Kryeministri Berisha pret një grup investitorësh maqedonas, të kryesuar nga ministri i Transporteve, zoti Mile Janakieski
Kryeministri Berisha priti sot në një takim një delegacion investitorësh maqedonas, të kryesuar nga Ministri i Transporteve të Maqedonisë, zoti Mile Janakieski. Ministri maqedonas i Transportit i paraqiti Kryeministri Berisha një projekt - ide për një zhvillim rajonal në sistemin e transportit.
Kryeministri Berisha vlerësoi se lidhja me infrastrukturë rrugore, hekurudhore dhe detare, është një nga faktorët kryesorë të zhvillimit të shpejtë të mëtejshëm të ekonomisë së Shqipërisë, Maqedonisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Bashkërendimi i projekteve për krijimin e një tregu rajonal në këtë fushë, tha Kryeministri, është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare.
Gjithashtu, Kryeministri theksoi se interesi i konsorciumi ndërkombëtar, i sjellë në Shqipëri nga ministri maqedonas i Transportit, bashkohet me interesin e grupeve të tjera të mëdha internacionale në fushën e transportit të të gjitha llojeve.
Sistemi aktual i infrastrukturës rrugore që po ndërtohet, vijoi Kryeministri, do të mundësojë lidhje të shpejtë të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe vendeve të tjera, si dhe daljen e tyre në det.
Kryeministri i sugjeroi ministrit maqedonas që qeveritë e Shqipërisë, Maqedonisë dhe vendeve të tjera të rajonit, të bashkërendojnë forcat dhe mundësitë e financimit të korridorit * pa pritur për aprovimin e financimit të Komitetit Europian.
Kryeministri i garantoi investitorët maqedonas se propozimi i tyre do të vlerësohet me seriozitet, së bashku me ato të kompanive të tjera të huaja, në përputhje me ligjet në fuqi.