E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e kryeministri Berisha në takimin me Kryetarët e Bashkive të qarqeve të vendit

Duke e hapur këtë takim e konsideroj atë jashtëzakonisht të rëndësishëm në rrafshin e decentralizmit të pushtetit në Shqipëri, parim fondamental ky i funksionimit të demokracisë në një vend të lirë, parim fondamental për përmirësimin e qeverisjes në përgjithësi. Në këtë kontekst, dua t’ju siguroj se kam  bindjen dhe përkushtimin më të  thellë për shtyrjen përpara të këtij procesi në të gjitha rrafshet. Qeveria ka dëshmuar vullnet të qartë në këtë drejtim dhe po t’u referohemi fakteve dhe shifrave ato dëshmojnë qartësisht vullnetin e kësaj qeverie për të ecur drejt kompletimit të procesit të decentralizimit në rrafshin ligjor.

Unë i gjykoj shumë të rëndësishme masat që janë marrë për decentralizimin fiskal, administrimin e taksës së biznesit të vogël tërësisht nga pushteti vendor, të taksës së pronës, si dhe i kam kërkuar Ministrisë së Financave të shqyrtojë taksa të tjera, të cilat duhet t’i kalojnë për administrim të plotë qeverisë vendore. Mendoj se decentralizimi fiskal ka qenë e mbetet shumë i rëndësishme, sikundër është i domosdoshëm edhe ligji për huamarrjen e pushtetit vendor. Ministria e Financave ka përgatitur draftin dhe ju siguroj se ky ligj do të kalojë në parlament. Qeveria është e vendosur dhe e gatshme në mbulimin e kredive apo të ndajë sovranitetin e kredive me ju, nën mënyrë që ju të mund të ndiqni projektet e mëdha për qytetet tuaja. Një hap shumë i rëndësishëm është bërë në drejtim të  Inspektoratit të Ndërtimit dhe konsolidimi i këtij institucioni ka një rëndësi të jashtëzakonshme për mbrojtjen dhe administrimin e territorit. Dua tu informoj në këte pikë se ka disa vende të cilat kanë dështuar, por nuk besoj se ne do të dështojmë me decentralizimin e inspektoratit, sepse shumica e vendeve nuk kanë dështuar dhe është logjike se vetëm nëpërmjet një inspektorati të administruar nga autoritetet vendore mund të mbrohet territori.

Gjithashtu, me një paketë vendimesh janë decentralizuar ujësjellësit për të gjitha shoqëritë  e ujësjellësve. Ky është një proces problematik dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm se uji, duke qenë një mall në shporte, suksesi i menaxhimit nuk është i garantuar. Kushti i parë për të garantuar një menaxhim më të mirë do të ishte ta nxirrnin atë nga shporta, por bashkërisht do të diskutojmë se ku të vendosin subvencionet. Nëse decentralizojmë ujësjellësit, ne nuk shmangim detyrimet e qeverisë qendrore ndaj jush për suksesin tuaj për furnizimin me ujë të qytetareve shqiptarë. Në vlerësimin, tim problemi themelor për ujësjellësit janë humbjet në tërësi. Po të marrim kapacitetin e ujësjellësve në Shqipëri dhe sasinë e furnizimit për frymë,  është 3 apo 4-shi, por shumica e tij shkon për pemët e kopshtet dhe jo për qytetarët. Ndaj dhe sugjerimi ynë është se përqendrimi juaj maksimal kundër humbjeve, do të përbënte lehtësi të madhe . Megjithëse nga Fushë-Kuqe nisen 800 litra në sekondë,  me gjithë përpjekjet e mëdha, në qytetin e Durrësit përfundon maksimumi 500 litra në sekondë. Dhe nuk është vetëm kjo ,janë edhe ujërat që vijnë nga Fushë-Kruja me shpime. Po kështu edhe në Tiranë ka disa burime dhe sërish nuk kemi uji, sepse ka një shpërdorim të jashtëzakonshëm. Çfarëdo mbështetjeje të kërkoni për të shmangur humbjet, qeveria do t’ia japë, por ju takon juve të bëni një skeme, të shqyrtoni funksionet e policisë bashkiake, të shqyrtoni një sektor të veçantë për ujin, si dhe të shqyrtoni mundësitë për penalitete të veçanta. Ne jemi të vendosur të mbështesim plotësisht përpjekjet tuaja për t’ju siguruar qytetarëve një furnizim normal me ujë. Sikundër ju garantoj se do të ndërmarrim projekte të përbashkëta, do të delegojmë financime, sepse nuk ka kërkesë më jetike sesa kërkesa për ujë e qytetarëve shqiptarë.

Një problem tjetër i madh është çështja e plehrave, madje është një problem i jashtëzakonshëm që  rrezikon të ndëshkojë shumë keq vendin. Ne po bëjmë përpjekje, por duhet t’i bëjmë ato së bashku me ju, pasi, nëse nuk e nxjerrim vendin nga plehrat, mund të marrim një famë botërore si vendi i plehrave, çka do të ketë ndikim edhe në fushën e turizmit. Ndaj ne duhet ta marrim me seriozitet absolut këtë çështje. Së pari, ju bëj thirrje të fillojmë një fushatë për mendjet e zemrat e qytetarëve. Në këtë fushatë, ne duhet të kërkojmë ndihmën nga fëmija, tek i moshuari, të përpiqemi bashkërisht, ju dhe ne, të krijojmë një psikologji “antiplehra”. Sërish dua të risjell në vëmendjen tuaj shqetësimin e një turisteje britanike, e cila, kur i kishte shprehur shoqëruesit të saj, një djali të ri, shqetësimin për ekzistencën e shumë plehrave, gjatë udhëtimit të saj në Berat, kishte marrë si përgjigje se ku jetojnë njerëz bëhen edhe plehra.

Ne jemi duke e ndjekur problemin dhe kemi biseduar edhe me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për një kompani konsulence, për të bërë një plan të gjerë të trajtimit sa më shpejt të kësaj çështjeje. Ne duhet të përdorim mënyrat më të mira të mundshme për të pasur qytete dhe Shqipëri të pastër dhe kjo bëhet imperative. Ne kemi pasur një fluks të madh turistësh këtë vit. 960 mijë ka qenë numri i turistëve të huaj   Deri në fund të vitit numri i tyre do të shkojë në 1 milion. Mbi 700 mijë ka qenë numri i shqiptarëve me banim jashtë vendit që kanë ardhur në vend. Prandaj ta trajtojmë me vendosmëri të madhe këtë çështje.

Në tërësi ne kemi rritur grandin për pushtetin vendor, siç e keni konstatuar dhe ju. Bashkitë qendër qarqesh kane një rritje të madhe te transfertës së pakushtëzuar. Kështu bashkia e Beratit ka rritje të ndjeshme prej 98 %, e Peshkopisë 111%, bashkia Durrës 550 %, ajo Elbasan 99%, e Fierit 108 %, e Gjirokastrës 84%, e Shkodrës 84%, bashkia e Tiranës 145%, E kukësit  67, bashkia e lezhës 112 %, Vlorës 142%, krahasuar me vitin 20005. Ne jemi të vendosur për skemën më transparente që ju dëshironi në këtë transfero, sepse ankesat janë të ligjshme , por transparenca është shumë e thjeshtë. Ankesat më të mëdha unë i kam patur nga bashkia e Kamzës, sepse ka patur çrregullime të gjendjes civile,

Në rast se ju gjykoni se kriteret ekzistuese të  përcaktimit të këtij grandi duhen riparo, atëherë t’i diskutojmë së bashku. Ne jemi të vendosur të rrisim grandet për pushtetin vendor dhe ky është një vendin i pakthyeshëm. Ne e bëjmë këtë me vetëdijen më të thellë se pushteti vendor, pavarësisht nga ngjyra politike, është një investitor shumë i rëndësishëm. Unë dua që paratë e taksave të qytetarëve të shndërrohen në investime dhe zhvillim.

Një rritje të madhe ka pasur edhe në grandet konkurruese, ku bashkitë e mëdha kanë qenë përfituesit kryesorë të tyre nga 45 milion për vitin 2005 në 612 milion për vitin 2006 dhe këtë vit do të kenë një rritje edhe më të madhe, sepse janë disa projekte të rëndësishëm. Sikundër ju ftoj që shpronësimet t’i paraqisni brenda mundësive tona dhe ne do t’ju përgjigjemi. Ka një fond shpronësimi që ne jemi të gatshëm ta ndajmë me ju.

Qeveria ka pasur dy arritje të rëndësishme: e para, fondi i shpronësimeve. Asnjë qeveri në botë nuk realizon dot 100% buxhetin, prandaj dhe ne i kemi kërkuar FMN-së që, kur për arsye objektive mbetet pa u realizuar p.sh 5-10 % e tij, të mos digjet, por në bazë të perfomancës financiare  të shndërrohet në fond shpronësimi. .Së dyti, nëse ka pasur një rritje të madhe të buxhetit të këtij viti, kjo në sajë edhe të negociatave. Për 10 vite me radhe, mesatarja e disbursimit të financimeve të huaja është nën 40% dhe kjo jo gjithnjë për faj të palës shqiptare, por edhe për shkak të procedurave të institucioneve financiare, ku janë  marrë financimet, të cilat ndjekin procedura shume rigoroze të lidhura me shumë faktorë me mjedisin, me komunitetin etj. Llogaritë për vendin bëheshin sikur këto fonde të realizoheshin 100% dhe ne u kërkuam të na jepej mundësia t’i afrohemi  dhe mbi këtë baze ne morëm një kredi dh do të marrim prapë kredi, e cila do të respektojë plotësisht tavanin dhe e vërteta është se do të plotësojë interesat.

Kjo ka krijuar edhe një hapësirë më të madhe buxhetore për vendin dhe të ardhurat janë rritur. Në këtë kontekst, ne jemi të gatshëm ta ndajmë me ju fondin e shpronësimeve. Ta përdorim atë në objektet më kryesore. Tani është dosja e unazës së Tiranës, nuk e dimë se sa kushton , por ekspertet e Bashkisë po e shqyrtojnë. Gjithashtu kam biseduar edhe me kryetarin e baskisë së Vlorës për të marrë në shqyrtim unazën e qytetit të Vlorës. Ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm frymëmarrjen,..

Jam i mendimit që duhet të këtë një harmonizim të zhvillimit, sepse nuk mund të ndodhë që të satelitë të prishin qytetin. Ndaj duhet të ecim drejt harmonizimit. Komunat përreth qytetit të Tiranës do të zhvillohen në harmoni me kryeqytetin, pasi nuk mund të krijojnë zhvillime kaotike, edhe jenë edhe pjesë e kryeqytetit dhe në vend që t’i shtojnë aspektet që i mungojnë qendrës, i shtojnë kaosin dhe e dëmtojnë në mënyrë  të pariparueshme. Kjo është e vërtetë edhe për qytetet e tjera të mëdha. Jemi në prag të ligjit të ri të urbanistikës që brenda këtij viti duhet ta dorëzojmë në parlament. I kërkoj ministrive të bëjnë një takim me ju për të marrë sugjerimet tuaja për ligjin e urbanistikës, tu japin përgjigje cështjeve më kryesore dhe mangësive që ky ligj që ka ekzistuar deri më sot ka patur, për të kaluar një ligj të ri Urbanistike.

Jam i hapur t’ju dëgjoj për të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet tuaja.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›