E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi merr përgëzimet e Kryeministrit të Danimarkës, Rasmusen, për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO dhe mbështetjen e plotë për anëtarësimin e ardhshëm në BE.

31 mars 2009
Kopenhagen
Danimarkë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij në Mbretërinë e Danimarkës, u prit sot nga Kryeministri danez, Anders Fogh Rasmusen.

Në bisedën e zhvilluar me Kryeministrin danez Rasmusen, Presidenti Topi vlerësoi lart marrëdhëniet midis dy vendeve tona, duke nënvizuar vullnetin e palës shqiptare për të intensifikuar më tej bashkëpunimin e gjithanshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Në këtë kuadër Kryetari i Shtetit vlerësoi në mënyrë të veçantë ndihmën dhe kontributin e deritanishëm që Danimarka i ka dhënë Shqipërisë për ndërtimin e demokracisë dhe mbështetjen, që vazhdon të japë për integrimin e Shqipërisë në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Presidenti Topi vlerësoi veçanërisht dhe rolin individual i Kryeministrit Rasmusen, si një mbështetës i çështjes shqiptare duke shprehur mirënjohjen edhe për rolin e luajtur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe njohjen e menjëhershme dhe pa rezerva të pavarësisë së saj.

Në vijim të takimit, Presidenti i Republikës bëri një pasqyrë e shkurtër të zhvillimeve të brendshme në vend ku nënvizoi rëndësinë e reformës kushtetuese, reformës zgjedhore, asaj në drejtësi, por edhe në ekonomi, si faktorë të rëndësishëm, jo vetëm në ecurinë pozitive të zhvillimeve në vend, por dhe në nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë. Në këtë kontekst, Presidenti Topi u shpreh se “ne jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, si momentin më të rëndësishëm historik pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, jo vetëm si tregues i një stabiliteti të konsoliduar politik në vend, por edhe si kriter thelbësor i pritshëm, për kandidaturën tonë për anëtarësim në BE”, - duke theksuar “vullnetin dhe angazhimin për realizimin në vend të zgjedhjeve të lira, të ndershme, të pakontesturara dhe sipas standardeve ndërkombëtare”.

Gjithashtu, Presidenti Topi u ndal dhe në disa prej aspekteve për zhvillimin e biznesit, si dhe mundësive konkrete që vendi ynë ofron për investitorët e huaj që të ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Kështu, Kreu i shtetit shqiptar, pasi nënvizoi nevojën e zgjerimit dhe thellimit të marrëdhënieve ekonomike-tregtare, shprehu dhe interesimin e palës shqiptare për më tepër investime daneze në sektorë strategjikë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare si telekomunikacioni, turizmi, ndërtimi i infrastrukturës, po ashtu në fushën e energjitikës.

Në këtë kontekst, Presidenti Topi u shpreh i bindur në mbështetjen e Danimarkës për liberalizimin e vizave, duke vlerësuar se, “lëvizja e lirë përbën domosdoshmëri thelbësore për shqiptarët, qoftë si element i afërsisë eurointegruese dhe njohjes reciproke me familjen evropiane, qoftë si lehtësi ndaj barrierave të ndryshme, me qëllimin zhvillimin ekonomik të vendit”.

Nga ana e tij, Kryeministri Rasmusen pasi uroi mirëseardhjen dhe shprehu urimet më të mira për anëtarësimin e vendit tonë në NATO duke theksuar se: ‘’Aleanca ndihet më e plotësuar e më e sigurtë dhe është e lumtur pas shtimit të radhëve të saj me dy anëtarë të rinj si Shqipëria dhe Kroacia’’, vuri në pah nevojën dhe theksoi ‘’rëndësinë e forcimit të lidhjeve me vendet e Ballkanit Perëndimor’’.

Zoti Rasmusen e siguroi Kreun e shtetit shqiptar se mbështetja e Danimarkës për vendin tonë do të jetë e pakursyer edhe përgjatë rrugëtimit drejt integrimit në Bashkimin Europian. Në këtë pikë të dy personalitetet e larta diskutuan për situatën në rajonin e Ballkanit, duke rënë dakort se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri të pavarur, demokratik e shumëetnik, që respekton të drejtat e të gjitha pakicave kombëtare, rajoni ynë ka fituar edhe më tepër siguri e qëndrueshmëri. Kryeministri Rasmusen vlerësoi me këtë rast kontributin e rëndësishëm moderues të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në Ballkan e më gjerë për rritjen e qëndrueshmërisë, paqes, begatisë dhe sigurisë duke çmuar pamasë kontributin dhe pjesëmarrjen aktive të trupave paqeruajtëse shqiptare në Irak e Afganistan.

Duke folur rreth zhvillimin e mëtejshmë të marrëdhënieve dypalëshe, Presidenti Topi pasi vlerësoi asistencën shumëvjeçare daneze për vendin tonë në drejtim të rritjes së bashkëpunimit dypalësh duke sjellë si shembull edhe bashkëpunimin shumë të mirë e të frutshëm mes institucioneve të Avokatit të Popullit të dy vendeve respektive, vuri në pah edhe nevojën për projekte konkrete daneze në funksion të rehabilitimit dhe integrimit të plotë në shoqëri të shtresës së ish-të përndjekurve dhe të burgosurve politikë shqiptarë gjatë regjimit diktatorial komunist.

Presidenti Topi e ftoi Kryeministrin Rasmusen për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë që u pranua me kënaqësi nga kreu i qeverisë daneze, i cili premtoi se do ta realizojë në një moment të përshtatshëm.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›