Mbahet mbledhja e 16-të e Komitetit të Planifikimit Strategjik
Në datat 15-16 nëntor 2007, në Këshillin e Ministrave, u organizua mbledhja e gjashtëmbëdhjetë e Komitetit të Planifikimit Strategjik e kryesuar nga Kryeministri Berisha.
Gjatë kësaj mbledhjeje u bë prezantimi i dokumentit të opsioneve të reformës së sistemit të pensioneve, prezantimi i draft dokumentit të strategjisë sektoriale të mbrojtjes sociale si dhe prezantimi e draft dokumentit të strategjisë sektoriale të shëndetësisë.
Në fjalën e hapjes së takimit, Kryeministri u shpreh që në këtë mbledhje do të trajtohet një nga reformat më të rëndësishme të vendit, reforma e sistemit të pensioneve.
Kryeministri, Berisha u shpreh dakord me iniciativën e reformimit të sistemit të pensioneve, duke nënvizuar se për këtë duhet të hartohen ligjet dhe rregulloret e nevojshme që sigurojnë kontrollin e tregut të fondeve private. Hapja e tregut të pensioneve, u shpreh Kryeministri, do të krijojë mundësitë për iniciativën private për të marrë pjesë në të.
Gjithashtu Kryeministri Berisha shtoi se diskutimi i programit të reformës duhet bërë edhe me opozitën pasi kjo i jep garanci skemës. Do të kërkohet që opozita,tha Kryeminisstri, të caktojë një grup ekspertësh që të punojnë bashkë me qeverinë dhe vetëm pas një konsensusi me opozitën reforma do të dërgohet në parlament për një diskutim më te gjerë.
Në përfundim të këtij prezantimi Kryeministri Berisha theksoi se reforma në sektorin e shëndetësisë është më e rëndësishmja, por edhe më e vështira për sa i përket problemit të financimit të saj, i cili është themelor.
“Në qoftë se nuk bëhet i mundur angazhimi i tregut privat do të jetë i vështirë sigurimet në këtë sektor”, u shpreh Kryeministri.
Për këtë arsye Kryeministri Berisha vijoi se duhet të inkurajohet sektori privat duke e shtrirë sigurimin edhe në këtë treg. Duhet të përshtatet legjislacioni për sektorin privat, vijoi Kryeministri pasi shqiptarët paguajnë 35 milionë dollarë në një spital të Stambollit, i cili ofron një infrastrukturë të tërë shërbimesh për shqiptarët, deri edhe te përkthyesit, ndërkohë që këto shërbime mund të ofrohen edhe këtu në qoftë se nxitet sektori privat.
Kryeministri theksoi se shërbimi i mjekut të familjes duhet të njohë një zhvillim të ri. Mjekët e fakultetit të mjekësisë, vijoi Kryeministri nuk janë të përgatitur për të qënë mjekë familjeje. Kryeministri theksoi se për këtë duhet futur stazhi 2 vjeçar, ndërsa shtoi se duhet të përcaktohen paga më të larta për mjekët në zonat veriore e verilindore.
Në spitalin civil punojnë rreth 800 mjekë, vijoi Kryeministri, për një ngarkesë e cila përballohet nga 500 mjekë. Përqindja e mjekëve në zonat periferike malore është ulur, ndërsa në qytet është rritur.
Gjithashtu Kryeministri e cilësoi si mjaft të rëndësishëm aspektin social të shtetit. Duke prezantuar disa nga hapat që do të merren në këtë drejtim Kryeministri theksoi se do të merren masa për komunitetin rom që të vendoset ushqim në shkollat që ata frekuentojnë.
Gjithashtu Kryeministri tha se nga kreditë që janë marrë dhe banesat sociale që do të ndërtohen, do të planifikohen pallate edhe për këtë komunitet.
“Ky komunitet kërkon vëmendjen më maksimale. Ata jetojnë në geto dhe ne nuk mund t’i ndihmojmë ndryshe ata veçse me disa masa shumë të forta. Ata nuk mund nuk mund t’i çojnë fëmijët në shkollë veçse duke u garantuar fëmijëve të tyre ushqim të mirë në shkollë, nuk mund t’i shkëpusim nga jetesa e tyre përveçse duke u dhënë strehim”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu Kryeministri theksoi se duhen gjetur mundësitë për punësimin e këtij komuniteti.
Ne duhet ta marrim me seriozitetin më të madh çështjen e komunitetit rom, u shpreh Kryeministri, ndërsa u kërkoi ministrave përkatës që të sjellin një plan konkret që t’u imponohet të gjitha sipërmarrjeve të punësojnë shtesë një numër të caktuar nga kjo kategori.
Më tej Kryeministri u ndal edhe në rëndësinë e punësimit të personave me aftësi të kufizuara.
“Qeveria do të konsiderojë një shtesë në të gjitha organikat e institucioneve që do të mbulohet vetëm nga personat me aftësi të kufizuara”, tha Kryeministri.
Ndërsa Ministri i Financave Ridvan Bode, u shpreh mbi nevojën e reformimit të sistemit, duke theksuar gjithashtu që hapat e saj dhe niveli i reformimit duhet të bëhen në përputhje me kapacitetet tona fiskale.
Eshtë e rëndësishme, u shpreh Bode, që reforma të fillojë, të hartohet dhe programi i saj të bëhet publik.
Gjithashtu Ministri i Financave shtoi se duhet të arrihet një konsensus me opozitën gjë që do e bëjë këtë reformë më të qëndrueshme.