E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Presidentin e Hondurasit, zotin Porfirio Lobo Sosa

Kryeministri Sali Berisha priti sot, Presidentin e Hondurasit, zotin Porfirio Lobo Sosa.

Kryeministri Berisha dhe Presidenti Sosa, në krye të delegacioneve respektive zhvilluan bisedime dypalëshe, që u përqendruan në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, inkurajimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar, në fushën e turizmit, por edhe në të gjitha fushat me interes, duke shfrytëzuar potencialet që të dyja vendet ofrojnë, si dhe duke finalizuar infrastrukturën ligjore të këtij bashkëpunimi.

Kryeministri Berisha, pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, i shprehu Presidentit Sosa mirënjohjen për vendimin e tij për të njohur pavarësinë e Kosovës, për të cilën Presidenti Sosa siguroi se Hondurasi do të mbrojë në të gjitha forumet ndërkombëtare, të drejtën e popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe i pavarur.

Pas bisedimeve mes dy delegacioneve, Kryeministri Berisha dhe Presidenti Sosa dhanë një konferencë për shtyp.

Kryeministri Berisha: Zonja dhe zotërinj, sapo përfunduam bisedimet shumë të përzemërta e miqësore me Presidentin e Hondurasit Porfirio Lobo Sosa. Ishte një rast për mua për t’i shprehur Presidentit mirëseardhjen më të përzemërt, por edhe mirënjohjen më të thellë për këtë vizitë në Shqipëri dhe qëndrimin e tij ndaj shqiptarëve në tërësi, ndaj Kosovës në veçanti. Hondurasi njohu pavarësinë e Kosovës dhe ky ka qenë një zhvillim shumë i rëndësishëm dhe pozitiv.

Me Presidentin ne diskutuam gjerësisht mbi intensifikimin e marrëdhënieve tona miqësore në të gjitha fushat. Kjo vizitë është një kontribut dhe inkurajim i madh në këto marrëdhënie. Ne ramë dakord që të dy vendet e qeveritë tona të nisin hartimin, finalizimin e marrëveshjeve në të gjitha fushat, ekonomike, tregtare, kulturore, turistike e në çdo fushë, në mënyrë që ne të plotësojmë sa më shpejt infrastrukturën ligjore më moderne e më solide për bashkëpunimin midis dy vendeve.

E njoha Presidentin me potencialet e mëdha që ka Shqipëria dhe që u ofron investitorëve të Hondurasit dhe investitorëve të huaj në tërësi. Presidenti ka në përbërjen e delegacionit të tij zyrtarë të lartë të vendit mik, Salvadorit, komandantin Ramiro Vaskez. E falënderova shumë komandantin Vaskez për praninë e tij në këtë delegacion dhe shfrytëzova rastin t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta Presidentit dhe qeverisë së Salvadorit për qëndrimin e tyre miqësor ndaj Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve në tërësi.

Vizita e Presidentit është një vizitë e shkurtër, por intensive, e frytshme dhe shumë e rëndësishme. Dy vendet janë larg njëri-tjetrit gjeografikisht, por liria nuk njeh distanca. Ndaj unë jam i bindur se e ardhmja e vendeve tona, e bashkëpunimit dhe miqësisë është e shkëlqyer.

Falënderova zotin Pacolli, i cili u bë promotor i kësaj vizite dhe dha një kontribut të veçantë në dialogun me qeverinë e Hondurasit, bashkë me zotin Meta më vonë, në vendimin e rëndësishëm që Presidenti mori.

Edhe një herë, ju falënderoj zoti President për vizitën, ju falënderoj me shumë mirënjohje për qëndrimet tuaja shumë miqësore ndaj shqiptarëve, Kosovës  e Shqipërisë. Faleminderit.

Presidenti Sosa: Shumë faleminderit zoti Kryeministër Sali Berisha. Për ne është nder shumë i madh të jemi këtu, në këtë vend kaq të bukur. Siç  e vutë në dukje dhe ju, nga ana gjeografike të largët, por është e vërtetë se jemi të bashkuar në principe dhe ideale. Të dyja palët mendojnë se sistemi më i mirë që kemi ne, qeniet njerëzore, është demokracia, me të drejtën që na jep për të qenë të lirë dhe me lirinë që na ofrohet për të zgjedhur se kush do të na qeverisë dhe njëkohësisht, me njohjen e çdo populli për të qenë i lirë. Kjo është një e drejtë njerëzore që të gjithë lindin të lirë e të barabartë në të drejta. Dinjiteti njerëzor dhe respekti i këtij dinjiteti dhe liria janë të trashëgueshme tek qenia njerëzore, pra, lindin bashkë me njeriun dhe askush nuk mund t’ua heqë, askush nuk mund t’ua mohojë askujt, as popujve, as njerëzve. Dhe pikërisht për këto arsye, gjatë vizitës që zoti Pacolli ka bërë në Honduras i shoqëruar me një delegacion nga Salvadori, i kryesuar nga komandanti Ramiro Vaskez, në shtatorin e vitit të kaluar, pasi na parashtroi atë që dëshiron e aspironin, dëshirën që bota të njihte Kosovën si një shtet të lirë, të pavarur e sovran, në atë rast, ne patëm mundësinë t’i shprehnin zotit Pacolli se ne, si parim, do ta mbështesim të drejtën e popullit të tij dhe menjëherë bëmë njohjen e zyrtarizuar të shtetit të Kosovës. Në këtë vizitë, patëm mundësinë të përsëritnim edhe një herë atë pohim që i patëm bërë gjatë vizitës së kaluar. Dhe çfarë gëzimi që gjendemi sot të gjithë bashkë, me të njëjtët miq, me të cilët zoti Pacolli u shoqërua herën e parë në Honduras. Kështu që zoti Kryeministër, jemi në të njëjtën rrugë, në rrugën që shumë shpejt vendet që nuk e kanë njohur Kosovën të bëjnë njohjen zyrtare të saj. Insistoj edhe një herë se është një e drejtë që i korrespondon popullit të Kosovës. E drejta për të qenë të lirë është një e drejtë e panegociueshme, është një e drejtë njerëzore e firmosur në deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Jemi duke admiruar potencialet që ka Shqipëria, sidomos në resurset natyrore, po admirojmë njëkohësisht zhvillimet e shpejta në Shqipëri dhe dimë se ju shumë shpejt do ta kurorëzoni atë aspiratë që i gjithë populli shqiptar të jetojë në kushte shumë të mira. Jemi në të njëjtën anije, jemi të gjithë njësoj, për shkak të potencialeve të fjetura që kemi të dyja vendet, si për shembull në rastin e energjetikës, ju admirojmë në këtë proces dhe dua t’ju përsëris edhe një herë dashurinë, admirimin e miqësinë e popullit tonë.

Ne do të vazhdojmë në të gjitha forumet ndërkombëtare të mbrojmë të drejtën e popullit të Kosovës për të qenë i njohur si një popull që ka të drejtë për sovranitetin e tij, për të qenë i lirë dhe i pavarur.

Zoti kryeministër, edhe një herë faleminderit për mikpritjen tuaj. Dy vende të largët gjeografikisht, por shumë të afërt në parimet që duhet të drejtojnë njerëzimin, respektin për njëri-tjetrin dhe dinjitetin tonë. Shumë faleminderit.

Pyetje: Zoti President, ju keni paralajmëruar se vende të tjera të Amerikës Latine do të njohin së shpejti shtetin e Kosovës. Për sa njohje bëhet fjalë dhe do ta njohin brenda këtij viti?

Presidenti Sosa: Kam ardhur në Kosovë dhe këtu në Shqipëri dhe është hera e parë në Ballkan. Kam ardhur këtu me prezencën time fizike për t’i shprehur botës njohjen tonë për të drejtën që ka populli i Kosovës dhe kam bërë një apel për të gjithë ata që nuk e kanë njohur, që ta bëjnë këtë shpejt. Në vendin tonë, në vitin 2009 kemi pasur një krizë politike dhe na ka kushtuar shumë t’i ribëjmë e ridimensionojmë edhe një herë marrëdhëniet tona diplomatike. Pjesa më kritike e këtyre marrëdhënieve të ndërprera me komunitetin ndërkombëtar, pavarësisht se këto kriza politike apo europolitike janë në kupolën e politikës, ata që e vuajnë izolimin janë popujt, janë ata që kanë nevojë më shumë. Ne jemi që çdo vendi t’i njihet e drejta për të qenë pjesë e komunitetit ndërkombëtar me të drejta të plota, sepse ata që dënohen më shumë janë popujt e jo qeveritë, janë pikërisht ata që vuajnë më shumë pasojat. Ajo që unë ratifikoj sot është se në sistemin e integrimit të Amerikës Qendrore - SICA dhe në forumet ndërkombëtare ku unë marr pjesë do të jem në mënyrë të vazhdueshme duke promovuar në nivel bilateral dhe multilateral të drejtën e popullit të Kosovës, për të qenë një shtet i lirë, i pavarur e sovran. Duhet pasur besim se do të kemi sukses në këtë. Faleminderit.

Pyetje: Zoti Kryeministër, ambasadori Arvizu ka përsëritur për një pakt kombëtar për reformat për integrimin e vendit në BE dhe së dyti, a jeni gati të përfshini në ndryshimet në Kodin Zgjedhor, opinionin që do të japë Komisioni i Venecias, pas letrës që i ka dërguar Sekretari i Përgjithshëm i këshillit të Europës?  

Kryeministri Berisha: Qeveria është e gatshme, e vendosur të bëjë gjithçka për integrimin e Shqipërisë në Europë. Ky është edhe ylli polar i politikës sonë, por edhe i të gjitha reformave tona. Sapo dolëm nga bisedimet, në të cilat unë i thashë Presidentit se shqiptarët sot janë të ndarë në disa shtete, janë kudo vazhdimësi gjeografike dhe etnike, por janë të lirë e të sigurt se e ardhmja e tyre më e mirë është në Bashkimin Europian dhe se janë të vendosur të punojnë me seriozitetin më të madh për këtë proces integrimi. Një proces ky, duhet të theksoj, jo i thjeshtë, por një proces shumë i rëndësishëm për të pasur një të ardhme që meritojnë. Në këtë kontekst, dua të theksoj se qeveria në mënyrë të përsëritur ka bërë të qartë se është tërësisht e hapur ndaj Komisionit të Venecias, se mirëpret kontributin e këtij Komisioni në reformën zgjedhore e të OSBE/ODIHR. Kodi aktual Zgjedhor është ligji zgjedhor më konsensual në historinë e vendit. Ligj, me të cilin qeveria nuk ka refuzuar qoftë edhe një nen të vetëm të propozuar nga opozita. As edhe një nen të vetëm. Ligj, i cili ka pasur ekspertizën e Komisionit të Venecias dhe të OSBE/ODIHR. Kjo ekspertizë e vlerëson këtë ligj si një bazë ligjore solide për zgjedhje demokratike. Duke theksuar këtë, ekzistojnë në dy zgjedhjet e fundit, një seri rekomandimesh të OSBE/ODIHR-it. Mendoj se në përpjekje të përbashkët me opozitën, ne i kemi të gjitha gjërat tani të qarta në tryezë. E garantoj se qeveria është plotësisht e vendosur të zbatojë, të konvertojë, përktheje në ligje e vendime, sëbashku me opozitën, secilin prej këtyre rekomandimeve. Ne mirëpresim plotësisht ekspertizën e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it, në konkretizimin apo në shndërrimin në ligj brenda standardeve ndërkombëtare të këtyre rekomandimeve. 

Pyetje: Zoti Berisha, ditën e hënë opozita do të jetë në parlament, pasi e ka konfirmuar prezencën e saj në Konferencën e Kryetarëve, por ajo duket se prezenca e saj do të kushtëzohet me një paketë kushtesh apo reformash, siç pretendojnë eksponentë të saj t’i quajnë. Sa e gatshme do të jetë mazhoranca dhe ju në cilësinë e kryeministrit, në emër të dialogut politik e integrimit europian të vendit, të bini dakord apo të pranoni këto propozime që do të hedhë në tryezën e dialogut partia më e madhe e opozitës?

Kryeministri Berisha: Qeveria do të pranojë çdo propozim konstruktiv nga opozita dhe do ta vlerësojë e shqyrtojë atë me interesin e seriozitetin më të madh. Ky është një qëndrim konstant i kësaj qeverie, nuk ka lidhje me kushte. E rëndësishme është që bashkërisht të punojmë për konsolidimin e shtetit ligjor, lirive dhe të drejtave të qytetarëve, institucioneve demokratike.

Pyetje: Zoti Kryeministër, ditët e fundit faqja e internetit Wikileaks ka bërë publike një sërë kabllogramesh të ambasadës amerikane në Tiranë drejtuar Departamentit të Shtetit, ku përflitet për një sërë akuzash korrupsion të ministrave të qeverisë dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë suaj. A keni ndonjë koment për këtë?

Kryeministri Berisha: Së pari, ajo që ju këshilloj është t’i lexoni sa më shumë. Së dyti, meqenëse më pyetët, kam gjetur aty një pasqyrë të shtypit të përditshëm shqiptar të akuzave dhe ndërakuzave të ndërsjella që forcat politike adresojnë ndaj njëra-tjetrës. Unë qëndrimet e mia ndaj Wikileaks i kam shprehur. Ai është një Arsen Lupen i kohërave moderne, ka bërë një vjedhje dhe këtu nuk ndryshon qëndrimi im ndaj zotërisë, i cili nëpërmjet një operacioni të paligjshëm ka ndërhyrë në kodet e transmetimit të vendit më të madh e të fuqishëm të botës. Kjo përsa i përket atij, përsa i përket pjesës tjetër, ju them lexoni sa më shumë. Ato, siç e keni parë, janë të gjitha një pasqyrë e përditshme e shtypit shqiptar, madje jo tërësisht e plotë njëqind përqind, por aty afër. Ju garantoj se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyera, vlerësimi për ambasadorin Arvizu është i palëkundur. Ky vend mik e ka shumë të qartë qëndrimin e tij, mbështet shqiptarët e Shqipërinë dhe jo forca të caktuara politike. Tani, të komentoj për akuzat e mediave, ato janë komentuar shumë herë.   


04/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›