Kryeministri Berisha vlerëson përfundimin në gjysmën e afatit të ndërtimit të rrugës Fier – Kthesë e Patosit
-Kryeministri kërkon që Ministria e Transporteve të shpërblejë kompanitë që përfundojnë punimet para afatit
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në përurimin e përfundimit të punimeve të rrugës Fier – Kthesë e Patosit, e cila është përfunduar para afatit. Ndërtimi i rrugës është financim i buxhetit të shtetit, me vlerë rreth 64 milionë lekë.
Kryeministri Berisha ka falënderuar firmën ndërtuese si për përfundimin para afatit të punimeve ashtu dhe për punimet tepër cilësore që janë bërë në këtë rrugë.
“Kompania e ka përfunduar ndërtimin e rrugës në një kohë rekord, pothuajse në gjysmën e afatit të parashikuar për ndërtim e saj. Unë e falënderoj përzemërsisht për këtë por dhe sepse kanë bërë një punë shumë cilësore. Ministria duhet ta shpërblejë këtë kompani”, tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri u ndal dhe në ndërtimin e rrugës Patos – Fier, projekti i së cilës përfundon këtë vit dhe në fillimin e vitit të ardhshëm do të fillojë ndërtimi i saj.
“Në shtator, unë i premtova kryetarit të Bashkisë së Patosit ndërtimin e rrugës që lidh Patosin me Fierin. Ky projekt përfundon këtë vit dhe vitin që vjen është e sigurt që do të fillojë ndërtimi i saj. Ju do të shihni vetë premtimet e mbajtura të Sali Berishës. Unë i qëndroj premtimeve të mia. Kjo rrugë do të fillojë në fillim të vitit që vjen dhe do ta shndërrojë në një qytet të vetëm Patosin dhe Fierin. Kur Edi Rama inauguron një kopsht, dhe me tre topa sillet rrotull, nuk i bëhet një pyetje tjetër sepse do qe të mos lëvizë nga dera e kopshtit. Ndërsa unë po bëj 10 inaugurime në ditë”, u shpreh Kryeministri.