Kryeministri Berisha: Posta shqiptare ka shënuar një kthesë reale në shërbimet e saj
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mbrëmje në ceremoninë e organizuar me rastin e 95 vjetorit të krijimit të Postës shqiptare. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve Sokol Olldashi, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli, deputetë, etj.
Kryeministri Berisha përgëzoi Drejtorin e Përgjithshëm të Postës shqiptare, zotin Arqile Goreja dhe gjithë punonjësit e këtij institucioni për përpjekjet shumë serioze dhe reformat e thella që kanë ndërmarrë, për t’u siguruar qytetarëve shqiptarë njërin nga shërbimet më të ndjeshme dhe të rëndësishme, shërbimet postare.
“Posta shqiptare ka shënuar një kthesë reale në shërbimet e saj, ajo ka vendosur standarde të reja në këto shërbime”, u shpreh Kryeministri, ndërsa theksoi se është e domosdoshme që të përmirësojë më tej funksionimin e saj dhe menaxhimin, në mënyrë që t’i mbijetojë një konkurrence të ndershme dhe të lirë të shërbimeve postare private.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Në këtë ditë jubilare për ju dhe për shqiptarët në tërësi, dua t’ju jap përshëndetjet më të përzemërta dhe përgëzimet e mia për përpjekjet shumë serioze që keni bërë, reformat e thella që keni ndërmarrë, për t’u siguruar qytetarëve shqiptarë, njërin nga shërbimet më të rëndësishme, shërbimet postare.
Posta shqiptare ka shënuar një kthesë reale në shërbimet e saj, ajo ka vendosur standarde të reja në këto shërbime, standarde të reja në menaxhim. Shërbimi postar, si një prej shërbimeve më të domosdoshme për qytetarët, në asnjë lloj rrethane nuk mund të reshtë së synuari modernizimin më të madh dhe njëkohësisht lehtësitë më të mëdha për shërbimet që u ofron qytetarëve shqiptarë. Posta ka një avantazh të madh, sepse është ndoshta shërbimi publik më i shtrirë i vendit. Në këtë kontekst, ajo ka mundësi të zëvendësojë edhe zyra të tjera të cilat nuk kanë shtrirjen e zyrave postare. Në mënyrë të veçantë, është jashtë jashtëzakonisht i rëndësishëm bashkëpunimi i Postës me institucionet financiare të vendit, në mënyrë që të realizojë shërbime financiare aty ku mungojnë këto shërbime, për shkak të mos shtrirjes së rrjetit bankar, por edhe aty ku ato ekzistojnë, duke konkurruar me tarifat.
Posta është një institucion publik. Është e domosdoshme që të përmirësojë funksionimin e saj dhe menaxhimin, në mënyrë që t’i mbijetojë një konkurrence të ndershme dhe të lirë të shërbimeve postare private. Këtë posta nuk mund ta realizojë nëpërmjet monopolit, por nëpërmjet cilësisë së shërbimeve dhe kostos së tyre më të leverdishme për qytetarët.
Ju keni bërë përpjekje shumë serioze dhe unë i ndjek me admirim të madh ato. Konsolidimi i këtyre shërbimeve dhe ofrimi i produkteve dhe shërbimeve të reja duhet të jetë objektivi më madhor që del në këtë 95 vjetor, si një ditë historike për ju dhe për të gjithë shqiptarët.
Dua t’ju uroj gëzuar këtë ditë dhe të uroj që shërbimet tuaja të kenë gjithnjë e më shumë vlerësimin më të madh të qytetarëve shqiptarëve në Shqipëri, por edhe të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë kudo që ndodhen. Faleminderit”