Kryeministri Berisha pret dy personalitete të drejtësisë amerikane, gjyqtarin Federal të Minesotës z. Paul Magnuson dhe Avokatin Roger Sherard
Kryeministri Sali Berisha priti në një takim dy personalitete të drejtësisë amerikane, gjyqtarin Federal të Minesotës z. Paul Magnuson dhe Avokatin e njohur Roger Sherard, të cilët shoqëroheshin nga Kryetari i Gjykatës së Lartë z. Thimio Kondi. Dy personalitet ndodhen në Shqipëri, të ftuar në mbledhjen vjetore të Konferencës Gjyqësore Kombëtare.
Kryeministri i njohu personalitetet me zhvillimet në sistemin gjyqësor të Shqipërisë. Ai vuri theksin në reformën në gjyqësor dhe nismat ligjore për reformën në sistemin e drejtësisë, të ndërmarra edhe me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë. Kryeministri vlerësoi se me gjithë problemet e hasura, gjyqësori ka arritur të ruajë profilin e vet jo politik. Po ashtu, Kryeministri u ndal dhe në zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, si dhe shprehu nevojën për një reformë ligjore të këtij institucioni.
Personalitetet e drejtësisë amerikane shkëmbyen mendime me Kryeministrin edhe rreth çështjeve të tjera të lidhura me reformën, si dhe mundësinë e krijimit të gjykatave të specializuara, si administrative, tregtare apo për të miturit. Kryeministri i falënderoi të ftuarit për ndihmën e çmuar që kanë dhenë në reformimin e sistemit të gjyqësorit gjatë gjithë këtyre viteve.