Kryeministri Berisha: Saranda po shndërrohet në qytet modern europian
Kryeministri Berisha, i cili ka nisur sot një vizitë pune dy ditore në Sarandë, përuroi përfundimin e rikonstruksionit të rrugës Sarandë-Kanali i Çukës, me gjatësi 7 kilometra dhe vlerë 300 milion lekë.
Kryeministri Berisha tha se me inaugurimin e kësaj rruge fillon edhe konkretizimi i një serie projektesh për Sarandën, që do ta shndërrojnë Sarandën në një qytet modern europian.
“Sot hapim siparin e në serie inaugurimesh në këtë qytet, që do ta shndërrojnë Sarandën e bukur në Sarandë evropiane. Ne, së bashku fillojmë edhe inaugurimin e rrugës që lidh Sarandën me Konispolin, 40 kilometra. Së bashku do të inaugurojmë dhe inspektojmë rrugën e bregut, e cila në 8 vitet e shkuara, para viti 2006, ecte me ritmet e breshkës, vetëm 2 kilometra në vit dhe 16 kilometra në total, pa llogaritur që edhe kthesa e Dukatit u la e shembur. Ndërsa vetëm këtë vit janë kontraktuar njëherësh 60 kilometra. Këto projekte janë dëshmi e përqendrimit të madh të investimeve të qeverisë në Sarandën turistike. Saranda dhe bregu përfitojnë një infrastrukturë moderne evropiane,” tha Kryeministri.
Në ditën e dytë të vizitës, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë nesër në hapjen e sezonit turistik në Sarandë, për këtë vit.