Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Kilit për Shqipërinë, z. Pablo Cabrera
Kryeministri Berisha priti sot në takim ambasadorin e Kilit për Shqipërinë, Z. Pablo Cabrera. Pasi e falenderoi per mikpritjen, ambasadori i Kilit tha se kishte kënaqësinë të takohej me Kryeministrin Berisha, personalitetin më të spikatur të politikës në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit. Ambasadori Cabrera e uroi Kryeministrin Berisha për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në Ballkan në shërbim të paqes dhe të sigurisë.
Kryeministri Berisha nga ana e tij i uroi mirëseardhjen ambasadorit Cabrera. Duke e falenderuar për fjalët e ngrohta dhe miqësore, Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes dy vendeve.
Në takim u diskutua për intensifikimin e kontakteve politike të niveleve më të larta, për nevojën e zgjerimit dhe thellimin e bashkëpunimit në fushat ekonomiko-tregtare, por edhe për intensifikimin e bashkëpunimit në fushat e kulturës, arsimit etj.
Të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për zhvillimet në rajon. Kryeministri Berisha theksoi se njohja e Pavarësisë së Kosovës, e cila tashmë është e njohur nga shumica e vendeve të lira, është mënyra e vetme për paqe dhe stabilitet në rajon.
27/03/2009