Kryeministri Berisha përuron fillimin e punimeve të rrugës Sarandë- Qafë Bot
- Ndertimi i rrugës Sarandë- Qafë Bot, nxit zhvillimin e turizmit dhe ndihmon fermerët e zonës
Kryeministri Berisha përuroi sot paradite fillimin e punimeve për rrugën Sarandë-Qafë Bot, me gjatësi 40.6 kilometra dhe vlerë rreth 29 milion euro.
Kjo rrugë, e cila parashikohet të përfundojë në pranverën e vitit 2010, është financim i qeverisë greke në kuadër të programit HIPERB.
Në përshëndetjen drejtuar banorëve të zonës, Kryeministri Berisha falënderoi qeverinë greke dhe fondin Panhelenik për ndihmën e çmuar që dhanë për financimin e kësaj rruge të rëndësishme për të gjithë rajonin. “Ndërtimi i kësaj rrugë është modernizimi i një porte tjetër të komunikimit të Shqipërisë me vendin mik Greqinë.”- u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi se ndërtimi i kësaj rruge është mundësi e madhe për rritjen e numrit të turistëve, por edhe një ndihmë e jashtëzakonshme për të gjithë fermerët e zonës, të cilët do të kenë mundësi të arrijnë më shpejt tregjet brenda dhe jashtë vendit.
Duke përshëndetur të gjithë autoritetet vendore dhe qendrore të vendit fqinj, si dhe kompaninë që ka fituar tenderin, Kryeministri shprehu besimin se rruga do të jetë një vepër cilësore, e standardeve më të mira evropiane. “Kam kënaqësinë që kam këtu prefektin e Igumenicës, por edhe të gjithë autoritete vendore dhe qendrore të vendit fqinj. Dua të përshëndes gjithashtu autoritet vendore dhe qendrore të Shqipërisë, të përshëndes kompaninë që ka fituar tenderin dhe të shpreh besimin se do të japim një vepër të madhe cilësore këtij rajoni, i cili ka rreth 12 ura për të ndërtuar, ka një vëllim shumë të madh punimesh për të kryer, ka një projekt të shkëlqyer, të standardeve më të mira evropiane.”