Kryeministri Berisha pret delegacionin parlamentar finlandez
Kryeministri Sali Berisha priti të martën në një takim një delegacion parlamentarësh finlandezë, të kryesuar nga kryetari i Komisionit parlamentar përÇështjet Europiane, z. Jari Vilen.
Kryeministri Berisha i prezantoi delegacionit angazhimet si dhe arritjet e qeverisë gjatë këtyre muajve të parë të qeverisjes përsa i përket rivendosjes së shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vendosjes së standarteve dhe etikës europiane në administratën shqiptare, përmbushjes së angazhimeve të marra në kuadër të procesit të stabilizim-asociimit për të ecur sa më shpejt në rrugën e integrimit të vendit në familjen europiane. Kryeministri u shpreh se asgjë nuk do të mund të bëhet pengesë për rivendosjen e shtetit ligjor dhe integrimin e vendit në BE. "Procesi i stabilizim-asociimit dhe MSA-ja, e cila pritet të nënshkruhet së shpejti, mbeten harta e rrugës sonë drejt Europës", tha z.Berisha.
Parlamentarët finlandezë shprehën përkrahjen e vendit të tyre si Presidenca e ardhshme e BE-së ndaj Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit europian. Ata përshëndetën faktin që qeveria shqiptare ka vendosur në qendër të vëmendjes së saj dhe po punon me vendosmëri në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për rivendosjen e shtetit ligjor.