E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha vijon në Spille turin “Shqipëria po ndryshon”

-Kryeministri Berisha theksoi se përmirësimi i infrastrukturës turistike në vend përbën prioritet madhor për qeverinë dhe se në një kohë rekord do të asfaltohen të gjitha rrugët që lidhin akset kombëtare me bregun e detit

Në vijim të turit "Shqipëria po ndryshon", Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e fillimit të punimeve për ndërtimin e rrugës Luz-Spille, me gjatësi 14 kilometra, e cila financohet nga buxheti i shtetit me një vlerë rreth 250 milionë lekë.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh se përmirësimi dhe modernizimi i infrastrukturës turistike në vend përbëjnë prioritet madhor për qeverinë. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se në një kohë rekord do të asfaltohen të gjitha rrugët që lidhin akset kombëtare me bregun e detit.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se shqiptarët nuk ofendohen nga inaugurimet, por nderohen nëse taksat e tyre shndërrohen në rrugë, në shkolla, si dhe në rritjen e pensioneve dhe pagave.

“Ne po i vjelim paratë, por nuk po fryjmë xhepat dhe as kontot bankare, por po shtrojmë rrugët, po ndërtojmë shkollat dhe po përmirësojmë jetën e qytetarëve të Shqipërisë, në mënyrën më transparente”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha shoqërohej nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve z.Sokol Olldashi, kryetari i komunës së Luzit z.Hajrulla Tafa dhe deputetë të zonës.

Ndër të tjera Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot, ne inauguruam fillimin e punimeve të rrugës Luz-Spille, e cila lidh jo vetëm Kavajën, por mbarë Shqipërinë me një nga zonat turistike më të bukura të vendit siç është plazhi dhe zona e Spilles. Kjo zonë çdo vit bëhet gjithnjë e më e njohur në Shqipëri, por edhe jashtë saj për bukuritë përrallore dhe mahnitëse që ofron.
Viti 2008 ka qenë viti me numrin më të madh të turistëve në historinë e vendit dhe një vit në të cilin ne mbi dyfishuam numrin e turistëve në krahasim me vitin 2005. Në këtë kontekst, përpjekjet për të përmirësuar dhe modernizuar infrastrukturën turistike të vendit janë prioritet madhor i qeverisë time.

Unë dua të informoj shqiptarët se qeveria ka vendosur të përparësojë asfaltimin e të gjitha rrugëve që të çojnë në bregdet, nga Velipoja në Sarandë.
Në Kavajë janë dy rrugë të tjera për t’u asfaltuar, rruga e Vilboshtovës dhe rruga e Karpenit. Asfaltimi i rrugëve do të bëhet realitet për të gjitha komunat e vendit, komunat e Dajçit, Bushatit, Lezhës, Kurbinit, Shijakut, Durrësit, Kavajës, Fierit, Vlorës, etj.. Në një kohë rekord do të asfaltohen të gjitha rrugët që lidhin akset kombëtare me bregun e detit. Ne këtë mënyrë ne i kemi bërë shërbimin më të madh kësaj zone, si zona kryesore bujqësore shqiptare. Me këtë riskenim të rrugëve ne i japim ultësirës bregdetare jo vetëm një dalje të shpejtë në det, por edhe në treg, si në qendrat turistike bregdetare ashtu dhe në qendrat e qyteteve të mëdha të vendit.

Pak ditë më parë dëgjova një nga zëdhënësit e ‘politikës së re’, i cili doli dhe tha se po ofendohen shqiptarët me inaugurimet. Më duhet t’i them këtij megafoni të prishur se shqiptarët nuk ofendohen kurrsesi nga inaugurimet, por nderohen nëse taksat e tyre shndërrohen në rrugë, në shkolla, si dhe në rritjen e pensioneve dhe rrogave. Shqiptarët ofendohen nëse paratë e tyre avullojnë dhe përfundojnë në kontot bankare të qeveritarëve, ashtu si përfundonin tre apo katër vjet më parë. E them këtë se në rast se bëjmë bilancin e këtij viti gjejmë se kemi investuar 1.2 miliardë dollarë për rrugët e Shqipërisë, ose investojmë për rrugët e Shqipërisë tetë herë më shumë sesa kanë investuar ‘përfaqësuesit e politikës së re’ në vitin më kulmor të investimeve të tyre, në vitin 2004.

Ne po i vjelim paratë, por nuk po fryjmë xhepat dhe as kontot bankare, por po shtrojmë rrugët, po ndërtojmë shkollat dhe po përmirësojmë jetën e qytetarëve të Shqipërisë, në mënyrën më transparente. Ndaj, ju siguroj se viti i ardhshëm do të jetë një vit investimesh të mëdha dhe vit transformimesh në rrugën tonë.
Ndërsa opozitës, e cila i konsideron ofendime shiritat dhe inaugurimet, i them të bëhet gati se këto do t’i ketë të përditshme.
Ky është ritmi i vërtetë i një Shqipërie që po ndryshon. Ky është ritmi i vertetë i një Kavajë që ndryshon. Kompania që po kryen punimet ka marrë përsipër që ta përfundojnë rrugën para sezonit turistik të vitit të ardhshëm. Ndërsa ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ka marrë porosi të dorëzojë sa më shpejtë projektin për rrugën e Vilboshtovës dhe Karpenit. Sot në Shqipëri nuk ka më të harruar dhe të diskriminuar. Jam shumë i kënaqur që në këtë zonë janë bërë këto investime dhe jam i  vetëdijshëm që investimet e mëdha kanë shkuar dhe do të shkojnë në çdo zonë të Shqipërisë, pa asnjë diskriminim”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›