, djersën dhe mundin tuaj firmosëm në Luksemburg Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Së bashku, me punën, mundin dhe djersën tuaj firmosëm në Bukuresht ftesën për në NATO, firmosëm në Strasburg anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Së bashku, me arritjet tona, me seriozitetin tonë, me përkushtimin tonë, me reformat tona firmosëm liberalizimin e vizave dhe sot lëvizim të lirë në mbarë Evropën. Së bashku, ne arritëm të bindnim Komisionin Evropian me arritjet tona, me sukseset tuaja, me zhvillimin e vendit, se Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat. Dhe Komisioni Evropian në tetor të vitit të kaluar vendosi për të rekomanduar Shqipërinë, me kusht që të votoheshin tre ligje, për të cilat vetë Komisioni Evropian kishte ndërmjetësuar dhe dakortësuar plotësisht për t’u votuar. Ato ligjet u përdorën për të shkelmuar aspiratën, interesin dhe idealin e çdo shqiptari për të parë Shqipërinë vendin me statusin për anëtar në Bashkimin Evropian.
Së bashku, më 23 qershor do të firmosim për integrimin; do firmosim, jo vetëm për marrjen e statusit, por edhe për hapjen e negociatave. Së bashku do të firmosim për të merituar me reforma liberalizimin e vizave me fuqinë më të madhe të lirisë në botë, mikun e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne, ndonëse nuk ka ndonjë vend tjetër që zemra dhe mendja e shqiptarëve të dojë më shumë, askujt nuk i kërkojmë atë që nuk e meritojmë. Ne do të plotësojmë çdo kusht, do të plotësojmë çdo kërkesë. Ashtu siç plotësuam për Bashkimin Evropian, do të plotësojmë edhe për vizat. Lëvizja jonë e lirë në hapësirat e vendit mik është një ëndërr që do të realizohet gjatë katër viteve që vijnë.
Ata që më tregojnë mua Formularin A4, atyre iu them: kontrolloni pak grupin tuaj parlamentar, se sa të refuzuar keni për viza në atë vend.
Ne do bëjmë çdo reformë dhe çdo përpjekje. Ndaj kjo përbën një motiv të madh për ne, një motiv që do të gëzojë çdo shqiptar.
Cila është alternative tjetër? Akuza, mohime, mashtrime. Motoja e tyre është: Ç’më duhet mua se çfarë them unë.
Zoti Rama nuk e ka të rastit qëndrimin e tij ndaj integrimit.
Vëllezër dhe motra,
qytetarë të Elbasanit, socialistë, demokratë, pa parti, çfarë do jeni,
shtrojini pyetjen vetes: si ka mundësi që ky zotëri është i vetmi në Evropë që bllokon vendin e tij? Çfarë bëri ai për vizat? A kishte krim dhe mëkat më të madh se të përpiqesh t’i bllokosh heqjen e vizave një kombi, i cili ka 25 përqind të vajzave dhe djemve të tij në emigracion? Ai e bëri dhe nuk pyeti fare. Çfarë bëri ai për NATO-n? Organizoi mitingun me portretet e Enver Hoxhës. Çfarë bëri ai për Stabilizim Asociimin? Futi bori dhe bilbila për t’i thënë Evropës se ky Parlament është Zoo Park dhe jo Parlament i një kombi të qytetëruar. Kjo është linja e tij.
Pse i hoqi këtu deputetët dhe pruri të tjerë? Kjo, sepse askund, as te këmisha e tij nuk mund të besojë. Por, për këtë nuk më vjen keq.
Vëllezër,
ju kishit dje këtu fatorinon e autobusit.
Qytetare dhe qytetarë të Elbasanit,
përshëndeteni zotin Blushi dhe pyeteni se ku e ka teserën e Partisë Demokratike. Pse e them këtë? Kur ne morëm vendimin për ndërtimin e tunelit, Ben Blushi deklaroi publikisht se “në qoftë se Berisha ndërton tunelin, unë do të marr teserën e Partisë Demokratike”. Ndërsa tani as që guxon ti afrohet. Struket si fatorino në autobus me shefin e tij. Ata në autobus, ne përfundojmë autostradën. Ata në autobus, ne do të bëjmë bypass-in, po kaq model sa autostradën. Ata në autobus, ne do të ndërtojmë parkun rekreativ të Krastës, kampusin e ri të Universitetit, landfillin e Paprit. Ne do të bëjmë gjithçka për krijimin e mijëra-mijëra vendeve të punës, për mirëqenien, për integrimin e Elbasanit dhe të Shqipërisë.
Përpara! Përpara! Përpara!
Rrofshi ju!
Rroftë Elbasani!
Rroftë Shqipëria!”
16/05/2013