Kryeministri Berisha takon një delegacion të shoqatës FIAA (Foreign Investitors Association of Albania)
Kryeministri Berisha priti sot në takim një delegacion të shoqatës FIAA (Foreign Investitors Association of Albania), të kryesuar nga presidenti i tyre, zoti Thomas Papaspyrous. Përfaqësuesit e FIAA i prezantuan Kryeministrit zhvillimet e kësaj shoqate të investitorëve të huaj, si dhe i përcollën ftesën për të qenë folësi kryesor në konferencën që do të organizohet prej tyre në 27 maj në Tiranë, me temë” Shqipëria, destinacion për investime”. Kjo konferencë synon promovimin e burimeve natyre në Shqipëri.
Kryeministri Berisha i falënderoi për ftesën, si dhe për punën e bërë nga shoqata, jo vetëm me kompanitë e huaja që ata përfaqësojnë, por edhe me shoqatat e investitorëve të huaj, në lidhje me promovimin dhe ekspozimin e Shqipërisë në tregjet internacionale.
Kryeministri u shpreh se ndihej i nderuar të bashkonte forcat me ta, për të nxitur promovimin e Shqipërisë në fushën e burimeve natyrore.
Më tej, Kryeministri e njohu delegacionin me reformat e ndërmarra nga qeveria dhe vazhdueshmërinë e tyre, në drejtim në lehtësimit të klimës së biznesit dhe mbështetjes në këtë fushë për investitorët.
Kryeministri i riftoi ata të marrin pjesë në këto reforma, me sugjerimet e tyre, në drejtim të përmirësimit të ambientit për investime në Shqipëri. Qeveria, theksoi Kryeministri, i vlerëson investitorët si një faktor shumë të rëndësishëm të zhvillimit dhe konsulencës së reformave në fushën ekonomike.