E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Presidentin e Kroacisë Stjepan Mesiç

Kryeministri Sali Berisha u takua sot dhe shtroi një drekë për nder të Presidentit të Kroacisë Stjepan Mesiç, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.  

Dy personalitetet u ndalën në marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin rajonal. Kryeministri Berisha dhe Presidenti Mesiç shprehën kënaqësinë për marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve në të gjitha fushat dhe ndanë të njëjtin besim se këto marrëdhënie do të forcohen edhe më tej në të ardhmen. Ata u shprehën se të dyja vendet kanë potenciale të shumta dhe shfrytëzimi i të gjitha hapësirave do të intensifikonte bashkëpunimin ekonomik dypalësh.

Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare i ka konsideruar dhe konsideron marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të rëndësishme për bashkëpunimin dhe prosperitetin e rajonit. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e njohu zotin Mesiç me takimin e sotëm me Kryeministrin e Malit të Zi Milo Djukanovic dhe inaugurimin e projektit për ndërtimin e pikës së përbashkët kufitare mes dy vendeve, e para e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor. Qeveria shqiptare, - tha zoti Berisha - po punon për të reduktuar barrierat dhe kufizimet në lëvizjen e qytetarëve jo vetëm mes këtyre dy vendeve, por edhe më gjerë në rajonin tonë.   

Duke e vlerësuar këtë iniciativë, Presidenti kroat u shpreh në favor të lehtësimit të lëvizjes jo vetëm midis dy vendeve, por edhe ndërmjet vendeve të rajonit, duke theksuar se kësaj do t’i shërbente edhe hapja e sa më shumë  pikave të kalimit kufitar. Në këtë drejtim, zoti Mesiç u shpreh se Kroacia do të shohë mundësitë e vendosjes së një linje të drejtpërdrejtë ajrore me Shqipërinë, si dhe vendosjen e lidhjeve detare mes dy vendeve.

Kryeministri Berisha falënderoi Presidentin Mesiç për qëndrimin e Kroacisë për Kosovën dhe u shpreh se pavarësia e saj i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›