Kryeministri Berisha pret një delegacion qeveritar të Libisë
Kryeministri Berisha priti sot në takim një delegacion qeveritar të Libisë, të kryesuar nga zv.Ministri për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ekonomik, z. Abdulati I. Alobidi.
Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen delegacionit Libian dhe vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve. Kryeministri Berisha i shprehu delegacionit të Libisë mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që vendi i tyre i ka dhënë Shqipërisë. Më tej, Kryeministri i siguroi bashkëbiseduesit se qeveria shqiptare është e vendosur të intensifikojë më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri Berisha i njohu ata me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe kryesisht në fushën ekonomike, duke krijuar një klimë biznesi të favorshme në vend. Qeveria shqiptare, tha Kryeministri, mbetet e vendosur të punojë seriozisht për të bërë të mundur një bashkëpunim të gjatë ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Shqipëria, tha Kryeministri, është një vend i përshtatshëm për investime dhe se biznesi libian është i mirëpritur për të investuar në Shqipëri në fushën e turizmit, në hidroenergjetikë, në fushën minerale, në arsim, kulturë, etj.
Kryeministri Berisha i përcolli atyre përshëndetjet më të përzemërta për liderin e Libisë, Kolonel Al-Gaddafit dhe shprehu e ftoi atë për një vizitë në Shqipëri.
Nga ana e tij, zoti Abdulati I. Alobidi e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe e siguroi se Libia mbetet e vendosur për të vazhduar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat. Ai u shpreh se Libia do të nxisë investitorët e saj për të investuar në Shqipëri dhe inkurajon marrëveshjen për shmangien e taksës së dyfishtë.
Në këtë takim bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi zhvillimet në rajon, në veçanti për situatën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.