E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha pret Përfaqësuesit e Përhershëm të Turqisë dhe Bullgarisë në NATO, Ambasadorët z. Tacan Ildem dhe z. Lubomir Ivanov

Kryeministri Berisha priti sot pasdite në një takim Përfaqësuesit e Përhershëm të Turqisë dhe Bullgarisë në Këshillin e Atlantikut të Veriut të NATO-s në Bruksel, Ambasadorët z. Tacan Ildem dhe z. Lubomir Ivanov

Kryeministri u uroi mirëseardhjen ambasadorëve dhe vlerësoi vizitën e tyre si shumë të rëndësishme në marrëdhëniet e ngushta që Shqipëria ka ndërtuar me NATO dhe vendet anëtare te saj, ne veçanti në këtë moment kur vetëm disa muaj na ndajnë nga samiti i Bukureshtit.

Dy ambasadorët theksuan se kanë ardhur në Tiranë për të shprehur përkrahjen dhe mbështetjen e vendeve të tyre, të Bullgarisë dhe Turqisë për integrimin e Shqipërisë në NATO. Duke vlerësuar arritjet në reformat e gjithanshme që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, Ambasadorët theksuan se këto arritje po e afrojnë Shqipërinë përditë e më shumë drejt anëtarësimit në NATO. 

Ambasadori Ildem dhe Ambasadori Ivanov u shprehën se ato çfarë qeveria dhe shteti shqiptar kanë arritur gjatë dy viteve të fundit në të gjitha fushat e reformave, konsiderohen shumë të rëndësishme dhe vlerësohen lart nga aleatët. Ata gjithashtu vlerësuan rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, si dhe kontributin e saj në misionet paqeruajtëse të NATO-s dhe në luftën globale kundër terrorizmit.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se integrimi në NATO dhe BE janë dy projektet madhore për shqiptarët në këtë shekull. Qeveria shqiptare, theksoi Kryeministri, është tërësisht e vendosur dhe po bën çdo përpjekje për të merituar ftesën për në NATO dhe për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE.

Kryeministri bëri një ekspoze të gjithanshme të reformave në kuadër të integrimit në NATO dhe BE, por edhe të reformave të tjera për zhvillimin e vendit. Shqipëria është një demokraci funksionale, u shpreh Kryeministri Berisha. Ai vuri në dukje se ekonomia shqiptare po zhvillohet me ritme të shpejta. Vendi është i qetë dhe i sigurt, ndërkohë që indikatorët e krimit janë në nivelet më  të ulëta, të ngjashme me ato të vendeve të tjera të NATO-s.  Kryeministri theksoi gjithashtu se janë rritur dukshëm investimet e huaja dhe qeveria shqiptare vazhdon të bëjë të gjitha përpjekjet për krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin.

Kryeministri i njohu më tej me reformat për sa i përket zhvillimit të shpejtë ekonomik, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, thjeshtimin e procedurave administrative, nismën One stop shop, prokurimet elektronike dhe Ombudsman-in për këtë fushë, vendosjen e taksës on-line, doganat elektronike, reformën fiskale, duke e bërë  Shqipërinë vendin me barrë fiskale më të ulët, nismën Shqipëria një euro,  etj. Kryeministri foli edhe për masat që ka marrë qeveria në fushën e energjisë, ndërtimin e infrastrukturave, etj.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha u ndal në reformën në Forcat e Armatosura, e cila synon krijimin e një ushtrie të vogël dhe tërësisht profesionale në vitin 2010. Qeveria po e mbështet këtë reformë financiarisht me një buxhet në nivelin 2 për qind të GDP-së, tha Kryeministri. Shqipëria, vijoi Kryeministri, do të vazhdojë të japë kontributin e saj në misionet e paqes së NATO-s dhe në luftën globale kundër terrorizmit.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit u ndalën në zhvillimet në rajon, në veçanti në çështjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Dy ambasadorët, pasi i uruan Kryeministrit suksese të mëtejshme në reformat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë dhe po realizon çdo ditë, u shprehën se do ta mirëpresin me kënaqësi Kryeministrin Berisha në Bruksel, në përfundim të ciklit të 9-të të Planit Kombëtar të Anëtarësimit, për të diskutuar së bashku arritjet e Shqipërisë gjatë këtij cikli. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›