E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në dy vjet janë investuar në infrastrukturën e Kamzës 3 miliard lekë dhe në mandatin e dytë do të trefishohen

Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Berisha bëri sot një vizitë në bashkinë e Kamzës, ku mori pjesë në përurimin e disa veprave të rëndësishme infrastrukturore për këtë bashki. Kryeministri Berisha përuroi godinën e kopshtit të ri, investim me vlerë 34 milion lekë, godinën e re të komisariatit të policisë, investim me vlerë 104 milion lekë dhe rikonstruksionin e stadiumit të qytetit, me vlerë 45 milion lekë. Kryeministri u takua me ekipin e futbollit, të cilët i përgëzoi për emocionet dhe vlerat që i dhurojnë qytetit të tyre. Më pas, Kryeministri Berisha vizitoi edhe qendrën e shërbimeve “one stop shop”, të ngritur pranë kësaj bashkie, të standardeve më të mira.

Në takimin me qytetarë të Kamzës, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që në këto dy vite, në këtë bashki janë investuar në infrastrukturë rreth 3 miliard lekë, kundrejt 500 milion lekëve të investuara në 8 vite së bashku. Kryeministri siguroi se në mandatin e dytë, investimet për Kamzën do të trefishohen.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe të shpreh kënaqësinë  e madhe me ndryshimet e mëdha që Kamza, qyteti më i ri i Shqipërisë, ka pësuar gjatë këtyre tre viteve. Sot, vizitën time këtu e nisa me inaugurimin e një kopshti ndër më të mirët, rrugës për tek kopshti, inaugurimin e komisariatit të policisë, inaugurimin e stadiumit të rindërtuar. Ajo çka unë kam kënaqësi është se kontratën me ju, sikundër me të gjithë shqiptarët, kjo mazhorancë po e zbaton me ndershmëri, përkushtim dhe ndjeshmëri.

Kryetari i bashkisë më informoi se këto dy vite, janë asfaltuar në qytetin tuaj të bukur 25 kilometra rrugë. Këto dy vite, janë investuar në rrjetin elektrik rreth 15 milion euro. Këto dy vite, janë investuar vetëm në shkolla e kopshte aq sa janë të gjitha investimet e bëra në Kamzë 8 vite të marra së bashku.

Ne vijmë tek ju fjalëmbajtur, sepse ne kemi investuar gjatë kësaj periudhe në qytetin tuaj për infrastrukturën, shërbimet, për ujin, shkollat, dritat 25 milion euro ose 3 miliard lekë, kundrejt gjithsej 500 milion lekë të investuara në 8 vitet të marra së bashku. Sot, kam ardhur këtu për t’ju dhënë fjalën e nderit e për t’u zotuar se në mandatin e dytë këto investime për ju do të trefishohen.

Në historinë e këtij kombi, askush dhe asnjëherë nuk ia ka dalë t’i dhurojë vendit një qytet të tërë, siç keni bërë ju për 15 vite. Me mundin, djersën, sakrificën dhe vuajtjen tuaj, ju i veshët kodrat përreth Tiranës me vilat më të bukura. E përgëzoj kryetarin e bashkisë për konceptin që ka. Ne, së bashku, inauguruam stadiumin dhe së shpejti këtu fillojnë punimet për pallatin e kulturës, ndër më të mirët në Shqipëri.

Unë e di që me gjithë këto investime, ju sërish keni probleme, sërish përballeni me probleme me ujin, dritat, por unë kërkoj mirëkuptimin tuaj, sepse ne po investojmë më me shumë se kudo tjetër në infrastrukturën e këtij qyteti. Unë ju garantoj se qeveria ime do të shumëfishojë investimet, gjersa ju të jeni një nga qytetet më të zhvilluara e më të begata të Shqipërisë.

Ne po ecim drejt një mandati të dytë. Dy platforma janë shpallur sot para shqiptarëve. Të dyja flasin për ndryshimet. Ne ju themi se dyfishimi i pensioneve në fshat është ndryshim, kurse pala tjetër thotë se pensionet nuk do të dyfishohen në fshat. Unë jam i bindur se ju në mençurinë tuaj do të dini të dalloni se cili është ndryshimi dhe cili është mashtrimi.

Ne ju themi se në Kamzë dhe në Shqipëri kemi 8 dhe10-fishuar investimet, ata thonë se kjo nuk është e vërtetë. Unë jam i bindur se ju që ecni në rrugë të asfaltuara dhe ju që shihni çdo ditë infrastrukturën tuaj të ndryshojë dini ta dalloni se cili është ndryshimi dhe cili është mashtrimi.

Ne themi se arsimin e kemi përparësi, ndaj dhe kemi dyfishuar pagat e  mësuesve të fëmijëve tanë, duke filluar nga 1 maji i këtij viti. Ata thonë se kjo nuk është e vërtetë. Unë jam i bindur se 44 mijë mësues shqiptarë dhe mbi 700 mijë prindër të fëmijëve të Shqipërisë e kanë të qartë se cili eshët ndryshimi dhe cili është mashtrimi.

Ne ju themi se kemi krijuar në vend një klimë të përshtatshme për biznesin, se investimet private janë rritur me shpejtësi. Sapo erdha nga qendra ‘one stop shop’ dhe ju garantoj se kjo është fjala e shërbimeve dhe në kryeqytetet më të zhvilluara të botës. Ne u themi ky është ndryshimi, ata thonë nuk ekziston. Qytetarët duhet ta dallojnë se cili është ndryshimi dhe cili është mashtrimi. Ne ju themi juve se me disiplinën fiskale që vendosëm duke luftuar korrupsionin, evazionin ia kemi dalë të 2-3-fishojmë të ardhurat, ndaj dhe kemi dyfishuar pagat, ndërsa ata thonë se kjo nuk ka ndodhur, pagat nuk janë rritur. Unë e di se të gjithë nëpunësit e administratës e kanë të qartë se cili është ndryshimi dhe cili është mashtrimi. Para se të vij këtu, kryetari i bashkisë suaj, zoti Xhelal Mziu më informoi se vitin e kaluar, me gjithë uljen e madhe të taksave, ka vjelur taksa në këtë bashki sa 8 vite të marra së bashku të qeverisjeve të mëparshme.

Ndryshimi është thelbësor. Shqipëria po ecën drejt NATO-s. Në datën 4 prill, flamuri ynë kombëtar valëvitet në Strasburg, më krenar se kurrë në historinë e tij. Ne themi se ky është ndryshimi epokal, është akti më madhor në historinë e kombit tonë, pas shpalljes së pavarësisë. Ata thonë se ky nuk është ndryshimi. Atëherë u takon qytetarëve të dallojnë se cili është ndryshimi dhe cili është mashtrimi.

Të dashur qytetare e qytetarë të Kamzës,

Këto vite nuk kanë qenë të lehta, sepse kemi gjetur përpara një mur të tmerrshëm krimi dhe atë mur e shembën këta burra e gra me uniformë, me mbështetjen tonë të plotë dhe e bënë sot, Shqipërinë, një nga vendet më të sigurta në Europë. Nuk ka qenë e lehtë, sepse taksat e tatimet tuaja në mbi 60 për qind të tyre vidheshin, shpërdoroheshin e përfundonin në kontot bankare të kontrabandistëve dhe zyrtarëve. Në katër vite, ne kemi shpëtuar mbi 4 miliard dollarë nga kthetrat e tyre.

Kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë. Dy ditë më parë isha në Paskuqan dhe banorët më thanë se nuk kishin pasur as edhe një kilometër rrugë të asfaltuar dhe kjo në një bashki që shtrihet gjithsej vetëm 5 minuta nga Tirana. Kishin asfaltuar 14 kilometra dhe janë për t’u asfaltuar edhe 30 të tjera. Unë ju jap fjalën se çdo pëllëmbë e Kamzës, çdo pëllëmbë e Paskuqanit do të asfaltohet.

Rruga nuk ka qenë e lehtë, sepse jemi përballuar me një platformë, në të cilën, nga mëngjesi deri në darkë, me mediat që janë në kontroll të plotë, brohoritej ‘rroftë e keqja’, ‘poshtë Shqipëria’.  Nuk ka vend që të mos ketë probleme, por merita e qytetarëve të vërtetë është t’i përvishen dhe t’i zgjidhin ato dhe ne këtë kemi bërë.

Ne po shkojmë drejt mandatit të dytë dhe dua t’u them dy gjëra. Askujt nuk ia kërkojmë votën për këto që kemi bërë, por kërkojmë të na besojnë për ato që do të bëjmë, sepse ne vijmë para jush me fjalë të mbajtura, vijmë para jush me premtime të realizuara, ne vijmë para jush me moralin e një politike, e cila nuk mashtron, me moralin e një politike që ju vendos ju, hallet, dertet, fëmijët dhe jetën tuaj në epiqendër të përpjekjeve tona.”


31/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›