E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi takon Kryetarin e Parlamentit danez, Thor Pedersen.

31 mars 2009
Kopenghagen
Danimarkë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij në Mbretërinë e Danimarkës, u takua sot me Kryetarin e Parlamentit danez, Thor Pedersen.

Në këtë takim, bashkëbiseduesit vlerësuan ecurinë pozitive në zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Danimarkës dhe u shpreh interesimi i përbashkët për thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të tyre në të ardhmen. Në këtë këndvështrim, dy personalitetet vlerësuan sidomos rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta kulturore, ekonomike, që i shërbejnë promovimit të vlerave dhe mundësive të zhvillimit dhe bashkëpunimit midis dy vendeve.

Pasi është ndalur në disa prej çështjeve më aktuale të zhvillimeve të brendshme në Shqipëri dhe reformave konkrete të ndërmarra si ajo zgjedhore me konsensusin të gjerë pozitë-opozitë, reforma ekonomike, në gjyqësor, etj., Presidenti Topi vuri në dukje se vendi ynë dhe populli shqiptar po kurorëzojnë tashmë aspiratën e tyre shumëvjeçare të anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Danimarkës në këtë drejtim. Kryetari i Shtetit vuri në dukje se “ne besojmë se Shqipëria në Aleancë do të kontribuojë në çështje të sigurisë sa rajonale aq dhe globale”, - si dhe theksoi se “ne jemi të ndërgjegjshëm se ky anëtarësim mbart në të njëjtën kohë detyrime dhe përgjegjësi, të cilat ne besojmë fort se, mund t’i përballim e kapërcejmë me mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të miqve tanë”.

Sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian si një synim dhe prioritet parësor i politikës së jashtme të Shqipërisë, Presidenti Topi shprehu besimin në politikën e së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor, deri në integrimin e plotë të vendeve tona në BE, pavarësisht çështjeve të brendshme, apo problemeve globale me të cilat po përballet aktualisht BE-ja. Kryetari i Shtetit vlerësoi se ratifikimi i MSA-së të Shqipërisë me BE-në është një është një tregues domethënës i mbështetjes politike që vendet e BE-së i japin procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, si dhe një vlerësimi pozitiv, i çdo shteti anëtar të BE-së mbi ecurinë e reformave të deritanishme të ndërmarra në Shqipëri.

Kryetari i Parlamentit danez, Thor Pedersen, pasi i uroi mirëseardhjen Presidentit Topi dhe delegacionit që ai kryeson, shprehu kënaqësinë dhe nderin e madh për këtë vizitë, duke theksuar se shkëmbimi i vizitave të tilla të nivelit më të lartë, kontribuon për rritjen dhe thellimin e mëtejshmë të marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimit të bashkëpunimit. Në këtë pikë të dy personalitetet e larta nënvizuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave parlamentare dhe rritjes së bashkëpunimit mes deputetëve dhe komisioneve të ndryshme parlamentare.

Zoti Pedersen, pasi vlerësoi arritjet e viteve të fundit të vendit tonë duke uruar për kurorëzimin me sukses të ëndrrës integruese euroatlantike të popullit shqiptar, shprehu mbështjetjen e plotë institucionale për demokracitë e reja në Ballkan, si ajo e Shqipërisë, duke e siguruar Kreun e shtetit shqiptar se: ‘’kjo përkrahje do të vazhdojë e fuqishme edhe në të ardhmen, duke qenë se përbën një përparësitë e Parlamentit danez dhe politikës së jashtme të vendit të tij’’.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›