E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha, porosi ministrave: Shkurtoni shpenzimet e panevojshme

Shefi i ekzekutivit, Sali Berisha ka kërkuar dje nga të gjitha Ministritë, rritjen e shkurtimeve administrative. Me porosi të veçantë, kryeministri iu adresua ministrave përkatës, për studimin e çdo lloj formule që do zvogëlojë shpenzimet operative. “Ne duhet të bëjmë një përpjekje të madhe për të kursyer çdo qindarkë nga shpenzimet e administratës. Unë ju përgëzoj, për punën e shkëlqyer që keni bërë në këtë drejtim. Nuk ka administratë që të ketë shkurtuar shpenzimet e saj më shumë sesa kjo dhe duhet të them se vetëm me këto shkurtime u realizuat tërësisht rritja e rrogave dhe pensioneve. Bëmë një gjë shumë të madhe. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka mundësi për shqyrtime të tjera, ndaj dhe për vitin që vjen niveli i shpenzimeve operative do të jetë ky, që u dërgua në parlament para një jave”, tha Berisha. Kreu i qeverisë vuri në dukje se për vitin që vjen, duhen studiuar të gjitha mundësitë se ku mund të shkurtohen shpenzime të tjera, pa kufizuar në asnjë aspekt veprimtarinë e administratës. “Pra buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë, do të jetë buxheti më i fuqishëm, do të jetë buxheti, i cili do të dëshmojë dyfishimin në kohën më të shkurtër të rritjes ekonomike në vend”, tha Berisha. Sipas kryeministrit transparenca e çdo procedure që ushtrohet nga ministritë është kusht, për të kursyer, për të shpëtuar nga kthetrat e korrupsionit dhjetëra e qindra milionë dhe për tua rikthyer ato qytetarëve shqiptarë. “Lufta kundër korrupsionit është dhe do mbetet një nga burimet kryesore të ardhurash për këtë qeveri. Transparenca e çdo procedure që ushtrohet nga ministritë tuaja është kusht, për të kursyer, është kusht për të shpëtuar nga kthetrat e korrupsionit dhjetëra e qindra milion dhe për tua rikthyer ato qytetarëve shqiptarë”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›