E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Projektligji për huamarrjen e qeverisjes vendore, hap i rëndësishëm në zbatimin e politikave zhvilluese për qytetarët

Kryeministri Berisha u ndal sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, në projektligjin për huamarrjen e qeverisjes vendore, duke e vlerësuar atë një hap pozitiv dhe të rëndësishëm për financat e qeverive vendore dhe zbatimin e politikave zhvilluese, në interesin më të mirë të qytetarëve.

“Ky është një hap jashtëzakonisht pozitiv dhe i rëndësishëm, në mënyrë që qytetet tona të zbatojnë politika të rëndësishme zhvilluese në interesin më të mirë të qytetarëve tanë,” u shpreh Kryeministri.

Në bazë të këtij ligji, vijoi Kryeministri, bashkitë e komunat e vendit do të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të marrë kredi, që, më pas, do të ndjekin rrugën që ndjekin të gjitha kreditë shtetërore, miratimin  tyre nga parlamenti.

Duke u ndalur në rëndësinë e thellimit të procesit të decentralizimit, Kryeministri kërkoi nga të gjitha ministritë të përmbushin sa më shpejt detyrimet ligjore që rrjedhin nga ligji i qeverisjes vendore.

“Nuk duhet të mbajmë nën autoritetin tonë asgjë nga ato që ligji përcakton se i përkasin qeverisjes vendore. Qeveria nuk mund të përmbushë misionin e saj, pa ushtrimin e plotë të funksioneve dhe kompetencave të qeverisjes vendore,” theksoi Kryeministri.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri njohu anëtarët e qeverisë me takimin me kryetarët e bashkive të qarqeve dhe kryesinë e shoqatës së kryetarëve të bashkive, takim të cilin e vlerësoi tepër të frytshëm.

Kryeministri veçoi si çështje kryesore të dala nga takimi me drejtuesit vendorë  decentralizimin e shërbimeve sociale dhe në një shkallë të caktuar edhe të institucioneve të vlerave kulturore dhe arkeologjike, rishqyrtimin e ligjit të pasurive botërore për të përcaktuar qartësisht detyrimet e palëve, si dhe shpejtimin e planeve rregulluese dhe përcaktimin e vijave të verdha të qyteteve. Nëse qytetet kanë vija të verdha, - theksoi Kryeministri - ky koncept është zhdukur dhe qytetet janë objekt i një agresioni periferik të paparë, nuk kuptohet ku është qendra e komunës apo ku ka fshat, por një vërshim drejt qyteteve pa asnjë kriter.

Kryeministri kërkoi nga anëtarë e qeverisë që decentralizimi të shtrihet edhe në fushën e arsimit, të shëndetësisë dhe shërbimeve sociale. 

Kryeministri vlerësoi të rëndësishëm për shpejtimin e këtij procesi edhe vendimin e arritur në  këtë takim për krijimin e një komisioni me ekspertë financiarë të qeverisjes qendrore dhe asaj vendore për të gjitha modalitetet e decentralizimit fiskal dhe thellimin e këtij decentralizimi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›