Kryeministri Berisha pret një delegacion nga Lugina e Preshevës

Kryeministri Berisha priti në takim një delegacion nga Lugina e Preshevës, ndër të cilët deputetin shqiptar në parlamentin serb z. Riza Halili si dhe kryetarët e Komunave dhe të Kuvendeve të Preshevës dhe Bujanovcit. Kryeministri Berisha u uroi mirëseardhjen përfaqësuesve nga Lugina e Preshevës duke shprehur vlerësim për punën e bërë nga klasa politike dhe administrata në këto komuna që ndodhen në territorin e Serbisë, punë kjo që ka dëshmuar se ka një përkushtim të madh për mbrojtjen dhe arritjen e të drejtave që atyre u takojnë si dhe vlerësoi pozitivisht kontributin e tyre për paqen dhe stabilitetin në vendin ku jetojnë.
Përfaqësuesit e delegacionit nga Lugina e Preshevës falenderuan Kryeministrin Berisha për mbështetjen dhe interesimin e përhershëm për Luginën e Preshevës si dhe e njohën Kryeministrin me problematika të ndryshme në komunat e Luginës së Preshevës veçanërisht me problemin e njohjes së diplomave të shqiptarëve të marra në Universitetin e Prishtinës si dhe probleme të tjera lidhur me arsimimin e të rinjve të kësaj krahine.
Kryeministri u shpreh se do të mbështesë zgjidhjen e problemeve dhe kërkesave që autoritetet e Luginës së Preshevës i parashtruan si dhe u shpreh se arsimi shqiptar është i hapur ndaj të rinjve të kësaj zone duke shpresuar që edhe problemi i njohjes së diplomave të Universitetit të Prishtinës të shkojë shumë shpejt drejt zgjidhjes. Për këtë u cilësua mjaft i rëndësishëm roli që ndihma dhe mbështetja e autoriteteve ndërkombëtare në Luginën e Preshevës mund të japin në këtë drejtim.