E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha në Korçë

Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht, shpreh keqardhjen që këto kohë, në të cilën ju do të kishit dashur të bëni shumë pyetje, ka qenë e pamundur për shkak të axhendës, ndaj mendova se koha po kalon dhe ju do mërziteni më shumë që nuk i keni bërë pyetjet tuaja. Prandaj jam këtu për të marrë  çdo pyetje që keni. Sot, këtu në Korçë, inauguruam impiantin e përpunimit të ujërave të zeza, një zhvillim shumë pozitiv. Tani Korça, qyteti simbol i pastërtisë, ka një impiant nga më modernet që mund të ekzistojë. Më pas pata një townhall me biznesmenët dhe punëtorët e një sipërmarrjeje në Bilisht.

Tani që fushata ka filluar, a planifikoni të bëni një debat televiziv me liderin e opozitës? Lidhur me këtë, komentatorët dhe analistët e shtypit komentojnë se ju i keni anashkaluar daljet televizive, pasi, sipas tyre, nuk doni të përballeni me disa pyetje që komentarorët i konsiderojnë të rëndësishme.

Kryeministri Berisha: Së pari, në këtë moment jeni disa ekrane televizive. Së dyti, ju jeni përfaqësues të mediave të ndryshme dhe unë ju ftoj të bëni çdo lloj pyetjeje. Por një gjë dua t’u them atyre zotërinjve se në rekordin tim kam debatet më të shumta dhe praninë më intensive në media se çdo njeri tjetër dhe janë pasioni im. Unë jam kryeministër dhe kam tetë vite që qeveris dhe është në dinjitetin, por edhe në detyrimin tim të dal ballë për ballë në shesh me qytetarët, t’i dëgjoj ata. Këtë e konsideroj të domosdoshme. Të jem i hapur, jam i lumtur që po e bëj. Secili nga këto townhall-e është një debat televiziv pa pa sms-të që marrin nga të katër anët, miqtë e mi analistë të pavarur. Ata janë qytetarë që shtrojnë probleme më mënyrën më të hapur, nga problemet më personale që kanë, padrejtësi sipas mendimit të tyre, deri tek problemet madhore. Sali Berisha nuk ka qenë më aktiv në media, sesa në këtë fushatë.

A do të thotë kjo se unë nuk do të jem studio televizive? Absolutisht jo. Por fushatat janë beteja dhe ti zgjedh mënyrën tënde për të hyrë në betejë. Por, për një kryeministër, ballafaqimi me qytetarin është detyrim dhe një kryeministër, i cili nuk ka një arkiv, një rekord për t’u paraqitur, nuk do mund ta bënte kurrë këtë. Në këto takime mësoj shumë për problemet e tyre, por paraqes edhe ato që kemi bërë dhe çfarë do të bëjmë. Ajo që shoh në townhall-e është se është hera e parë si shef i ekzekutivit, pasi edhe kur kam qenë president kam pasur me Kushtetutë fuqi ekzekutive, që unë e konkretizoj programin e katër viteve të ardhshme para datës së zgjedhjeve. Kjo, sepse unë nuk mund t’u them qytetarëve pritni të bëjmë zgjedhjet dhe pastaj do ta bëjmë atë. E vërteta është se ky është programi më i strukturuar në historinë e Partisë Demokratike. Merrni e lexoni programin e vitit 2005. Ky program ka kolonat më të fuqishme dhe kjo po ndodh realisht, edhe prej këtij debati që po zhvilloj në townhall-e. Unë kam respektin më të madh për analistët, për moderatorët, për sms-të që marrin, por i siguroj se me shumë kënaqësi janë të ftuar të vijnë në çdo takim shtypi që unë bëj me ju. Por me ju kam një raport tjetër, kam një detyrim, sepse çdo ditë, ju i jepni publikut tuaj, kronika nga veprimtaritë e mia dhe unë nuk marr dot pyetje nga ju. Kjo është e padrejtë. Edhe në qeveri apo grup parlamentar nuk marr dot pyetje. Në autobus nuk rri dot, është ai tjetri. Ju e shihni, unë jam tokësor. Kjo është situata.

Përsa i përket debatit, tani më kërkon debat edhe zoti Meta. Të bëjë një tentativë, të më takojë pastaj ta studioj.

E kam ftuar dy herë dhe ai refuzonte. Unë kryeministër e ftoja dhe ai thoshte jo, e mbante hundën në qiell. Hundën në qiell, por pastaj në tokë, rezultati.

Tani del edhe aleati dhe do debat. Të zgjidhin një herë, ca probleme njëri me tjetrin. Unë kam respekt për kundërshtarin. Por zotit Meta dua t’i them një gjë. Nuk mundet që një ditë flet si qeveri, një ditë si opozitë. E keni konstatuar këtë? Ndaj i kanë ca probleme të brendshme adaptimi, por gradualisht do adaptohen.

Zoti Kryeministër, sot, në disa artikuj në media të shkruara  thuhet se punonjësve të policive do t’u ulet rroga. Për çfarë bëhet fjalë, për ndonjë vendim qeverie?

Kryeministri Berisha: Absolutisht asnjë vendim qeverie dhe as policisë dhe askujt tjetër në këtë vend nuk do t’i ulet asnjë qindarkë, rroga. Kjo është e prerë, kategorike. Ne jemi parti e rritjes së rrogave.

Zoti Kryeministër, pyetja  ka lidhje me KQZ-në. A do të ketë negociata për një riformatim të KQZ-së dhe nëse po, deri ku mund të tolerojë Partia Demokratike?

Kryeministri Berisha: Partia Demokratike nuk ndërhyn në mënyrë absolute, në problemin e KQZ-së. Ai u shndërrua në një problem pazaresh të turpshme të kreut të PS-së me aleatët e vet, në mënyrën më bizantine. E them këtë, sepse ajo që i ndodhi Jani Janit, pavarësisht se Jani Jani nuk është ministër, nuk është kryetar partie, por ai është një qytetar që do që të ketë integritetin e tij të plotë e të respektuar dhe të marrësh ta bësh pazar Jani Janin, për të futur në listë një njeri, këtë mund ta bëjë vetëm shoku Edvin. Askush tjetër nuk e bën. Edhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste, zoti Biba dhe zonja Shtylla e dhanë dorëheqjen në shtrengesë të plotë e totale. Edhe në zgjedhjet e kaluara, zoti Rama i tërhoqi tre muaj anëtarët e Komisionit. Para dy javëve, zoti Rama i deklaroi një grupi diplomatësh, se me këtë situatë të KQZ-së, po i humba zgjedhjet nuk do t’i njoh. Këtu fle lepuri. Zoti Rama do të mos i sjellë anëtarët në KQZ dhe si rezultat të thotë: i humba zgjedhjet se nuk kisha anëtarë në KQZ. Këtë nuk mund t’ia shesë kurrkujt, përveç Erion Velisë apo ndonjë 99-shi tjetër. Por çështja qëndron, ndaj t’i sjellë anëtarët dhe ne i votojmë padiskutim, pasi unë kam sensin e një kompromisi për opozitën.  Ka tërhequr tre anëtarët, t’i ndajnë si të duan me njëri-tjetrin, është punë e tyre, si e përcakton ligji, sigurisht dhe ne mbledhim parlamentin që nesër, për të votuar anëtarët e opozitës në KQZ. Për tjetër, le të puthet me Milon. Më falni jo me Paskalin, por i referohem shprehjes. 

Ambasada amerikane ka sqaruar që Shqipëria të hyjë në programin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për udhëtimin pa viza, duhet që refuzimi i vizave të jetë në masën 3 përqind, ndërsa aktualisht është 40 përqind. Meqenëse kjo nuk është në dorën e qeverisë, si mund të arrihet të realizohet?

Kryeministri Berisha: Së pari, unë jam kryeministër i vendit dhe e di këtë. Ambasada amerikane ka thënë një të vërtetë. Së dyti, as sot dhe asnjëherë, kjo qeveria nuk do të kërkojë favore që nuk i përkasin, ndonëse ai është vendi më mik i Shqipërisë. Por kjo përbën një premisë shumë pozitive. Në qoftë se shtrohet për ndjenjat, unë kam bindje se shqiptarët do ta kishin marrë me kohë liberalizimin  e vizave. Përse nuk ka ndodhur? Nuk ka ndodhur se nuk janë kriteret. Por ne jemi njerëz seriozë.

Kur u morën vizat me Bashkimin Europian, ne kishim jo një, por 120 detyra. Unë e kam deklaruar edhe më parë, udhëheqësve kryesorë të Europës, që kam takuar për vizat, nuk u kam thënë asgjë tjetër, veçse: ju lutemi zoti kryeministër, ju lutemi zonja kancelare, ju kërkojmë të dërgoni një ekip, të shohë gjërat një nga një në Shqipëri dhe në rast se nuk e meritojmë, dakord, në rast se e meritojmë, kërkojmë vlerësim objektiv. Secili prej tyre më është përgjigjur se kjo është kërkesë e ndershme. Gjermania dërgoi këtu Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Federale. Edhe vende të tjera dërguan. Ata i panë një nga një gjërat, u raportuan qeverive dhe kryeministrave të tyre dhe u votua, pavarësisht se ne ishim i vetmi vend, në të cilin opozita bënte gjithçka për të bllokuar heqjen e vizave. Kjo është e njohur tashmë, qoftë me grevën e urisë para kryeministrisë, në maj kur Parlamenti Europian do të jepte dritën jeshile, për të hapur procesin për Shqipërinë, qoftë me e-mail-et që dërgonte, se do të kishin një dyndje prej 800 mijë shqiptarësh.

Me Shtetet e Bashkuara, ne kemi marrëdhëniet më konstante, më transparente, më intensive se me çdo shtet tjetër, kemi komunikim të vazhdueshëm e të gjithanshëm me ambasadën, qeverinë, Kongresin, në të gjitha drejtimet. As që bëhet fjalë që unë të pretendoj të na bëjnë favor tjetër, përveç asaj që na takon. E para, do të kërkojmë edhe ndihmë për të plotësuar kushtet dhe do të na ndihmoni, sepse është një marrëdhënie më e veçantë, nuk them se është speciale, por miqësore. Shtetet e Bashkuara kanë një vullnet për të na ndihmuar. Ne do të punojmë, do të marrim listën e kritereve. Zoti Rama po të dojë, le ta çojë Gramozin në hënë. Ta nisë për në hënë, mirë bën. Se kanë ata, mëkatarë me stampë në grup, kjo nuk do të thotë se janë shqiptarët me vizë të kuqe, ka tek-tuk disa prej tyre.

A ka bërë sondazhe PD-ja dhe sa deputetë mendoni të fitoni përballë të majtës së bashkua?  

Kryeministri Berisha: PD-ja nuk bën sondazhe. Fokus grup nuk janë kurrë për përqindje votimi, por janë gjithnjë për çështje, të cilat çdo parti i ka, pasi fushata bazohet mbi to. Fokusgrup janë kategoria e zgjedhësve të pavendosur etj.. dhe ato kanë interes. Sondazheve, unë nuk u besoj. Por e ka thënë Ismail Kadare: nga lufta vijmë, në luftë shkojmë. Edhe unë nga, fushata vij, në fushatë shkoj. Ky jam unë. Unë kam ndjenjën, kam prekjen. Dua t’ju them se takimet si townhall-et, ne i kemi përdorur në fillim të viteve ’91. Uleshin në tavolinë, na bënin pyetje dhe ne u përgjigjeshim një e nga një. E kam përdorur shumë rrallë, por në këtë formë nuk e kam përdorur asnjëherë. Kjo është një formë fushate, të cilën po e përdor si linjë kryesore për herë të parë. Ndodhi që erdhi ora ime, ta quaj kështu, mitingu dhe unë u befasova. Nuk prisja kurrë mitingje të atilla siç kam përjetuar në këtë hapje fushate dhe unë mbaj mend shumë mitingje. Kjo më bind se jemi në rrugën e drejtë. Një pjesëmarrje e jashtëzakonshme e qytetarëve, një interes shumë i madh. Kjo sepse, së pari, ka realizime të padiskutueshme dhe ne po i evidentojmë, si dhe po ballafaqojmë edhe të metat me qytetarët. Së dyti, për një qeveri nuk është e thjeshtë që të ketë frymë. Qeveria mund të ketë faktorë të tjerë, por, zakonisht, fryma vërehet tek opozita. Kësaj radhe asaj iu shua fryma. Dritëzën e fundit ia përpiu Koçoja dhe pastaj zihet me Fidelin, me Blushin e të tjerë, përse nuk u dalin qytetarët. Por qytetarët kanë arsyetimin e tyre, një arsyetim shumë të thellë. Ju jeni gazetarë dhe e dini se ka një ligj, njerëzit e thjeshtë, pavarësisht se mund të mos kenë kurrë as çerekun e informacionit që keni ju, kanë instinktin që me informacionin shumë të thjeshtë vijnë në konkluzione shpesh më drejta. Këtë e harrojnë. Kur i thoshin të bashkohen të gjithë qelbësirat për të përmbysur Sali Berishën, më falni se këtë shprehje nuk dua ta përsëris, ai e zbatonte. Por çdo të thotë kjo, ta bësh kazanin e Makbethit të Shekspirit: fton çifuti, mjekërcjapin, unë turkun, buzëarapin. E pakonceptueshme, nuk e kisha dëgjuar kurrë! Njeriu merr një standard vlerash. Mund të bashkohen dhe u bashkuan, por çfarë fituan?! Shikoni sheshet. Jo një, por katër parti komuniste.

Tani më së fundi ndodhi ajo që nuk është se nuk më gëzoi. Isha i vetmi në Europë që Internacionalen Socialiste, edhe në Bruksel e quaja Komintern dhe doli që është Komintern. Tani u shpërbënë, ikën. Një grup aventurierësh, një përzierje diktatorësh, njerëz që ndiqen me krime kundër njerëzimit dhe gjënë më të thjeshtë kishin të firmosnin deklarata kundër Sali Berishës. Domethënë ky është zhvillimi më pozitiv. Tani mbeti zoti Rama, me një grusht diktatorësh dhe humbësish të pashpresë në politikë. Edhe vetë aty do të përfundojë.

Së fundi, ka një studim sociologjik të sponsorizuar nga George Soros, në të cilin është studiuar sjellja e tij dhe sjellja ime. Zoti Rama ka dalë se shan tre herë më shumë se unë. Por me sharje nuk ndërton asgjë. Me sharje ndërtohet hiçi dhe politikani nuk duhet të përdorë kurrë, sharje. Në qoftë se i kam përdorur, kam bërë gabim. Por ai është i papërmbajtur. Studimi i dytë i Soros tregon se Sali Berisha ka qenë konsekuent në konceptet e platformës së tij politike të qendrës së djathtë. Nëse studion fjalorin, thuhet në të, gjen një mijë herë taksa e ulët, liria ekonomike, iniciativa e lirë. Kurse Edvin Kristaq Rama ka qenë një rrëmujë, siç është e majta. Ju i patë zgjedhjet në Bullgari. I bënë demonstrata mikut tim, të qendrës së djathtë, Borisov. Bullgarët e rivendosën prapë dhe Stanishevin, i cili vinte këtu e bashkë me partitë e opozitës serbe bënte deklarata kundër meje, e rrëzuan e nxorën në pension, megjithëse në pension këta nuk dalin, pasi janë burra që nuk dinë të shkulen nga karrigia. Ehe për t’iu përgjigjur edhe pyetjes suaj, absolutisht, në çdo rast që qytetarët shqiptarë do të japin verdiktin e tyre pozitiv apo negativ, reagimi im do të jetë tërësisht në nënshtrim të plotë të verdiktit. Nuk mund të ketë diskutim. Asnjëherë. As e kam vënë ndonjëherë në mëdyshje.  

Pra, të gjitha këto ia shuan frymën. Shqiptarët e dinë se është qendra e djathtë që do të bëjë reformat, që do të çojë më tutje zhvillimin ekonomik të vendit. E majta është disastër. Kudo ajo ka thelluar krizën dhe më thoni nëse nuk është kështu. Kjo është krizë e thellë në Europë dhe nuk zgjidhet me slogane dhe demagogji, por zgjidhet me reforma të thella e të guximshme, zgjidhet me ata që i besojnë lirisë së individit, ata që e dinë se të mirat e një shoqërie krijohen nga individi i lirë. Prandaj i është shuar fryma. Fryma, të jemi realistë, edhe pse nuk doja ta thosha, është tek qeveria. Vetëm fryma i mblodhi qytetarët në Tiranë. Ai miting ka qenë me përpjekjet më minimale të bëra ndonjëherë. Mitingjet e hapjes janë të hapjes dhe motivimin ta gjykojnë si të duan, nuk janë motivet e fundit, për të cilat partia mobilizon të gjitha potencialet e saj. Por ishte fryma që e mbushi atë shesh, që mbushi sheshin Taulantia, sheshin Gensher dhe do të jetë fryma që do të derdhë sonte Korçën, në shesh. Mori Koçon, humbi frymën.

Jashtë listës së PD-së ose në vende jo të sigurt  janë lënë katër kryetarë komisionesh dhe 11 anëtarë të Komisionit të Ligjeve. Nga ana tjetër keni përfshirë tre ish deputetë të PS-së në listën e PD-së. Një listë e tillë politike mendoni se do të ketë kosto në elektoratin e djathtë shqiptar?

Kryeministri Berisha: Së pari, edhe qytetarëve shqiptarë, edhe bashkëpunëtorëve të mi që kanë mbetur jashtë listës dua t’i garantoj se në mënyrë absolute nuk kanë mbetur se unë mendoj se ata kanë qenë bashkëpunëtorë të mi luajalë. Absolutisht luajaliteti është një nga virtytet. Në qoftë se pranon të punosh me mua, duhet të kesh parasysh se duhet të jesh luajal dhe ata kanë qenë luajalë, kanë qenë e janë të aftë. Çfarëdo analize që mund të bëjnë, çdo lloj kritike e mendimi që mund t’u krijohet në kokë, unë jua justifikoj plotësisht, por ky është qëndrimi im ndaj secilit prej tyre.

Formulimi i listës aq sa duket i thjeshtë, aq është i komplikuar, për shkak të përpjekjeve për përfaqësim dhe kësaj radhe kisha jo vetëm tre deputetë socialistë, por edhe 5 aleatë të mi. Unë nuk i lëviz marrëveshjes. Të gjithë pasojat e marrëveshjes i mbaj vetë dhe jo ata që negociojnë se ata kanë negociuar me mandatim. Këta zotërinj socialistë në një situatë të paprecedentë për vendin, se zoti Meta me të cilin kisha një marrëveshje për të qeverisur   gjatë gjithë mandatit, dy muaj më parë  e ndërpreu marrëveshjen. Unë kam po atë qëndrim që kam shprehur, por marrëveshjen ai e ndërpreu. A është kjo një gjë e rëndë? Nuk është dhe aq e rëndë, sepse mund ta ndërpriste më përpara, mund ta ndërpriste më pas, mund edhe të mos e ndërpriste, por këto janë vendime politike. Marrëveshja u ndërpre me një skenar, të rrëzojmë Sali Berishën në mënyrë që të shkojmë në një qeveri teknike. Injorancë e gjallë kushtetuese. Kushtetua e Shqipërisë nuk parashikon qeveri teknike. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon vetëm qeveri maxhorancën dhe politike. Kushtetuta italiane ka shkruar neni i qeverisë teknike. Këta zotërinj menduan se tani ju erdhi koha që të realizojnë një ëndërr të Edi Ramës që nuk e realizoi dot në 4 vjet. Normal sepse opozita këto ka. Pra, këta zotërinj socialistë menduan që të mos ta çojnë vendin në një fazë pasigurie sepse dalja në opozitë do i përgjysmoja në elektorat. Ju e dini vetë se si kam qenë në opozitë , se sa më donin mua njerëzit. Unë jam i vërtetë në opozitë dhe nuk bëjë makinacione, nuk e  vendos Kocon në mes. Pra ka një bazë morale të fortë. Një interes më madhor prevaloi mbi interesin e PD. Interesi më madhor ishte interesi që Shqipëria të zhvillonte në zgjedhjet më normale, të mos futej në një krizë  qeveritare, të mos futej në një situatë kur qeveria rri me 70 deputetë. Unë nuk jam ai që rri me 70 deputetë. Kushtetua e lejon, por unë do të shkoja në zgjedhje për 45 ditë. Kisha të gjitha të drejtat dhe mundësitë. Dhe për të mos e bërë këtë për interes të qytetarëve, për interes të vëzhguesve, sepse në rast se shkohej në zgjedhje për 45 ditë, zgjedhjet nuk vëzhgoheshin. Zgjedhjet e parakohshme vëzhgohen vetëm në grupe të vogla sepse parashikimi është bërë vetëm për 23 qershor. Prandaj dhe unë për atë qëndrim që ata mbajtën, pas asnjë lloj hezitimi i vendosa në lista.

Zotërinj, rëndësi kapitale ka vlera për të cilën bashkohesh me një njeri. Ne u bashkuam me ta në një moment kritik për të kontribuar në procesin themelor zgjedhor. Dhe unë u jam shumë mirënjohës. Përsa i përket aleatëve të mi, unë nuk i mashtroj ata sepse nuk jam këtu për ti mashtruar ata. Unë i kam për bashkëpunëtorë. Unë s’mund të bëj atë që bëri ai, që i mori një nga një, si një burrë i vjetër , i cili kishte marrë në kohë të lashta 7 gra dhe u thoshte se ajo që mban unazën është e dashura ime. Dhe unazën ia dhuronte 1 herë në 7 ditë secilës prej tyre. Dhe ai kështu e bëri i mori me radhë dhe i përcolli më pas ashtu siç i mori. Por unë i kësaj natyre nuk jam.

Unë do ta zbres pak problemin tek çështjet lokale. Megjithëse nuk është situata e mëparshme, përsëri në fushën e Maliqit ka përmbytje. A ka ndonjë projekt të afërt dhe të largët për këtë fushë. Për qytetin e Maliqit ku papunësia është më e theksuar se në çdo fshat tjetër të rrethit të Korçës , a ka ndonjë projekt të afërt dhe të largët?

Kryeministri Berisha: Së pari, lidhur me fushën , ka pasur debate dhe paraardhësit tanë u udhëhoqën nga ideja se duhet ta kënetëzojnë, me arsyetimin se ka qenë i gabuar bonifikimi dhe duhet të kthehet në aktivitetin  e vet. Unë nuk jam për këtë arsyetim. Mund të ketë gjahtarë që mund ta duan këtë , por ne do të mbrojmë në mënyrë absolute çdo metër katror të asaj toke. Ne kemi qenë shumë më aktiv në kullim, por qoftë kullimi ,qoftë vaditja nuk kanë pasur fondet që meritojnë. Ky mandat do të jetë mandati i kullimit. Nuk është vetëm Maliqi. Problemi i parë madhor që ngritën është kullimi se u kalbën serat. Ne do të bëjmë ndërhyrje të fuqishme dhe nuk do të braktisim asnjë metër katror tokë. Po të shëtisni në të gjithë vendin, ju do të konstatoni se ne po shtojmë sipërfaqen e tokës bujqësore në mënyrën më të shpejtë dhe më të mrekullueshme. Shikoni sa kodra janë veshur me ullinj dhe me vreshta. Ne nuk themi tu qepemi maleve dhe kodrave dhe ti bëjmë pjellore si fushat. Ne jemi për projekte si ai i ullirit, arrorëve e të tjerë me rradhë.

Këto ditë u inaugurua Devolli. Devolli është i të gjithë rrjedhjeve dhe jam i bindur se nga ta banorë që do të fitojnë do të jenë edhe banorët e Maliqit, sikundër për Maliqin për Korçën për të gjithë fermerët shqiptarë ne kemi projektin e trefishimit të granteve. Ne kemi dhënë nga viti 2007 deri në 2012, 57 milion dollarë. T’u them të vërtetën fillimisht nuk isha i sigurt sepse të japësh para nuk janë të tuat, por janë të buxhetit. Ato jepen në të gjithë botën, kështu BE jep grante për fermerët, pra ne ndoqëm një praktikë evropiane. Por projekt më të suksesshëm se ai nuk pati. Shkojmë kudo, janë të fotografuara, të filmuara, të matura me centimetra, 8000 ha të mbjella me ullishta. mijëra ha vreshta. 35 mijë kokë lopë të subvencionuara për qumështin, delet në përgjithësi. Ky projekt është një sukses i vërtetë dhe kam shumë vlerësim për ata që e menaxhuan. E them këtu në mënyrën më  absolute se nga 2007 e deri më sot nuk ka patur as edhe një ankesë të vetme se “nuk më dhanë grantin se jam socialist”. Kjo është një gjë e madhe. Pra, ne duhet ta konsolidojmë këtë praktikë. Me 56 milionët  e parë arritëm këto dhe absolutisht ne do ta çojmë në 165 milion. 4 vitet ë vijnë ne do të trefishojmë, por nuk është vetëm kaq. Siç e keni dëgjuar ne na dhanë 12 milion euro , në marrëdhënie me komisionin evropian , fonde të mira për bujqësinë përfiton kur merr statusin. Evropa subvencionon më shumë se çdo gjë tjetër bujqësinë, 50 miliardë euro në vit. Me bujari dhe zemërgjerësi na dhanë edhe ne. Por po të merrnin statusin do të na jepnin shumë më tepër. Ne statusin po e marrim, ne negociatat do i hapim. E rëndësishme është kjo që në kemi përpunuar një praktikë të rëndësishme mbështetëse për fermerët.

Këto ditë ne hoqëm çdo lloj TVSH-ja dhe do t’i rimbursojmë ata. Vetëm rimbursimi mund të shkojë 80-100 milion euro dhe ne do ta bëjmë ata, pasi kemi 45 % të popullatës dhe ata duan të rrisin mirëqenien e tyre.

Së dyti, në tërësi prodhimi i tyre është shumë i rëndësishëm për të ngushtuar balancën tregtare të vendit dhe ngushtimi i balancës tregtare përbën një zhvillim shumë pozitiv për stabilitetin e ekonomisë. Përveç kësaj do të jetë vaditja projekti më kryesor. Do të bëjmë që do të vaditim me metodat më moderne dhe me kosto më të ulët. Këtë do të bëjmë për Maliqin dhe për çdo zonë tjetër. Këtë  e kemi në programin tonë. Ky është programi më konkret në historinë e PD. I hartuar sigurisht nga ne por edhe me kontributin shumë të madh te qytetarëve. Imagjinoni ju një qeveri që ndryshon ligje brenda tre javëve. Ata na kërkuan rimbursimin me para në dorë, në mënyrë që të mos e përfitonin tregtarët, pasi ata kështu na kërkuan. Ne futëm akcizën e naftës me para në dorë .

Ju deklaruat se nuk mund të ndërhyni në KQZ. Në rast se opozita nuk sjell tre anëtarët e saj atëherë KQZ do të funksionojë me 4. Sa premton kjo për zgjedhje të lira dhe më pas në një rezultat të drejtë. Zoti Bamir Topi ka deklaruar se kryeministri ka frikë nga rrotacioni, ndërkohë që FRD do të jetë një forcë përcaktuese në zgjedhje. Si  e komentoni këtë deklaratë dhe a do të keni një marrëveshje me këtë forcë pas zgjedhjeve.

Kryeministri Berisha: Lidhur me KQZ ,ne jemi të gatshëm si këshill që të mblidhemi dhe të votojmë anëtarët e opozitës. Këtu është jo me ligj e parashikuar , por ne e bëjmë këtë. Po të doni që nesër të bien tre anëtarë është zgjedhja e tyre. Për të tjerat as edhe një preokupim. Por në rast se zoti Rama nuk i sjell anëtarët se kërkon ti përdorë arsye për të mos njohur zgjedhjet. Por dhe kur i kishte anëtarët zoti Rama, prapë nuk i njohu zgjedhjet. Është e njëjta. Nuk kam energji për tu futur në labirintet e zotit Rama. Energjitë i kam për të punuar për qytetarët. Çdo mandat i vitin 2009 ka firmën e 7 anëtareve, votën unanime, dhe rezultati cili ishte. Ai nuk i njohu zgjedhjet. Unë nuk mund aspak të tërhiqem, favori që i bëj është le të sjellë anëtarët e KQZ dhe të mbledhim parlamentin.

Përsa i përket pyetjes së dytë, për rrotatorët. Ata që kanë bërë rrotacionet më  mirë të shohin arsyet se përse u rrotulluan se u shërben më shumë.

PS-ja ju ka akuzuar se po përdorni administratën për fushatën zgjedhore, gjithashtu Rama ka deklaruar se do të pushojë të gjithë drejtorët e shkollave të cilët përdorim nxënësit për fushatë. Sa qëndrojnë  këto akuza?

Kryeministri Berisha: Në një vend të lirë, administrata ka të drejtë të padiskutueshme , përveç ushtrisë, policisë, shërbimit informativ kombëtar, e gjithë pjesa tjetër ka të drejtë të angazhohet në fushatë nga mëngjesi deri në darkë, pa shkelur orarin zyrtar. Ne kemi draftin e një ligji të hartuar me eksperiencën më të lartë evropiane, se dhe punonjësit e shërbimit civil të kenë të drejtë të ndërmarrin intensivisht fushatë me kusht që të marrin lejen. Mu duk shumë e parakohshme kjo. Ti nuk mund ti mohosh tjetrit veprimtarinë politike. Nuk mund ta quash përdorje. Gjithçka me vullnetin e tyre të lirë. Njëri më dërgoi një mesazh dhe më tha se në drejtorinë  e pyjeve janë pushuar 11 vetë. Pyes dhe me rezulton e pavërtetë. Pra qarkullojnë mite. Apo bëjnë fushatë punonjësit e bashkisë së Durrësit dhe le të bëjnë se ato janë qenie shoqërore dhe politike. Sapo të fillojë fushata unë do ve në fuqi vendimin që vura në zgjedhjet e 2011 i cili është se asnjë mjet dhe asnjë burim zyrtar, qeveritar i administratës, nuk mund të përdoret për fushatë, përveçse ,mjetet e partisë. Askush nuk e ka bërë këtë, do ta bëj unë dhe do ta bëj prapë.

Zoti Rama unë i ftoj punonjësit e administratës të mos frikësohen nga kërcënimet  e tij sepse ai është në gjendje nervoze shumë të papërmbajtur, sepse ai nuk e ka vetëm me punonjësit e administratës. Ai shkon dhe u thotë mësuesve jeni më të paditur se ata që jepnin mësim 100 vjet përpara, u thotë policëve ji jeni banditë. Shkon në Berat flet për armiq. Shkon në Lezhë dhe u thotë tradhtarë. Pra është në një fazë psikike, se nga se, ai e di vetë, sepse unë jam kardiolog, nuk kam punë me të tjerat. Kjo nuk është fushatë se qytetarët kanë nevojë për vlera. Të gjithë këto janë stisje dhe sajime të një njeriu t dëshpëruar që ju fik fushata. Atë të shkojë ta zgjidhë me Koçon jo me mua.

Kam një pyetje në lidhje me listat në qytetin e Shkodrës, një listë e hartuar pothuaj nga  e para. Kjo ka ardhur për të dobësuar pozitat e kryetares së kuvendit zonjës Jozefina topalli në PD apo ka patur arsye të tjera.

Kryeministri Berisha: Ç’është e vërteta, zonja Topalli është nënkryetarja  e partisë, me një kontribut politik të çmuar për PD-në, por unë mendoj se si kryetare parlamenti, që nisi karrierën e saj në krye të parlamentit me një opozitë që hynte me bilbila, bori e trumbeta, ajo ka përballuar një punë të jashtëzakonshme. Në të gjitha plus, minuset e tij, ky parlament ka bërë reforma shumë të mëdha. Kur unë u them bashkëbiseduesve të mi se ne hoqëm imunitetin, kjo është  një gjë shumë e madhe. Pavarësisht se ç’themi sot, nuk ka imunitarë. Ne kemi qenë në të katër anët për luftën kundër korrupsionit. E keni dëgjuar zotin Rama që thotë se korrupsioni nuk ka të bëjë me personin? Por me kë ka të bëjë atëherë? Nuk ka diskutim që ka të bëjë me integritetin  e personit. Shikoni se çfarë teze ka nxjerrë për hir të Koços dhe të tjerëve. Korrupsioni ka të bëjë me dy gjëra, reforma për parandalim dhe penalitete për të korruptuarit. Deri dje thoshte ka imunitet, ndërsa tani thotë se nuk ka të bëjë me individin. Ai e thotë  këtë se është i vetmi politikan në 20 vjet që vjen me pallat në shpinë. Në të gjithë karrierën time politike jetoj në një apartament 125 metër katrorë. Jam rritur në një shtëpi krejt tjetër, në një kullë trekatëshe, kështu që pasioni im është shtëpia, por mundësitë e mia janë 125 metra, ndërsa ai ka vilë në zonën më verore. Nga mbinë ato para? Po të hysh ne fushatë me një hipotekë të tillë, pastaj nuk ke rrugë tjetër veçse të thuash se korrupsioni nuk ka të bëjë vetëm me personat, mbetet të thuash ç’më duhet mua se ç’them unë. Cili politikan është futur në fushatë me pallat dhe me vilë 57 metra të gjatë? Ti thua edhe e kam blerë 2 dollarë metrin katror, paka se sa mund ta ketë blerë. Pra këto janë konceptet që mund të na dallojnë. Ju e kuptoni betejën time me Fatos Nanon, ajo është legjendë, por ai pallat nuk kishte, edhe vilë nuk ndërtoi. Të themi atë që është edhe një vilë që pati ia dorëzoi pronarit më duket , madje e dorëzoi pa ardhur kjo kohë, sipas një ligji.

Zoti kryeministër, komenti juaj për fushatën elektorale që po zhvillon rivali juaj Edi Rama.

Kryeministri Berisha: E thashë, ai është në autobus, populli ynë e ka këtë fjalë. Hipi Nano në autobus mbeti në autobus. Ju kujtohet ju, filloi Fatosi në autobus dhe mbeti në autobus. Edhe ky e nisi në autobus dhe atje do të mbetet. Ajo që duket nuk ka nevojë për komente.

Zoti Kryeministër po insistoj sërish tek pyetja ime a mund të flasim për një koalicion të mundshëm me PD dhe FRD në zgjedhje?

Kryeministri Berisha: Koalicionet paszgjedhore në vend të qytetëruar i dikton sovrani, ato nuk i dikton ti. Ty të takon të lexosh sovranin. Por një gjë është e sigurt, zoti Topi për arsye që i di vetë, ai u listua kryekëput me zotin rama, sa që e votoi atë. Po ia ke dhënë votën, i ke dhënë zemrën, e kam fjalën për zemrën politike, se zemra ka shumë dimensione. Pra, zemrën politike ia dha zotit Rama dhe nuk kishte arsye ta bënte atë. Ai ishte një njeri që për shumë arsye nuk mund ta bënte një gjë të tillë, kurrë, sepse njeriu mund të zemërohet mund të mbajë inat, por pastaj ka disa gjëra më themelore. Kjo është e vërteta që ai zemrën politike ia dha Edi Ramës.

* * *

Unë ju falënderoj dhe ju përshëndes dhe ju them se ndoshta nuk do të kem mundësi që këto konferenca ti zhvilloj në zyrë aty ku i kemi bërë zakonisht, pasi edhe koha imponon që aktivitet të zhvillohen më shumë pasditeve. Por unë do të gjej gjithnjë kohën që të jem para jush për pyetje, periodikisht dhe ju ftoj ju që cilitdo nga kolegët tuaj që ka pyetje për Sali Berishën do ti marr me kënaqësi, ose të vini vetë . Kjo është krejtësisht e hapur  


17/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›