E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Decentralizmi proces i domosdoshëm për një qeverisje më të mirë dhe efikase

- Kryeministri Berisha Do të rrisim grandet dhe fondet për pushtetin vendor

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim pune me kryetarët e bashkive të disa qarqeve të vendit si dhe drejtues të shoqatës së bashkive të Shqipërisë.

Duke e konsideruar këtë takim jashtëzakonisht të rëndësishëm, në rrafshin e decentralizmit të pushtetit në Shqipëri, Kryeministri theksoi se ky parim është fondamental për  funksionimin e demokracisë në një vend të lirë, dhe  përmirësimin e qeverisjes në përgjithësi.

Në këtë kontekst, kryeministri siguroi për përkushtimin e qeverisë  për shtyrjen përpara të këtij procesi në të gjitha rrafshet. “Qeveria ka dëshmuar vullnet të qartë në këtë drejtim dhe po t’u referohemi fakteve dhe shifrave ato dëshmojnë qartësisht vullnetin e kësaj qeverie për të ecur drejt kompletimit të procesit të decentralizimit në rrafshin ligjor.” , u shpreh kryeministri.

Më pas, kryeministri bëri një ekspoze të masave të ndërmarra nga qeveria për kompletimin e këtij procesi. Duke u ndalur në decentralizmin fiskal,  kryeministri vlerësoi masat e marra në këtë drejtim,  si dhe masat për  administrimin e taksës së biznesit të vogël tërësisht nga pushteti vendor apo të taksës së pronës, duke theksuar se Ministria e Financave do të shqyrtojë taksa të tjera, të cilat duhet t’i kalojnë për administrim të plotë qeverisë vendore.

Krahas decentralizimit fiskal, kryeministri vlerësoi të domosdoshëm edhe ligjin për huamarrjen e pushtetit vendor, drafti i të cilit është përgatitur nga ministria e Financave si dhe ëhshtë në shqyrtim nga qeveria, për të kaluar sa më shpejt në parlament. “Qeveria është e vendosur dhe e gatshme në mbulimin e kredive apo të ndajë sovranitetin e kredive me ju, nën mënyrë që ju të mund të ndiqni projektet e mëdha për qytetet tuaja.” tha kryeministri.

Në këtë kontekst, kryeministri vlerësoi institucionin e Inspektoratit të Ndërtimit, konsolidimi i të cilit përbën një rëndësi të jashtëzakonshme për mbrojtjen dhe administrimin e territorit.

Kryeministri u ndal gjithashtu në  dy çështje shumë të rëndësishme, atë të decentralizmit të ujësjellësve dhe strategjisë  së trajtimit të mbeturinave mjedisore, për të cilat kërkoi bashkëpunimin e ngushtë të pushtetit vendor për zgjidhjen  e tyre.

Për sa i përket grandeve për pushtetin vendor, Kryeministri u shpreh se qeveria po bën të gjitha përpjekjet për rritjen e tyre, në mënyrë që kjo ti shërbejë rritjes së investimeve për qytetarët.

“Ne e bëjmë këtë me vetëdijen më të thellë se pushteti vendor, pavarësisht nga ngjyra politike, është një investitor shumë i rëndësishëm. Unë dua që paratë e taksave të qytetarëve të shndërrohen në investime dhe zhvillim.”, theksoi kryeministri.

Në këtë kontekst, Kryeministri informoi se një rritje të konsiderueshme kanë patur edhe grandet konkurruese, nga 45 milion për vitin 2005 në 612 milion për vitin 2006, ku përfituesit kryesorë të tyre kanë qenë bashkitë, si dhe siguroi se keto grande do të jenë më të larta në të ardhmen.

Për sa i përket planeve rregulluese të qyteteve, Kryeministri kërkoi një harmonizim më të plotë të zhvillimit të tyre, si dhe koordinim me planet e rregullimit të komunave , për të shmangur në këtë mënyrë zhvillimet kaotike dhe demtimet e pariparueshme.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e pushteti vendor falënderuan kryeministrin Berisha për takimin e organizuar dhe ofruan bashkëpunimin e tyre në drejtim të përshpejtimit të procesit të decentralizmit dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

Së bashku me kryeministrin në takim merrnin pjesë edhe Ministri i Financave Zoti Bode, Ministri i Drejtësisë Alibeaj, Ministri i Brendshëm Nishani, Ministri i Arsimit Pollo, si dhe specialistë të fushës juridike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›